Njëzet Orë Mësim Në Javë

18.02.2012 (komentet: 0)

Kur kthehen nga shkolla, fëmijët kosovarë shkojnë nëpër familje ku 62% e të rriturve kanë kryer vetëm nivelin e ulët e shkollimit. Rrjedhimisht kur ata shkojnë në shtëpi, nuk ekspozohen ndaj fjalëve të reja, rregullave gramatikore, matematikës ose fakteve shkencore.

nga  Besa Shahini

Klasat e gjashta në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë e nisin mësimin në orën 7:30 dhe e përfundojnë në ora 12.00. Brenda ditës klasat e gjashta i kalojnë në shkollë katër orë e gjysmë, të ndara në blloqe mësimi prej 45 minutash dhe disa pushime të shkurtra. Duke mos i numëruar pushimet, klasat e gjashta mbajnë 3 orë e 45 minuta mësim efektiv në ditë. Kjo i bie diku 18 orë e 45 minuta në javë. Diku më shumë e diku më pak, përafërsisht, të gjithë fëmijët në Kosovë të cilët shkojnë në shkolla publike mbajnë të njëjtin numër të orëve. 

Sa për krahasim, në vendet si Franca, Rusia, Gjermania, Kanada, fëmijët i kalojnë rreth 30 deri në 40 orë në shkollë.

Kur të shkojnë në shtëpi, fëmijët kosovarë shkojnë nëpër familje ku 62% e të rriturve kanë kryer vetëm nivelin e ulët e shkollimit. Nëpër vendet rurale, 14% të femrave nuk dinë të lexojnë dhe shkruajnë dhe 12.5% kanë aftësi leximi dhe shkrimi që nuk i përmbushin nevojat bazike të jetës (pra nuk dinë të mbledhin dhe zbresin shuma bazike që u nevojiten për pazaret ditore, nuk dinë t’i lexojnë recetat e mjekut etj). Kjo do të thotë se 26.5% të femrave që jetojnë në vendet rurale nuk mund të marrin pjesë në jetën publike kosovare dhe nuk mund t’ju ndihmojnë fëmijëve të tyre me detyrat e shtëpisë, nuk mund të vetinformohen për shëndetin e familjeve të tyre apo të aplikojnë për pasaportë (për më shumë detaje shihni raportin e UNICEF’it “Drejt Lisbonës” 2008).

Rrjedhimisht kur fëmijët kosovarë shkojnë në shtëpi, nuk ekspozohen ndaj fjalëve të reja, rregullave gramatikore, matematikës ose fakteve shkencore. Ky ekspozim ndodhë vetëm gjatë kohës së kaluar në shkollë, pra rreth 20 orë në javë. Në shtëpi ata i bëjnë detyrat e shtëpisë por stimulim të mëtutjeshëm nuk ka sepse nuk është askush në shtëpi që mundet ta zhvillojë një bisedë sfiduese me këta fëmijë në lidhje me literaturën klasike, gjuhët e huaja apo ndonjë zbulim shkencor. 

Pse kjo është e rëndësishme?

Studimet mbi mënyrën se si njeriu mëson dhe zhvillohet thonë se ambienti ku jeton njeriu është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e trurit. Dhe jo vetëm për zgjerimin e diapazonit të diturisë por edhe për zhvillimin biologjik të trurit. Një ambient stimulues i dërgon sinjale ndërtimit tonë gjenetik që t’i zhvillojë pjesët të cilat po stimulohen. Truri i njeriut ka mjaft plasticitet dhe në fakt mund të përmirësohet gjatë tërë jetës së vet. Sidoqoftë, vitet e para të jetës së njeriut janë më të rëndësishmet sa i përket nxënies së hershme dhe përvetësimit të aftësive të rëndësishme për ngritje të mëvonshme profesionale (për më shumë shih librin e David Shenk, “The Genious in All of Us” 2010).

Studimet e ndryshme në SHBA kanë konkluduar se nxënësit që vijnë nga familjet e varfra, të pashkolluara, ku kushtet nuk janë të mira për jetesë dhe mësim, mbesin mbrapa fëmijëve që jetojnë në kushte më të mira. Kjo thjeshtë është funksion i mos ushtrimit të ‘muskulit’ të trurit në të njëjtën mënyrë. Fëmijët që vijnë nga familjet financiarisht stabile, gjatë muajve të verës lexojnë më shumë libra, shohin televizor në gjuhë të huaj dhe flasin më shumë me prindërit e tyre (për më shumë shih librin e Macolm Gladwell “Outliers” 2010). 

Në Kosovë, gjysma e fëmijëve të moshave 0-19 vjeçare jetojnë në varfëri. Ndërsa çdo i pesti fëmijë jeton në varfëri të skajshme (shih raportin e UNICEF-it, “Child Poverty in Kosovo” 2010). Këta fëmijë stimulohen intelektualisht vetëm gjatë kohës kur janë në shkollë (20 orë në javë) dhe shumë prej tyre e ndërpresin shkollimin herët. 

E vetmja mënyrë që të sigurohemi se gjeneratat e reja në Kosovë do të kenë mundësi më të mira se sa prindërit e tyre është që t’i mbajmë ata më gjatë në shkollë dhe në ambient të nxënies së diturisë. Natyrisht, kjo kërkon më shumë shkolla, pagesë më të madhe për arsimtarët që duhet të rrinë më gjatë në shkolle etj. Pra kërkon rritje të konsiderueshme të buxhetit të arsimit. 

Ngritja e fondeve është në fakt problem i vogël. Reforma që duhet të ndodhë në sistemin e arsimit në Kosovë kërkon ndryshim drastik në të menduarit rreth arsimit në Kosovë. Nëse bëhet prioritet që fëmijët të mbahen më gjatë në shkollë, atëherë pushimi veror mund të shkurtohet (deri sa të ndërtohen shkollat e reja dhe nxënësit të mos i përdorin ato me ndërrime). Edhe ashtu, në studimet që janë bërë me fëmijët e varfër në SHBA, është parë se gjatë pushimit veror ata e humbin pjesën kryesore të diturisë së nxënë gjatë vitit të mëparshëm, si rezultat i mos stimulimit intelektual të trurit për dy muaj e gjysmë vere (për më shumë shih librin e Macolm Gladwell “Outliers” 2010).

Por ky është vetëm një sugjerim. Ka shumë gjëra të tjera që mund të bëhen dhe duhet të bëhen. Trajnimi i mëtutjeshëm i arsimtarëve në gjuhë të huaja (Kosova është shumë e vogël që të funksionojë vetëm me gjuhën shqipe), investimi në librari publike ku qasja në libra është e lehtë dhe jo e kushtueshme, etj. Është interesante në fakt se si sa herë që është diskutuar ideja për shkurtimin e pushimit veror me punëtorë arsimi ose shërbyes civilë, janë gjetur me qindra arsye pse kjo nuk është ide e mire, ose pse kjo nuk është e pranueshme. Por, ne nuk kemi llogari të gjejmë arsyetime të mëtutjeshme. Kosova është vend i varfër dhe familja kosovare jeton në kushte të vështira. Fëmijët kosovarë, si rezultat, janë më të pashkolluarit në rajon, e mos të flasim për BE. Dhe me kokëfortësi, sistemi i tanishëm i arsimit po i mban ata aty. Kjo duhet të ndryshojë dhe ky ndryshim duhet të fillojë sot. 

Kthehu mbrapa

Shto koment