Nis zyrtarisht “Flaka e Janarit” - homazhe të varrezat e dëshmorëve

12.01.2013 (komentet: 0)

Gjilan – Me nderimin për dëshmorët në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gjilan edhe ka nisur zyrtarisht manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2013”. Qemajl Mustafa, Ahmet Isufi dhe Ahmet Daku thanë se Flaka..duhet të përkujtohet me dinjitet dhe pietet të lartë. Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2013” ka nisur të premten zyrtarisht me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan. Familjarë të dëshmorëve, veteran të luftës, ish ushtar e komandant, përfaqësues të institucioneve komunale e qendrore kanë vendosur kurora lulesh në kompleksin e dëshmorëve në Gjilan.


Qemajl Mustafa, Ahmet Isufi, Liburn Aliu, Salije Mustafa, Shemsi Syla, Izmi Zeka, Zenun Pajaziti, Ahmet Daku e figura tjera politike e ushtarake kanë vendosur kurora lulesh.

Qemajl Mustafa tha për rajonipress se Flaka.. tashmë është manifestim gjithëkombëtarë pasiqë edhe zyrtarisht ka hyrë në agjendën e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit. 

Mustafa tha se vet fakti që ky manifestim i dedikohet të gjithë të rënëve dhe dëshmorëve e ka peshën e vet kombëtare e atdhetare dhe jemi përpjekur që edhe këtë vit ta shënojmë me shumë aktivitete e programe të larmishme, ku do marrin pjesë edhe mysafirë nga trevat shqiptare.

Mustafa tha se këtë vit janë eliminuar disa lukse, si dreka e darka, por do të nderohen mysafirët dhe ata që kanë dhënë shumë për këtë ditë.

Kurse Ahmet Isufi ish komandant i Zonës Operative të Karadakut tha se kjo ditë është e madhe dhe e veçantë sepse nga këtu dhe nga këta emra të lirisë nisë edhe kushtrimi për luftën heroike e çlirimtare. “Ishin Rexhep Mala e Nuhi Berisha e Kadri Zeka ata që e dhanë kushtrimin për të vazhduar me gjeneratat e reja. Është ditë dhembje, por edhe krenarie” tha Isufi . 

Isufi tha se duhet të punojmë më shumë sepse familjet e dëshmorëve meritojnë një përkujdesje më të madhe institucionale. “Të mos përfundohet kompleksi i dëshmorëve tash e dy vite kjo vërtet është për të ardhur keq” tha Isufi.

Kurse Zenun Pajaziti deputet tha se është i lumtur që tani “Flaka e Janarit” po merr edhe një përkujdesje më të madhe institucionale e shtetërore qeveritare”.

Ahmet Daku nga shoqatat e veteranëve të luftës tha se me pietet të madh i përkujtojnë dëshmorët dhe të rënët e luftës për liri.

Ndryshe programi i Flakës është i pasur dhe nisë që nga e dita e premte më 11 janar ku starton me Festivalin e Muzikës për Fëmijë “Xixat e Flakës” si dhe Turneun e Futbollit “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”

Në natën e dytë më 15 janar “Flaka e Janarit 2013” vazhdonte Koncertin e Muzikës Folklorike, “Folk Flaka” për të vazhduar tutje me 17 janar me Akademinë e “Flakës...” dhe ekspozitën e arteve pamore “Peneli i Flakës”.

Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, është një tjetër avitet kulturor që pritet të sjellë gjallëri dhe publik në këto net të janarit . Nga datat 19 deri më 23 janar për çdo natë do të ketë nga një shfaqje.

Me 24 janar do të zhvillohet “Pena e Flakës”, ku do të bëhet shpallja e rezultateve të konkursit letrar në poezi dhe tregim të shkurtër si dhe me Orën e madhe letrare.

Me 25 janar parashihet të jepet një program i muzikës popullore “Fest Flaka’.

Flaka e Janarit simbolizon jetën kulturore të qytetit të Gjilanit i cili gjithherë ka ditur të jetë mikpritës i vlerave të mirëfillta bashkëkohore letrare, krijuese, arsimore, sportive etj./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment