Një libër me vlerë për një periudhë të rëndësishme të shqiptarëve

16.01.2016 (komentet: 0)

Magjistër Enver Sadiku ka sjellë për lexuesin një libër me vlerë për historiografinë tonë “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913”, libër që u promovua sot në Gjilan.  E, për të, folën Fehmi Rexhepi, redaktor i librit, Fitim Rifati e Aliriza Selmani recensentë, si dhe Naim Musliu nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan.

 

 

Prof, dr Fehmi Rexhepi, redaktor i librit në fjalë ka thënë se libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” me autor magjistër Enver Sadiku, është një studim i parë serioz dhe një kontribut i madh për ndriçimin e një periudhe të rëndësishëm për shqiptarët. Sipas tij, Sadiku ka bërë një punë të madhe duke na e sjellë një libër bazuar në fakte historike e cila do ta pasurojë historiografinë tonë , një studim i dobishëm sidomos për këtë anë.

 

Rexhepi duke folur për kapitujt e librit tha se libri ka ktë strukturë, parathënia hyrja, pesë kapituj dhe përfundimin. Kapitujt e këtij libri janë: 
“Gjilani me rrethinë në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912”
“Marrëdhëniet ndërkombëtare para Luftës së Parë Ballkanike”
“Gjilani me rrethinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike”
"Pushtimi i Gjilanit me rrethinë nga ushtria serbe”
“Gjilani me rrethinë gjatë Luftës së Dytë Ballkanike”

 

Redaktori i librit Fehmi Rexhepi pret që ky libër të shërbejë edhe për të tjerët që dëshirojnë të hulumtojnë tutje këtë fushë, derisa vlerësojë edhe faktin se libri është i pasuruar bollshëm edhe me burime të shumta, fotografi, faksinime, dokumente, harta... si dëshmi që autori ka bërë një punë studimore tejet serioze.

 

Ndërsa recensenti Fitim Rifati historian tha se libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i Enver Sadikut, është një studim monografik, një vepër që mbështetet në argumente të bollshme shkencore, një vepër që fuqizon dëshmitë e shumta për rezistencën e shqiptarëve të kësaj ane dhe për mizoritë serbe.

 

Rifati ka thënë se me gjithë qëndresën heroike në Luftërat Ballkanike, shqiptarët e këtyre trevave përjetuan dhunë e gjenocid nga pushtuesi serb, fakt të cilën Enver Sadiku me këtë libër, ka arritur ta dokumentojë me të dhëna të qëndrueshme të mbështetura në burime e ilustrime relevante të panjohura deri më sot.

 

Ndërsa historiani Naim Musliu, nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan, në fjalën e tij u shpreh se terrori dhe dhuna serbe dhe masakrat ndaj shqiptarëve janë faktuar në këtë libër, që duhet të vlerësohet edhe për argumente të shumta që janë sjellë aty për ta ndriçuar atë periudhë të historisë, derisa edhe recensenti tjetër i librit Aliriza Selmani tha se Sadiku ka sjellë një libër shumë më vlerë për faktin se trajton një periudhë shumë të rëndësishme, por edhe shumë të rëndë për shqiptarët. Selmani tha se libri, i cili për nga faqet nuk është voluminoz, në fakt është tejet me vlerë sepse është real, i bazuar në fakte e argumente që autori i ka hulumtuar duke sjellë një studim serioz të bazuar në dëshmi e dokumente.

 

Ndërsa, vet autori Enver Sadiku, e ka vlerësuar kontributin e secilit, që ka ndihmuar që ky libër ta sheh dritën e botimit, ndërsa ka vlerësuar se me këtë, vetëm ka dhëë një kontribut të tij, në nderim të të gjithë të rënëve për lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë.

 

Përndryshe, ky është libri i parë i Enver Sadikut dhe është botuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ndihmuar financiarisht nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment