Panairi i Librit në Tiranë, Kosova pjesëmarrje më të lartë

09.11.2014 (komentet: 0)

 

BeFunky_panairi_i_librit_tirana_2012_1.jpgTë mërkurën më 12 nëntor çelet në Tiranë, Panairi i 17-të i Librit ku do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese mes tyre edhe nga Kosova.

 

Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë tha se gjithçka rreth organizimit është gati edhe pse nuk e kanë pasur as mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe as të Bashkisë së Tiranës. Ymeri shtoi se pjesëmarrja do të jetë e madhe ku shtëpitë botuese nga Kosova do të jenë të vendosurame stendat e tyre në qendër të Panairit.Ai nuk dha shifra të veçanta, por pjesëmarrja e shtëpive botuese nga trevat këtë vit do të jetë më e lartë. Ajo çka veçoi Ymeri si problematikë e këtij vitit është fakti që ka më pak botime të reja në krahasim me vitet e kaluara, ndërkohë që edhe blerjet si në Tiranë dhe në Prishtinë kanë rënë me më shumë se 40 %.

‘Numri është rreth 100 nuk mungon askush, të gjithë ata që kanë qenë vitin e kaluar (shtëpitë botuese) madje ka edhe më shumë, e kam fjalën për botuesit nga Kosova. Stenda e Shoqatës së Botuesve nga Kosova ka një risi këtë vit, pasi është në qendër të panairit, në hyrjen djathtas ka një stendë të organizuar, plus që ka edhe shtëpi të tjera botuese të Kosovës që janë me stendat e tyre vetjake. Nuk kemi asnjë lloj mbështetje nga Ministria e Kulturës, kjo është shpallur që në muajin mars për arsye që i di Ministria e Kulturës që nuk ka asnjë lloj arsye. Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë qindarkë mbështetje. Ka edhe një rënie të dukshme numri i botimeve, sikurse edhe shitjet gjatë këtij viti kanë pasur një rënie të dukshme. Edhe në Prishtinë libraritë apo botuesit thanë të njëjtën gjë, është një treg i librit që është i dëmtuar, ky është një fenomen më shumë se shqiptar është fenomen evropian, ku flitet për një rënie të blerjes me 40 % apo më shumë përqind”, tha Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.Lidhur me çmimet e librave që do të paraqiten në Panair, Ymeri tha se kjo varet nga secila shtëpi botuese, dhe se organizatorët nuk mund ti detyrojnë botuesit të ulin çmimet.

“Lidhur me çmimet e librave kjo varet nga politika që ka secila shtëpi botuese. Dikush i ul 5 %, dikush i ul 10%, 20 % apo 30 %, varet nga lloji i librit, ka që nuk bëjnë ulje fare. Për këtë organizatorët nuk ndikojnë dot dhe nuk duam të ndikojmë në këtë fushë. Ne e stimulojmë nga pikëpamja morale, shoqërore uljen e çmimeve për të tërhequr lexuesit sa më shumë dhe për ta bërë sa më interesant,” tha më tej Ymeri.

Sa i përket librave që pritet të bëjnë bujë këtë vit, Ymeri veçoi librin “Ahmet Zogu” me autor Blendi Fevziun dhe librin “Hëna e Shqipërisë” me autor Ben Blushin. Megjithëse pranoi se ka pasur shtëpi botuese që kanë ngritur shqetësimin se libra të tillë, të cilët kanë për autor gazetarë apo politikanë, kanë marrë vëmendjen e letërsisë së vërtetë, Ymeri tha se Panairi është i hapur për të gjitha prurjet e reja, dhe lexuesi zgjedh vetë. “Për mua çdo libër është i gëzueshëm kur vjen në Panairin e Librit. Disa nga botuesit u shqetësuan sepse tërhiqej vëmendja më shumë apo më pak. Kemi disa libra që mendohet se do të bëjnë bujë siç është libri i Blendi Fevziut për Zogun. Kemi edhe një ngjarje tjetër këtë vit; për herë të parë Shqipëria është bërë fituese e çmimit europian të letërsisë që e ka fituar Ben Blushi, i cili do të jetë në panair me librin që është relativisht i ri “Hëna e Shqipërisë”, tha Petrit Ymeri.

Gjatë konferencës për shtyp ky u njoftua për datat e çeljes së panairit të 17 të librit, organizatorët shtuan se këtë vit do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë aktiviteteve mbi jetën dhe veprën e poetit të madh shqiptar Jeronim De Rada, duke qenë se ky vit përkon edhe me 200 vjetorin e lindjes së tij. Do të ketë aktivitete të shumta për De Radën por edhe një çmim special, çmimi: De Rada. Në fund të konferencës Petrit Ymeri tha për gazetarët jashtë kamerës se është ribotuar vepra e plotë e Jeronim de Radës për këtë panair, por se në këtë drejtim ka pasur një terr informativ nga institucionet qeveritare lidhur me emrin e shtëpisë botuese që e ka bërë ribotimin.

Panairi do të qëndrojë i hapur për rreth 4 ditë në Pallatin e Kongreseve, dhe do të ofrojë për lexuesit botimet më të reja të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

 
 

Kthehu mbrapa

Shto koment