Nji komb që do me u ba

21.11.2012 (komentet: 0)

Argumentet për autonominë shqiptare Nga H.N.Brailsford (artikull i botuem me 29 nandor 1912 në Manchester Guardian, përkthyer nga Ragip Luta)

 



Emni Shqiptar sot nënkupton veç kryengritje, cubni, dhe gjakmarrje. I thatë, grabitës, i veshun me atë kostum me vija që në sytë e mi gjithmonë ma kujton hijeshinë dhe egërsinë e nji tigri, fati e do që ai të paraqitet në imagjinatën e perëndimorëve veç në cilësinë e pjestarëve ma të prapambetun të racës së vet. Udhëtarëve u pëlqen me u ndalë gjatë në aspektin pitoresk të ktyne fiseve veriore gege. Ku tjetër n’Evropë mundet me shpresue njeriu me gjetë rrnesën e Mesjetes, me egërsinë e tyne, folklorin e tyne tradicional, fisnikërinë e tyne, dhe katolicizmin e tyne nominal, të ruejtun , si me thanë, falë borës së maleve? Por në këtë moment kur fati i Shqipnisë asht në pyetje, njeriu e kupton krejt sherrin që mund t'i bahet tue i theksue këto aspekte romantike të jetës shqiptare. Janë veç rajonet pak të banueme të Shqipnisë veriore ku njimend mbizotnon kjo anarki e kontrollueme nga feudalizmi dhe nji kanun nderi. Qendra dhe jugu, megjithëse edhe ato janë shumë larg nivelit të pergjithshëm të qytetnimit ballkanik, janë mbase poaq t’përparueme sa ishin Greqia dhe Serbia kur mbrrijten nji ekzistence të pamvarun. 

Kam njohtë shqiptarë në çdo nivel të kulturës. Nji prej tyne asht studjues që ka shkrue nji ese frëngjisht mbi origjinën e gjuhës që për kah mendjehollësia, qytetnimi e stili kishte me i ba nder enciklopedistave të shekullit tetëmdhetë. Nji tjetër mik shumë i respektuem, i nji rangu ma t’ultë, ka qenë nji cub i dikurshëm që u tregue aq i ndershëm, aq i përpiktë, dhe aq i patrembun sa që e punësuen me bajt shuma t’mëdha ari p'ej nji qyteti në nji tjetër në Maqedoninë e trazueme. Por kur i baj vetes pyetje se çfarë tipi mesatar njimend e përfaqëson shqiptarin tipik të sotit, mendja më shkon te nji skenë e vogël interesante e prekëse në të cilën isha dëshmitar në qytetin e Resnes në Maqedoni. Kisha me e takue mudirin (guvernatorin lokal) turk dhe tue qenë se u tha që e flet veç gjuhen e vet e asnji tjetër, me vete, në rolin e përkthyesit, mora nji shqiptar greqishtfolës. Biseda as që kish nisë mirë kur rrëshqiti nga turqishtja në shqip, se mudiri nuk ishte hiç turk po shqiptar i krahinave qendrore. Biseda u duk se po bahej gjithnji e ma e përzemërt, dhe ajo që m’iritoi ishte se përkthyesi jem si duket e kish harrue punën e përkthimit. Për s'shpejti zyrtari muhamedan, nji djalë i ri i nji familje të fuqishme feudale, nip i njanit prej ministrave ma t’fuqishëm të Sulltanit, u çue n’vend, dhe e përqafoi shoqnuesin tem, nji njeri të thjeshtë me origjinë fshatare, i vorfun, i panjohtun, dhe i krishterë.

