Parodia që “fluturoi” mbi TKK

06.12.2012 (komentet: 0)

Fjalimi i kryeministrit ishte epik. Para se të shkojë për në Tiranë, ai ka “fluturuar” mbi Prishtinë. Gati 10 vite pas përfundimit të luftës, Kosova bëhet gati të shpallë pavarësinë. Nuk dihet date, protokol e as fjalim për njeri.

Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatitë një shfaqje teatrore solemne, e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Nga 2 milion euro, 20 mijë I ndahen aktorëve, që ende nuk dihet se kush janë. Rozi, Dilo, Xhejmsi e regjisori janë në mesin e tyre.

Pas ca kërkesave politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy probleme të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike. Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel.

Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit. Xhejmsi është një Xhejms i vërtetë, i kuptueshëm se cili është ai dhe roli i tij në realitetin pas pavarësisë në Kosovë. Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare të Kosovës. Ngjarja e tillë shtjellohet edhe më shumë në “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit, lindjen e shtetit të Kosovës.

“Fluturimi…”, që u dha premierë mrëmjen e së mërkurës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të festivalit SKENA UP doli të jetë mjaft një parody e suksesshme që më në fund fluturoi. Aktorët si Anisa Ismaili, Adrian Morina, Bajrush Mjaku, Ernest Malazogu e Adrian Aziri për 90 minuta kanë përgatitur batuta, skena përkëledhëse e vuajtjeje. Agim Selimi, drejtor i teatrit “Dodona” tha se shfaqja i plotësoi kërkesat për publikun.

“Nuk pati asnjë kërkesë për patetizëm. Mendoj që shfaqja ishte e vështirë të bëhet në mënyrë të tillë. E përgësoj regjisoren, edhe pse shfaqja ka pasur mudnësi ralizimin edhe në mënyra tjera, ka mundur të vendoset pak më ndryshe” ka thënë Selimi. Arian Krasniqi, dramaturg, ka thënë për “Zëri” se rolet kanë qenë të luajtura në mënyrë të shkqlëyeshme, edhe pse jo të gjitha meritojnë një vlerësim të njëjtë.

“Loja ishte interesante, por nuk mund të flas njëjtë për secilin personazh” tregon Krasniqi. “Mua më pëlqeu karakteri I Adrian Morinës, ndoshta sepse nuk e kam parë asnjëherë në rolin protagonist. Kjo mu duk interesante” ka shtuar Krasniqi. Sipas tij, shfaqja kishte edhe provokim.

“Nuk mund të them nëse ishte provokim për instancat ndërkombëtare apo ato kombëtare. Kjo e bëri edhe më interesant” ka shtuar Krasniqi. Autor I shfaqjes është dramaturgu Jeton Neziraj, ndërsa regjinë e ka bërë Blerta Neziraj. Shfaqja, me datë 7 dhjetor do të udhëtojë drejt Teatrit Kombëtar në Tiranë, në sallën “Kadri Roshi”.

Kthehu mbrapa

Shto koment