Një vepër me pasqyrime besnike të botës sonë shpirtërore…

01.01.2015 (komentet: 0)



Sapo doli nga botimi vepra me tregime e Muhamet Halilit, gazetar gjjilanas, me titull “Fundi i heshtjes”. 

Kjo është vepra e parë e autorit, i cili, në fushën e tregimit ka hyrë papritur duke përcjellë jetën e përditshme si gazetar dhe si krijues.

Vepra në fjalë e autorit ngërthen në vete tema të përditshmërisë sonë, ku autori me lapsin e tij “magjik” godet dhe rrëfen me ironi të mprehtë dukuritë e realitetit tonë ku po jetojmë. Siç dihet, jeta jonë e përditshme është përplot me dramca më të ndryshme të jetës. Këto “pjesë” dramatike të jetës sonë vetëm krijuesi mund t’i pasqyrojë në mënyrë artistike. Pse jo? Ari letrar, por edhe artet tjera, e kanë për obligim pasqyrimin jetës ashtu si është me të gjitha zhvillimet e saj. Edhe vepra tregimtare e M. Halilit po e reflekton nga brenda këtë “dukuri”, e cila është prezente kudo në mesin tonë. Andaj, Avni Rukadu, recensent, duke bërë fjalë për veprën “Fundi i heshtjes” të M. Halilit, ka shtuar se, “ të gjitha temat e nëntemat, tregimtari Halili i instrumentalizon në fonksion të kritikës së fenomenologjisë shoqërore, prej një pozicioni të vrojtuesit të ftohtë dhe neutral, pa i dhënë drejtimin personazheve të tij në tregime, se si do të duhej të vepronte njëri apo tjetri personazh.

Personazhet e Halilit veprojnë, por nuk qortohen sjelljet e tyre. Halili i qorton vetëm pasojat në shoqëri, por nuk pleqëron se si stë sillemi”. Ndërsa, Imer Topanica, recensues, lidhur me veprën tregimtare në fjalë “Fundi i heshtjes” të Muhamet Halilit ka shtuar se, “ky libër jep ndjesinë siksur je para një ekspozite fotografish dhe aty për aty po përballesh me një kolazh të përzgjedhur temash, portretesh, karakteresh, pejsazhesh nga bota e pasur e vendlindjes së tij”. Në këtë vepër tregimtare kemi portretin e fshatarit tonë, ikonoklasikë të realizuar mjaft qartë e mirë brenda rrëfimit, ku na shfaqet edhe mjeku hipokrit, përkatësisht intelektin e rremë të këtij “tipi” që ka krijuar shoqëria jonë.

Pra, vepra e M. Halilit ngërthen një “brumë” interesant të rrëfimeve jo të një kohe të kaluar me gjuhë e personazhe të rëndomta, por kemi të bëjmë me një vepër tregimtare që pasqyron jetën në formë paksa moderne me një kahje pak më ndryshe se të tjerët. Vepra e Muhamet Halilit “Fundi i heshtjes” është e ndarë në pesë kapituj, si janë: Hajmali prej qiellit, Fallxhorët e tokë, Dashuria në shikim të dytë, Tregimet e suksesit dhe, Zori. Në fillim autori i shton këto fjalë: Ky libër u dedikohet njerëzve që nuk kanë rrëfyer akoma për jetën e tyre”. Vepra ka 127 faqe me njëzet tregime. E botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan. /Tefik Selimi /

Kthehu mbrapa

Shto koment