Lëvizja për arsim 

Shpjegimi, kur ma thanë, ishte në fillim poaq hutues siç ka me iu dukë edhe lexuesit. Ata nuk e kishin zbulue naj lidhje farefisnore t’largët, e as që kishin qenë miq n’rini, e madje as që i kishin shpëtue jeten njani tjetrit n’fëmini. Ata thjeshtë e kuptuen se që të dy ishin të angazhuem në lëvizjen shqiptare për komb dhe arsim, që ka për simbol, bajrak dhe kushtrim alfabetin e ndaluem shqip. Asht nji lëvizje që i ka rrafshue t’gjitha dallimet, dhe burrat që dikur janë ballafaque me rrezikun e persekutimit apo vdekjes për këtë kauzë takoheshin si vllazën, përkundër të gjitha pengesave të klases dhe besimit. Nji i krishterë ortodoks që guxonte me shkrue e lexue apo (edhe ma keq) me dhanë mësim shqip e jo greqisht e pësonte tërbimin e peshkopëve grekë. Nji muhamedan që përdorte shkronjat shqipe e jo ato arabe, dhe guxonte me u vetdijsue për racën e vet, bahej i dyshimtë për turqit dhe thuejse heretik. Ishte sprovë e karakterit shqiptar që këtë lëvizje, persekutimi e bani me lulzue, dhe në fund u dëshmue si forcë ma e fuqishme se sa tradita dhe autoriteti. Zyrtarin tem mysliman dhe përkthyesin tem t’krishterë i konsideroj si dy tipa të Shqipnisë moderne sepse aq saktë e pasqyronin këtë përpjekje të re, të guximshme e të papërvojë për arsim dhe ekzistencë kombëtare. Asnjani prej tyne nuk ishte njeri i arsimuem. Secili p’ej tyne e dinte veç n’vija t’vrazhdta çka domethanë qytetnimi intelektualisht dhe moralisht. Por që të dy ata kishin dëshirë ta shihnin Shqipninë të qytetnueme e t’bashkueme, dhe vullneti i tyne ishte mjaft i fuqishëm për me i bashkue përtej nji humnere sociale aq të thellë siç mundet me qenë veç n’Lindje. Kur për disa muej të rrezikshëm u duk se me xhonturqit kishte ardhë liria, nji mënyrë në të cilën Shqipnia e shfrytëzoi ate ishte me ba thirrje për shkolla, kolexhe, librari, dhe shtypshkronja, për me e plotsue dëshirën e flaktë për dijeni me anë të gjuhës së tyne të ndalueme e të lanë mbas dore.

Janë këta burra gjysëm t’qytetnuem e prekës e jo njerëzit e egër të maleve veriore të drejtat dhe e ardhmja e të cilëve janë në pyetje sot. Për mue çashtja shqiptare personifikohet në nji qytet me nji emigrant të kthyem nga Shtetet e Bashkueme i cili i harxhoi krejt shpenzimet e veta me themelue bibliotekën e parë publike, në nji tjetër me nji burrë që mblodhi fonde me nisë nji shtypshkronjë, në të tretin me nji mësues jashtëzakonisht të aftë e të drejtë që financoi nji kolegj normal. Ka në këtë racë elemente të karakterit dhe aspiratave që do ta banin nji komb, dhe me këshilla t’urta e bajnë me shpejtësi t’madhe.

Urrejtja e shqiptarëve ndaj serbëve

Prej t’gjitha urrejtjeve të koklavituna që shqiptarët kanë për racat e tjera ballkanike, neveria dhe përçmimi për serbët asht ma e thella. Kanë nji kujtesë të mjegulltë historike të nënshtrimit të tyne ndaj sundimit sllav dhe nji krenari të fortë për pozitën e tyne si racë sunduese të fshatarëve sllavë në Kosovë dhe në zonat kufitare me Maqedoninë si skllavë të tyne. Për ma tepër, çdo shqiptar e di se sa egërsisht janë trajtue vlleznit e tyne në Serbinë e Jugut mbas 1878, kur u zgjanuen kufijt e mbretnisë. Ai që kish me sugjerue se serbët kanë urtinë dhe durimin e duhun për detyrën delikate të sundimit të nji race luftarake dhe të papërkulshme nuk di asgja për serbët, dhe veç injoranca kishte me sugjerue se shqiptarët katolikë të veriut ka t’ngjame me e kalue mirë nën nji fuqi ortodokse. 

Varfnia e vendit dhe mungesa e çdo tradite të qeverisjes së mirë ka me e ba sidomos të vështirë historinë e hershme të nji Shqipnie autonome apo t’pamvarun. Pa nji hua bujare nga Fuqitë apo me nji guvernator a princ me nji dhunti mesatare urtie e takti, eksperimenti vështirë që mund t’fillohet. Por nëse thojmë se asht zgjedhë njeriu i duhun dhe asht pajisë me nji thesar të plotë e me personel t’zot, me plotbesim mundet me u parashikue nji e ardhme brilante për Shqipninë. Ekziston nji lëvizje spontane për arsim. Aty këtu ka qendra si Korça që njimend qysh tani kanë fillue me pasë nji jetë të qytetnueme. Vështirësitë fetare munden lehtë me u shpërfill, sepse muslimanët janë veçanërisht të relaksuem dhe tolerant, ndërsa zonat katolike dhe ortodokse janë të veçueme gjeografikisht. Nuk ka ndonji përziemje të tillë racash si ajo që ka me u shkaktue vështirësi sunduesve të ri në Maqedoni. Nëse zonat kufitare sllave merren nga Liga Ballkanike dhe Epiri jugor i aneksohet Greqisë, pjesa tjetër e Shqipnisë ka nji popullsi homogjene në të cilën element i vetëm i huej janë disa komunitete të kontrollueshme vllehe. Kjo racë, me traditën e saj të mirë të nderit personal, historinë e saj të fisnikërisë dhe trimnisë, instikteve të saj të ndjeshme artistike, dhe dashunisë së flaktë për pamvarsi, vlen me u shpëtue për me e nxanë vendin e vet ne familjen evropiane.

Kthehu mbrapa

Shto koment