PARA 100 VITEVE SHQIPTARËT ISHIN SHUMICË NË PRILEP

27.03.2014 (komentet: 0)

Historianët sqarojnë se menjëherë pas përfundimit të Luftës së parë Ballkanike shqiptarët që kanë jetuar në Prilep dhe në qytetet e tjera lindore të Maqedonisë i kanë shpërngulur me dhunë për në Turqi, ndërsa ata që mbetën për ti shpëtuar shpërnguljes u asimiluan.


lajme

 

Në një reportazh të gazetës “New York Daily Tribune” të datës 3 maj 1903 me titull “Konfliktet etnike ballkanike” shkruan se në Prilep, shqiptarët, turqit dhe bullgarët kanë qenë afërsisht të barabartë në numër.

“Ne shkuam për një shëtitje rreth qytetit. Kur ra terri na thanë se ne nuk duhet të jemi jashtë. Roje ruanin derën e dhomës sime dhe shkallët gjithë natën. Rëndësia e kësaj ishte se Prilepi është qendra e zonës ku shqiptarët, turqit dhe bullgarët në numër janë thuajse të barabarta. Nëse unë dal para një shqiptari ose turku, i cili nuk është në humor të mirë, ndonjëherë ndodh që ai të drejtojë pistoletën drejt meje. Këtë mund të bëjnë dhe burrat bullgarë për të tërhequr vëmendjen e disa prej kombeve të mëdha në çështjet e Ballkanit. Në mëngjes ne u larguan nga qyteti dhe hasëm në një kazermë ushtarake të madhe, më të madhe sesa ajo që mund të gjendet në afërsi të ndonjë qyteti të SHBA-ve. Rreth nesh dhe para nesh ecnin ushtarët, ndërsa përpara dhe në kodrinat përreth, ushtarët mbikëqyrnin rrugën. Patrullat kalorësish me 20-200 njerëz ishin të zakonshme. Kohë pas kohe me vete ata bartnin edhe të burgosur të lidhur me zinxhirë. E tillë është situata në Maqedoni edhe në linjat hekurudhore, jo vetëm në rajonin e Prilepit, por në çdo krahinë”, shkruan gazeta njujorkeze e vitit 1903.

Por, ku janë sot shqiptarët që kanë pas jetuar në Prilep? Çka ndodhur me ta? Në Prilep sot shqiptarë kanë mbetur vetëm në disa fshatra si Zhitosha, Cërnëlishtja etj. Të tjerët janë zhdukur, janë asimiluar e shpërngulur.

Trena të mbushur me shqiptarë i dërgonin ata për në Eldorado.

Historianët sqarojnë se menjëherë pas përfundimit të Luftës së parë Ballkanike shqiptarët që kanë jetuar në Prilep dhe në qytetet e tjera lindore të Maqedonisë i kanë shpërngulur me dhunë për në Turqi.

“Menjëherë pas luftës së parë Ballkanike shqiptarët u shpërngulën për në Turqi, ndërsa një pjesë ortodokse që mbeti u asimiluan. Ata shpërngulen, detyrohen me dhunë nga administrate serbe, ndërsa pjesa tjetër për ti shpëtuar shpërnguljes janë asimiluar. Aty kalonte linja hekurudhore Prilep-Manastir-Selanik dhe vazhdonte për Turqi. I kanë transportuar me trena, i kanë dëbuar me dhunë”, thotë për “Lajm” historian Nebi Dervishi.

Historian Skënder Hasani thotë se shpërngulja e shqiptarëve që kanë jetuar në qytetet e Maqedonisë lindore ka vazhduar edhe pas luftës së parë ballkanike. “Ka qenë marrëveshja turko-Jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve. Ne kemi të dhëna që tregojnë se jo vetëm Prilepi, por edhe Krusheva dhe Velesi kanë qenë të populluara me shqiptarë. Numri i shqiptarëve në këto qytete ka qenë i përafërt ose edhe më i madh se i komuniteteve të tjera”, sqaron Hasani për “Lajm”.

Sot në Prilep, shqiptarët jo vetëm që nuk janë shumicë, por në qytet ata numërohen me gishta. Për një shekull Prilepi është “pastruar” nga shqiptarët. Pastrimi etnik ka ndodh edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment