Një shfaqje e bazuar kryesisht në lojën e aktorëve

17.10.2016 (komentet: 0)

Në Teatrin e Qytetit të Gjilanit sonte është dhënë premiera e shfaqjes "Kërkohet një kloun plak", që para shikuesve gjilanas erdhi falë bashkëpunimit mes tri teatrove profesionale nga Kosova (Gjilani), Shqipëria e Maqedonia.

 

 

Ishte kjo një komedi satirike e autorit rumun Matei Visniek me regji të Besfort Idrizit, derisa me rolet e tyre u prezantuan aktorët Sabedin Shahiqi nga Kosova, Alfred Bualoti nga Shqipëria, Bajrush Mjaku dhe Beqir Nuredini nga Maqedonia. Skenografinë dhe kostumet për shfaqjen i ka bërë Enes Deari. Producent Bajrush Mjaku.

 

Kjo komedi me karakter satirik që trajton problemet brenda shqiptare, vë në pah mentalitetin ballkanik edhe ndër ne. Shfaqja "Kërkohet një kloun plak", flet për tre klounë, kolegë të dikurshëm, të cilët pas një kohe të gjatë takohen përsëri, por në një situatë kur ata kishin ardhur për të kërkuar, përkatësisht konkurruar për një vend pune, ku një cirk kërkonte një kloun plak.

 

Dhe, me që, që të tre e donin atë vend pune për veten e tyre, u vu në dukje konkurrenca ndaj njëri – tjetrit, andaj edhe nuk mungonin përpjekjet për t’i bërë lajka dhe dredhi njëri-tjetrit, për të mashtruar kush kë do të mundte, vetëm e vetëm që të heqin dorë dhe të largohen, në mënyrë që ta sigurojnë punën për veten e tyre. Dhe, derisa tre ish kolegët vazhdojnë ndërskamcat mes tyre, vije i katërti që ua merr punën.

 

Përndryshe, shfaqja bazohej kryekëput në lojën e aktorëve pa u ngarkuar me elemente tjera përbërëse të një shfaqje dhe në këtë drejtim u shpërfaqë talenti dhe përvoja që kishin që të gjithë aktorët në skenë si: Sabedin Shahiqi, Bajrush Mjaku, e mbi të gjitha Alfred Bualoti, që e kënaqën publikun me lojën e tyre të mirë, andaj edhe herë pas herë merrnin duartrokitje nga publiku. /2L ONLINE/




Kthehu mbrapa

Shto koment