Një lindje e vështirë

03.10.2012 (komentet: 0)

Nicola Guy: The Birth of Albania - Ethnic Nationalism, the Great Powers of World War I and the Emenrgence of Albanian Independence.

Shtëpia botuese I. B. TAURUS ka vazhduar botimin e veprave të cilat për temë kanë Ballkanin në qendër të së cilës është çështja shqiptare. Botimi më i ri i kësaj shtëpie është “The Birth of Albania” (Lindja e Shqipërisë).

 

 

Daut Dauti
Daut Dauti

 

Materiali është i vendosur në tetë kapituj që shumica e tyre përqendrohen nga fillimi i luftës ballkanike (1912) që qoi në shpalljen e pavarësisë, Konferencës së Londrës (1915) që rezultoi me Paktin e Londrës dhe Konferencës së Paqes në Paris (1919) që rezultoi me krijimin e Ligës së Kombeve dhe njohjes së pavarësisë së Shqipërisë.

Libri fillon me lindjen e nacionalizmit shqiptar dhe vënien në pah të gjuhës (shqipe) si elementin kryesor që forcoi kombin shqiptar. Pas shpalljes së pavarësisë pason periudha e përzierjes së Fuqive të Mëdha për të ushtruar ndikimin e tyre, duke marrë pjesë në formë të deleguar në dobi të fqinjëve të Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha, duke pasur parasysh ruajtjen e interesave të tyre, por edhe të shteteve që i përkëdhelnin, vendosën kufijtë që ka sot Shqipëria. Pastaj vjen radha e ekzekutimit të “eksperimenteve me vetëqeverisjen e përkohshme apo të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe Princ Vidit” - siç shprehet autorja.

Kaptinat në vijim, në mënyrë autoritative, shpjegojnë periudhën kur Fuqitë e Mëdha, gjatë viteve 1914-1915, tentonin ta ndanin apo ta copëtonin edhe atë Shqipërie që kishte mbetur. Një gjë e tillë në Shqipëri krijoi një anarki nga e cila rezultoi okupimi nga këto forca. Siç shpjegohet në këtë libër, këto forca u detyruan të largoheshin, kurse në Konferencën e Paqes në Paris, përkundër shumë problemeve, u vërejt se njohja e pavarësisë së Shqipërisë ishte fakt i paevitueshëm. Por, autorja bënë me dije se njohja e plotë e shtetit shqiptar u bë gjatë viteve 1920 deri më 1926, vite këto që shënuan mbajtjen e Konferencës së Ambasadorëve në Paris, e deri te aktivitetet e fundit të Ligës së Kombeve në njohjen definitive të shtetit shqiptar.

Ndoshta fjalët e para që duhet thënë për këtë vepër janë po ato fjalë të mira që u thanë me rastin e promovimit në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, më 16 maj. Siç shihet edhe nga titulli i librit, qëllimi i autores së kësaj vepre është shpjegimi historik i pavarësimit dhe themelimit të shtetit shqiptar. Rasti i pavarësimit të Shqipërisë paraqitet si një lindje shumë e vështirë e një shteti evropian që po dilte nga rrënojat e Perandorisë Otomane. Madje, siç vërteton autorja, Fuqitë e Mëdha u sollën aq keq me njohjen e Shqipërisë dhe vendosjen e kufijve të saj sa që edhe sot çështja nacionale shqiptare është e pazgjidhur.

Ky libër është rezultat i një pune të palodhshme hulumtuese dhe serioze. Strukturimi, përmbajtja, referencat dhe mënyra e të shkruarit janë të një niveli të lartë akademik. Kjo vepër është një zgjerim i tezës së doktoraturës së autores. Siç na e bënë me dije edhe autorja, libri është formësuar nën kujdesin e disa akademikëve.

Shumë autorë që janë angazhuar në temën e pavarësisë së Shqipërisë, ngjarjet i shpjegojnë duke filluar nga viti 1908 kur shqiptarët u ngritën për të luftuar për herë të fundit kundër Perandorisë Otomane. Nicola Guy, natyrisht që punën kryesore e koncentron në vitin 1912 dhe viteve përreth, por problemin e lindjes së Shqipërisë e kapë disa hapa më herët, që nga zanafilla, që është formimi Lidhjes së Prizrenit. Kongresi i Berlinit që u mbajt në vitin 1878 dhe themelimi i Lidhjes së Prizrenit që ndodhi gjatë po atij viti, shënuan nisjen e zhvillimit të vrullshëm të nacionalizmit shqiptar i cili vetëm pas më shumë se tri dekadave do të shënonte sukses në krijimin e shtetit. Megjithatë, siç e paraqet autorja, fryti i nacionalizmit shqiptar është vetëm pjesërisht i suksesshëm pasi që nuk pati mundësi që t’i fuste brenda kufirit as gjysmën e tokave që i takonin.

Nicola Guy këtë “dështim” të nacionalizmit shqiptar e ka shpjeguar në mënyrë të duhur, duke dhënë fakte se krijimi i Shqipërisë, në mënyrë të domosdoshme, ishte rezultat i përzierjes së interesave të Fuqive të Mëdha. Të gjitha shtetet tjera ballkanike pas Luftës së Parë Botërore u zgjeruan edhe një herë në dëm të Shqipërisë e cila doli e “pavarur” por e sakatosur. Autorja bënë me dije duke e vërtetuar faktin se situata ka mund të jetë edhe më keq. Shqipëria ka mund të pavarësohej me një territor edhe më të vogël se që ka sot apo të mos pavarësohej fare pasi që territori i saj do të ndahej nga fqinjët agresivë të cilët i zgjeronin orekset duke qenë të shtyrë nga mbrojtësit e tyre siç ishin Rusia dhe Franca apo edhe Italia dhe sidomos Britania e Madhe që luante rolin e sehirxhiut.

“The Birth of Albania” me siguri është libri i parë që në mënyrë të thellë dhe analitike paraqet përfshirjen e politikës zyrtare britanike në çështjen e njohjes së pavarësisë së Shqipërisë. Nicola Guy bënë më dije se qeveria britanike deri në vitin 1921 refuzoi ta njihte Shqipërinë e pavarur. Qëndrimi i kësaj politike, të cilën autorja e quan revizionizëm britanik, theksonte se pranimi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve nuk do të thoshte automatikisht njohje edhe nga Whitehall. Pozita zyrtare britanike insistonte që Shqipëria të njihej pas përcaktimit dhe njohjes së kufijve. Këtu bëhet me dije se politika e Londrës dhe e Fuqive tjera ishte sikur politika armiqësore që kishte Jugosllavia për Shqipërinë. Një qëndrim i këtillë i britanikëve ushqente ëndrrat ekspansioniste të fqinjëve të Shqipërisë. Për shkak të kësaj politike qeveritë shqiptare qenë vënë në pozitë të pazakonshme por edhe të rrezikshme në relacion me sistemin e Fuqive të Mëdha.

Papritmas qeveria britanike ndryshoi këtë strategji. Më 20 prill 1921, Markezi Curzon (sekretari i jashtëm britanik gjatë viteve 1919- 1924) e kishte njoftuar ambasadorin italian, Martino, se Londra kishte formësuar qëndrim të njëjtë me Romën dhe kishte vendosur ta njihte Shqipërinë për shtet të pavarur.

Autorja thekson se arsyeja e ndryshimit të shpejtë të qëndrimit britanik natyrisht që ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Por, këtu bëhen me dije edhe disa arsye shtesë. Sipas saj, William Bland dhe Ian Price kishin theksuar se pas zbulimit të naftës në Shqipëri që ishte bërë nga gjeologët italianë dhe austriakë, filloi të qarkullonte propozimi se koncesionet do t’i jepeshin kompanisë britanike e cila atëherë quhej Anglo-Persian Oil Company. Dhe kështu ndodhi. Londra e njohu pavarësinë e Shqipërisë kurse disa ditë më herët (25 mars) ishte nënshkruar marrëveshja në bazë të së cilës qeveria shqiptare ia jepte të drejtën ekskluzive kompanisë Anglo-Persian për hulumtim dhe eksploatim të naftës në tërë territorin shqiptar.

Natyrisht që ekzistojnë edhe arsye tjera që ndikuan në ndryshimin e politikës së jashtme britanike ndaj Shqipërisë. Arsye mund të ishte edhe humbja e Venezillosit në zgjedhjet e Greqisë (1921) gjë që krijoi kushtet për kthimin e mbretit Konstantin. Autorja me të drejtë thekson se britanikët filluan të mos e ndihmojnë Greqinë pa rezerva siç kishin bërë deri atëherë. Pastaj, Londrës i duhej të ishte e përfshirë në Shqipëri në mënyrë që ky shtet i ri të mos dominohej tërësisht nga Italia.

Megjithatë, ky nivel i përfshirjes së politikës britanike nuk ishte i mjaftueshëm dhe i drejtë. Britanikët edhe pas pavarësimit të Shqipërisë vazhduan gati çdoherë të mbanin anën e shteteve fqinje të Shqipërisë pa ndonjë rezervë dhe pa u hamendur nëse në ndonjë rast krijoheshin vështirësi për Shqipërinë. Kjo politikë, për fat të keq, vazhdoi deri në vitin 1997 kur në pushtet erdhën laburistët të cilët në krye me Toni Blerin filluan të formësojnë politikë reale ndaj Ballkanit brenda së cilës Londra e ndryshoi qëndrimin në favor të shqiptarëve por edhe në favor të britanikëve.

Kthehu mbrapa

Shto koment