Noel Malcolm cilëson lart veprën e Daut Dautit

22.03.2013 (komentet: 0)

Në Londër, në mbrëmjen e 18 marsit, nën organizimin e ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe Anglo Albanian Association u bë promovimi i librit “Çështja Shqiptare në Diplomacinë Britanike 1877 – 1880”, të autorit Daut Dauti, botuar nga Logos A në Shkup.

 

 

 

Para një numri të madh të interesuarve të pranishëm për librin foli historiani i njohur britanik Dr. Noel Malcolm, i cili është edhe kryetar i Anglo Albanian Association, shoqatë kjo e cila është formuar nga Edith Durham dhe Aubrey Herbert dhe e cila ka luajtur një rol të madh në emancipimin e çështjes shqiptare në Britani të Madhe. Në fjalimin e rastit Noel Malcolm veprën e Dautit e cilësoi lartë. Ai theksoi se me temën që jepet në këtë libër janë marrë edhe autorë tjerë por askush më parë nuk e ka trajtuar çështjen shqiptare të kësaj periudhe siç ofrohet në këtë vepër. Malcolm bëri me dije se Dauti, në mënyrë të palodhshme shkencore, ka trajtuar në detaje më të imëta ngjarjet e asaj kohe që u shënuan nga diplomatët britanikë dhe që ishin të rëndësishme për popullin shqiptar por edhe për historinë e rajonit dhe asaj evropiane. Ai shtoi se falë përmbajtjes së librit na bëhet me dije qëndrimi i diplomacisë britanike, situata në teren, gjegjësisht aktiviteti i shqiptarëve për mbrojtjen e tokave të tyre që kërcënoheshin nga shtetet e reja siç ishin Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Poashtu, shohim edhe cilësimin e ngjarjeve nga diplomatët britanikë që dalin nga raportet e tyre që ata kanë dërguar qeverisë së tyre në Londër, shtoi Malcolm.

 

Dr. Noel Malcolm, i cili në opinionin ballkanik njihet si autori i dy librave të famshëm për historinë e Kosovës dhe Bosnjës kurse në qarqet intelektuale më shumë për veprat e tija për Thomas Hobbes-in, theksoi se me anë të përmbajtjes së librit njoftohemi me qëndrimet e diplomacisë britanike dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe me ato të fuqive tjera evropiane të periudhës që trajtohet në veprën e Dautit. Më tutje, Malcolm shprehu respekt për punën e autorit e cila ndriçon situata të rëndësishme të kohës 4 vjeçare që trajtohet në këtë vepër.

 

Poashtu, fjalë të mira për librin e Dautit, në fjalim të rastit shprehu edhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah. Ai u interesua për mundësitë që libri në fjalë të përkthehet në gjuhën angleze për shkak të rëndësisë që do të kishte edhe për opinionin britanik.

 

Në fund të këtij manifestimi, autori Daut Dauti, iu përgjigj një varg pyetjeve të pranishmëve të cilët shprehën interesim të madh për librin e promovuar. 

Kthehu mbrapa

Shto koment