Një monografi gjithëpërfshirëse për Gjilanin me rrethinë..

03.12.2012 (komentet: 0)

“Askush s’e do vendlindjen pse është e madhe, por pse e ka vendlindje”, tha dr. Mehmet Halimi, redaktor i monografisë së Gjilanit.

 

 

Nga Tefik Selimi

As një vend e popull nuk mund të identifikohet pa ndonjë dokument të shkruar. Kjo është fakt. Pse jo? Libri është dokument për një qytet apo vendbamim të një populli. Është “letërnjoftimi” i parë i atij vendi apo rrethine. Dhe, kur identifikohet ai qytet apo ai vend, sikur njeriu i ka të gjitha të dhënat shkencore: traditat e popullit, historia e tij, gjeografia, arsimimi, kultura e të gjitha fushat tjera në rrafshin historiografik e kombëtar. Pa këtë “biografi” të parë, askush nuk do të dinte për qytetin, të kaluarën e popullit, të cilat të dhëna flasin qartë e lehtë për atë vend e atë  popull. E, Gjilani, mu në vigjilje të festës kombëtare, 100-vjetorit të Pavarësisë, e përuroi monografinë me titull: “Gjilani me rrethinë”, që ëshë një libër i punuar prej një grup autorësh e specialistësh të zgjedhur të shumë fushave të dijes e të punës. Përurimi i kësaj monografije ishte madhështor. Ky solemnitet u organizua në KK të Gjilanit, ku u bë prezentimi i ekzemplarëve të parë të kësaj biografie të Gjilanit me rrethinë, në prani të shumë historianëve, njerëzve të jetës publike, autorë dhe artdashës të tjerë të librit monografik. Mr. Tahir Arifi, profesor dhe studjues, tha se, sot është festa e qytetit, Gjilanit, e cila festë lidhet jo vetëm me Nëntorin e madh Shqiptar, por edhe me përurimin e monografisë së këtij qyteti. “E ndjej vetën shumë të privilegjuar që po filloj “diskutimin” për këtë përurim të monografisë “Gjilani me rrethinë”, të cilën e quaj “biografi” historike dhe e plotë të Gjilanit me rrethinë. Është një punë e kurërorëzuar me sukses”. Pastaj, fjalën e mori i pari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili tha se, ishte ideja jonë për një “ngjarje” të rëndësishme dhe përkushtuese trivjeçaare, e cila punë, sot e pa dritën e botimit. “Kjo punë e frytshme u bë nga disa “ekspertë” të fushave të dijes, si: ekonomia, historia, kultura, sporti, shëndetësia, gjeografia, zejtaria, arkeologjia, arkitektura,  e të tjera, që, për mua, kjo është një fitore e popullit që ka një “dokument” gjithëpërfshirës të dijeve të kësaj rrethine të Anamoravës. Më në fund, puna u kurorëzua me një letërnjoftim të qytetit tonë. Kjo është e rëndësishme. Tani Gjilani e ka monografinë e vetë, e cila i ka munguar kaherë këtij qyteti me një historik prej rreth 300 vitesh e më shumë. Dhe, s’ka më bukur se i huaji apo edhe yni që nuk do të hamendet të mësojë për qytetin e Gjilanit, por ai këtë “materje” do ta gjejë të plotë dhe me shumë të dhëna argumentuese. Është një libër monografik “kapital”, që lirisht mund ta quajmë edhe libër monument, ku njerëzit do ta shfletojnë e do të mësojnë, por edhe do të studjojnë më bindshëm për këtë qytet në fjalë. Në anën tjetër, lindi ideja nga puna praktike e jetës. Pse jo? Koha po kalon dhe të gjitha ato vlera shpirtërore e dokumentare, të cilat po ruhen me gjelozi në popull, ato duhet të shkruhen dhe të mbeten në një “biografi” për të dalur në dritë të vërtetë. Mos të mbetet historia, gjeografia, ekonomia, kultura apo edhe fushat tjera pa u shënuar që e kanë një histori të hershme të jetës së tyre. E dyta ishte se, Gjilanit i ka munguar një monografi e tillë, ku autorët bënë punë të kujdesshme për ti hudhur “sendet” që janë me interes për të gjithë ne. Por, do të shtoja se, pa angazhimin e autorëve, kjo monografi nuk do ta shihte dritën e botimit. E them edhe një gjë, se nuk ka punë të përkryer. Edhe kjo monografi ka lëshime të vogla, por ato “pengesa” do të eleminohen me kohë”. Fjalën e mori redaktori, dr. Mehmet Halimi, i cili, në fjalët e para, tha: “O burra, sot po i shënojmë dy data të mëdha historike e madhore. E para, se po shënojmë ëndrrën 100-vjeçare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe, e dyta, po e kurorëzojmë një punë madhore, që e kemi sot në dorë, përurimin e projektit trevjeçar të monografisë për Gjilanin. Një monografi me përmasa të këtilla themelore deri më tani i ka munguar Gjilanit, sepse edhe burimet jo vetëm që kanë qenë të mangëta e të pamjaftueshme, por edhe rrethanat politiko-cenzuruese një punë të këtillë me ligje moniste e shoviniste e kanë bërë të palejushme. Mongrafia në fjalë, ofron informaion të ngjeshur e sintetik, shkurt, saktë e qartë, pa hyrë e pa u zgjeruar në imtësi e hollësi, që janë jashtë qëllimit parësor, e nuk përkojnë me natyrën e saj. Është pra, kjo një monografi gjithëpërfshirëse, që prek e ndjek çështje, që përcjell fakte e argumente, të cilat i trajton e analizon, i hulumton e studion të gjitha këndet e jetës në rrymë të moteve e shekujve të banorëve të kësaj komune me rrethinë, sepse “arkë e arkeologji është toka jonë, që i ka ruajtur shume dokumente të historisë sonë të mbuluar nën dhe”, e që kanë pritur të studiohen sot në dritën e argumenteve shkencore nga ekspertë tanë vendorë, sepse dihet se deri më tani historinë tonë e kanë shkruar të huajt”. Ai shtoi edhe këtë se, “kjo trevë dha burra të mëdhenj të kombit, të cilët luftuan pareshtur me guxim e vendosmëri, duke dhënë gjëjën më të shtrenjtë e më të shenjtë, jetën e tyre si luftëtarë besnikë e si dëshmorë e heronj, siç ishin: Idriz Seferi, Lot Vaku, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Halimi, myderriz Haki Sermaxha, Halim Orana, Esat Berisha, Jusuf Ibrahimi, Raif Halimi, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Abdullah Tahiri  e shumë të tjerë. Pra, Gjilani pa këtë monografi do të ishte si pa emër. Tani e ka monogrfinë dhe ky qytet, por e ka edhe letërnjoftimin e vet historik”. Po në përurimin e monograisë në fjalë, fjalën e mori edhe Aliriza Selmani, anëtar i redakisë dhe profesionist i lëndës së historisë. Ai, qysh në fillimi reagoi rreth stafit të redaksisë së këtij libri monografik, i cili tha se, të gjitha punët që i kemi bërë gjer më tani, janë proçesverbalet e takimeve tona të shumta.”Bëmë projektin dhe morëm obligimet sipas marrveshjes me mundësi që për lëmi të caktuara të kërkojmë ndihmë nga disa kuadro të komunës sonë dhe më larg. Në fillim patëm pak mospajtime, por, si një, ishim të pajtimit që monografia “Gjilani me rrethinë” do të duhej të dali sa më e kompletuar dhe të jetë sa më cilësore. Kjo ishte puna e parë jona. Dhe, kjo punë filloi të ngjallej tek secili anëtar i redaksisë, në mënyrë që ky libër madhor të shpejtohet dhe ta sheh dritën e botimit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Doli edhe diskutimi publik, por pati edhe vërejtje me vend, por ishin edhe pa vend. Me fjalë të tjera: “Buka që piqet shpejt, nuk del e mirë”. Edhe kjo monografi doli, por e ka rëndësinë e madhe dhe, ato “defekte” që i ka, pas do kohe mund të evitohen. Siç po vëreheni, pas peripetive katër vjeçare u finalizua Monografia për komunën e Gjilanit, të cilën po e përurojmë sot në ditën më të madhe të kombit tonë, në 100 vjetorin e bërjes shte, Shqipërisë.  Dr. Tefik Basha, anëtar i redaksisë, tha se, të shkruash një monografi,  si është kjo, është përgjegjësi e madhe. “Gjilani, si një qytet me histori të hershme, i është dashur kaherë një monografi me karakter të përgjitshëm. Pse jo? Monografitë janë letërnjoftime, hyrja e parë e një qyteti e një populli. Hapësira e Gjilanit është mjaft specifike. Kjo i jep një portretizim këtij qyteti dhe kësaj treve të Anamoravës. Puna ishte e rëndë. Por, pati edhe probleme serioze. E dijmë se shumë të vërteta janë mëshehur nga pushtuesi i gjer djeshëm. Edhe kështu e botuar, monografia doli dhe drita e saj do të shkëlqejë nga sot e pëgjithmonë. Dalja e saj në vigjilje të 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar, e ka domethënien e madhe. Është datë monument për shqiptarët kudo që janë”. Ndërsa, dr. Sabri Tahiri, anëtar i redakisë së monogrfisë tha se, jam me profesion matematicient. Edhe unë jam së bashku me kolegët të shkruajmë vetë këtë “dokument” për qytetin tonë. Pra, e ndriçuam një punë të hershme dhe një kohë të kaluar që pak është shkruar për te. Pra, pati herrje dhe korrigjime të punës shkrimore, por, ajo që u shkrua, ajo u bë me një shkrim të përkushtuar dhe me një gjuhë. Dhe flet mjaft për këtë përvjetor të madh Shqiptar. Për punën e vëllimshme dhe të mundimshme që është bërë në mbledhjen dhe sistemin e materialit, deri në finalizimin e tij, kanë folur edhe përgjegjësit e seksioneve, Aziz Mustafa, Refik Kryeziu dhe të tjerë, të cilët nënvizuan faktin se  “Gjilani me rrethinë” është një vepër e çmueshme që ka buruar nga mendja dhe zemra e gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij ekipi të madh. Promovimi i monografisë është bërë në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë dhe të ditës së Flamurit. Në fund të kësaj feste të Monografinë “Gjilani me rrethinë”, kryeredaktori, dr. Mehmet Halimi ia dorëzoi ekzemplarin e parë kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa dhe tha:”Para se ta dorëzoj z. kryetar ekzemplarin e parë, po e puthi këtë projekt madhor, i cili, për të gjithë ne është libër i shenjtë për Gjilanin dhe rrethinën e saj. Uroj ta ruajmë këtë begati të madhe të punës dhe kurorëzimit të këtij projekti kapital, i cili është letërnjoftimi i parë historik i qytetit, Gjilanit”.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment