Nxënësit e Gjilanit e kanë ruajtur suksesin e vitit të kaluar

27.07.2016 (komentet: 0)

18 000 nxënës, kan pasur 175 379 mungesa, dmth. 9.7 për nxënës, ndërsa mungesat e mësimdhënësëve nuk janë raportuar

 

Komiteti i Arsimit (KA) ka miratuar të mërkurën raportin e punës së drejtorisë së Arsimit për periudhën gjashtëmujore të këtij viti me disa vërejtje dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejmë të gjendjes në këtë sektor si dhe është njoftuar me suksesin dhe mungesat e nxënësve të kësaj komune, për vitin 2015/2016. Kryesuesi i Komitetit, Arben Mehmeti ka thënë se kjo trupë komunale i jep mbështetje drejtorit të Arsimit në punën e tij të deritashme dhe kërkon prej tij që t`i ketë parasysh për të ardhmen vërejtjet dhe sugjerimet e anëtarëve të Komitetit.

 

Drejtori Nazmi Musa ka thënë se në arsimin e Gjilanit, në të tri nivelet e shkollimit, mësimet i kanë ndjekur mbi 18 mijë nxënës shqiptarë e turq, 12.816 prej tyre në nivelin 1-5 dhe 6-9, kurse të tjerët në shkollimin e mesëm (10-12).

Në nivelin 1-5 kanë vijuar 6398 nxënës. Prej tyre, me sukses pozitiv kanë dalë 6346 nxënës, ose mbi 99 për qind, kurse me sukses negativ kanë mbetur 20 nxënës, derisa të pa notuar janë 32 nxënës. Sa i përket mungesave, numri i përgjithshëm i tyre arrin në 21.148. Të arsyeshme janë 16.413 mungesa, kurse të tjerat, të pa arsyeshme.  

Krahasuar me vitin e kaluar, suksesi është po thuaj se i njëjtë, me një rënie shumë të vogël, që nuk shkon as deri në një qind.   

Kurse në nivelin 6-9, me sukses pozitiv kanë dalë 6.210 nxënës nga numri i përgjithshëm prej 6.372 nxënësve, 6 nxënës përsërisin klasën, kurse 28 figurojnë të pa notuar. Numri i mungesave te ky nivel i shkollimit është 66.194, prej tyre 35.466 janë të arsyeshme.

Në arsimin e mesëm të lartë, kanë vijuar mësimin 5.197 nxënës. Me sukses pozitiv kanë dalë 4430 nxënës, 42 përsëritin klasën, kurse të pa notuar janë 13 nxënës. Mungesat janë gjithsej 88.037, prej tyre 43.251 të arsyeshme.

Mësimin në gjuhën turke e kanë vijuar 25 nxënës dhe 24 prej tyre kanë përfunduar vitin me sukses të shkëlqyeshëm, ndërsa një ka mbetur me sukses të shumë mirë. Në arsimin e mesëm të ulët (6-9) kanë vijuar 21 nxënës. Njëzet kanë dalë me sukses pozitiv, ndërsa një figuron i pa notuar. Shkollimin e mesëm në këtë gjuhë e kanë ndjekur 15 nxënës dhe që të gjithë kanë dalë me sukses pozitiv.

Fehmi Sylejmani (VV) e ka vlerësuar të mangët raportin. Sipas tij, raportit i mungojnë mungesat e mësimdhënësve, krahasimet e suksesit të nxënësve sipas lëndëve dhe ndërmjet gjysmë vjetorëve, sikurse mungojnë edhe arsyet për numrin e nxënësve të mbetur të pa notuar.

Shukrije Rapuca (PDK) ka kërkuar që Komiteti dhe Kuvendi të dalë me një rekomandim për ngritjen e cilësisë në arsim, që të mos ketë më nxënës që braktisin shkollimin, nxënës të pa notuar dhe kaq shumë mungesa.

Përndryshe, ajo tha se ka pikëpyetje nëse të gjithë nxënësit e një klase mund të kenë sukses të shkëlqyeshëm.       

Leonora Bunjaku (PDK) ka thënë se për dështimet administrative në testin e maturës dhe të arritshmërisë, faji nuk duhet t`u lihet nxënësve, meqë ata nuk mund të viktimizohen për gjera të tilla, ndërkaq askush nga mësimdhënësit të mos nuk ndëshkohet.

Ajo përmendi edhe rastin e një maturanteje në Gjilan, e cila u viktimizua nëpër portale e rrjete sociale, sikur të kishte ajo e vetmja në Kosovë që ka kopjuar.

Bunjaku, Rapuca e Sylejmani, njëherësh kanë thënë se numri i  mungesave është tepër i madh.

Idriz Ramadani (LDK), njëherësh mësimdhënës, i cili po ashtu është shprehur i shqetësuar për mungesat e nxënësve, ka thënë se një pjesë të fajit për këtë e kanë edhe prindërit, sepse ata i arsyetojnë fëmijët e tyre kur mungojnë.

Ramadani ka thënë se ka raste kur prindërit i thërrasin kujdestarët e klasës dhe u thonë se fëmija i tyre është i sëmurë dhe nuk mund të shkojë në shkollë atë ditë.           

Anëtarët e KA kanë ngritur edhe çështje të tjera nga fusha e arsimit, të cilave u ka dhënë përgjigje drejtori Nazmi Musa. Ai tha se i mirëpret të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet, kur ato janë në interes të arsimit, por ka kërkuar nga opozita të mos i politizojë gjerat.  “Në raport i kam nënvizuar vetëm pikat kryesore, për t`i lënë vend diskutimit në Komitet”, ka thënë Musa.

Sipas tij, notimi i nxënësve është një problem kompleks, që lidhet kryesisht me etikën e mësimdhënësve, por nuk i ka përjashtuar as ndikimet e prindërve.

 

Musa ka thënë se arsimi në Gjilan, pos sukseseve, ka edhe sfida dhe ka nënvizuar buxhetin e pamjaftueshëm për investime kapitale, zvogëlimin e numrit të nxënësve në fshatra, reduktimin e normave  mësimore, transportin e nxënësve, paralelet e ndara të shkollës së mesme Zhegër dhje të tjera.  

Kthehu mbrapa

Shto koment