NJË PËRMENDORE LETRARE SHKOLLËS SHQIPE NË KOKAJ

13.10.2018 (komentet: 0)

 

Në veprimtarinë e dytë me radhë të Manifestimit me kohëzgjatjen më të madhe në Kosovë, edicionin e nëntë të "Vjeshtës letrare të Gjilanit", organizuar nga Ars Clubi "Beqir Musliu", u përurua romani i parë i Halit Halitit, bashkëkombas i yni që jeton, vepron dhe krijon në Zvicër qe tri dekada.

Për vlerat e lirbit folën Ilmi Rexhepi, në cilësinë e redaktorit, Nexhat Rexha, si kritik letrar e Abdylhakim Shaqiri. Fragmente nga libri deklamoi artistja e skenës, Xhezide Selimi, kurse veprimtarinë letrare përuese e udhëhoqi bashkë me një fjalë hyrëse, Sabit Rrustemi, drejtues i Ars Clubit "Beqir Muysliu".
Libri i parë i profesorit të orientalistikës, Halit Halitit, u tha se është një dokumentim besnik, i shkruar në vetën e parë, për ngritjen e një shkolle në gjuhën shqipe gjatë viteve gjashtëdhjeta në fshatin Kokaj, thellë maleve të Karadakut, në lindje të Gjilanit, ku autori, përmes një rrëfimi edhe në detaje, i ngrit një përmendore letrare kësaj foleje që vazhdon të përhapë dritë e dije akoma.
Kjo veprimtari, si dhe Hapja e edicionit të nëntë të këtij Manifestimi, u zhvillua në Bibliotekën e re të qytetit, përkatësisht në Sallën e Konferencave.
Veprimtaria vijuese e "Vjeshtës letrare të Gjilanit mbahet më 27 tetor ku siç është paraparë, do të përurohet vepra më e re publicistike e z. Izmi Zeka, aktualisht z.ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment