Ngritën dyshime se Ministria e Arsimit planifikon zhvatjen e prindërve

19.01.2014 (komentet: 0)

Kur në Kosovë kemi dy operatorë të telefonisë mobile, kur kemi shtrirje të internetit pothuaj se në tërë territorin e vendit, kur pjesa dërrmuese e popullsisë është përdorues i telefonave të mençur dhe komunikon me shërbimet falas të Viber’it, Tango’s, Skype, rrjeteve sociale dhe e-mailat, Ministria e Arsimit të Kosovës ka shpikur një mënyrë për të nxjerrë 1 euro në muaj nga xhepi i secilit prind të më shumë se 400 mijë nxënësve kosovarë – në emër të kontaktit të prindërve dhe shkollave përmes mesazheve në telefonin mobil.

 

Pas publikimit të shkrimit të Express “Ngritën dyshime se Ministria e Arsimit planifikon zhvatjen e prindërve”, në profilin e saj në facebook ka reaguar edhe deputetja e LDK’së, Alma Lama. “Shumë e vërtetë. Ky është projekt për të vjedhur prindërit pasi komunikimi i meshuesve me prindërit në lidhje me rezultatet apo sjelljet e fëmijëve është pjese e punës së tyre”, shkruan Lama.

Ajo madje ka publikuar edhe një letër që shkollat tu kenë dërguar prindërve për këtë projekt.

Ngritën dyshime se Ministria e Arsimit planifikon zhvatjen e prindërve

Një kompani kroate kishte lidhur kontratë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të drejtuar nga njeriu i PDK’së, Ramë Buja.

Kontrata me kompaninë “aiKATE” nga Zagrebi i Kroacisë e nënshkruar nga Darko Separeviç dhe nga MASHT’i e firmosur nga Ministri Buja përfshinë për ofrimin e shërbimit SMS Flexy-S. institucioneve arsimore të Kosovës, apo thënë ndryshe, prindërit parapaguajnë për këtë shërbim nga 1 euro për secilin fëmijë dhe nga shkolla për çdo muaj marrin përmes ueb shërbimit deri në 10 SMS si njoftime për fëmijën e tyre.

Por për shoqërinë civile dhe disa prindër, krejt kjo punë ngjanë më shumë na zhvatje.

Avni Zogiani, drejtor ekzekutiv në organizatën për kundër korrupsion “ÇOHU!”, thotë që ky veprim është zhvatje e prindërve nga ana e MASHT’it.

“Prokuroria ish dashur që sot të merret me këtë kontratë”, ka thënë Zogiani, për Express.

Gazeta Express ka këqyrur për këtë kompani dhe e njëjta del që të mos ketë as ueb-faqe të veten, derisa kjo kompani, “aiKATE” nuk është gjetur e regjistruar as në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në Kosovë pa çka nuk mund t’i nënshtrohet vjeljes së tatimeve në fitimet që do të ketë nga kontrata me Qeverinë e Kosovës të përfaqësuar nga MASHT.

Gazeta ka gjetur se për këtë proces, të lidhjes së kësaj kontrate, nuk ka pasur as tender publik. Krejt këto i pranon Ministri i Arsimit, njëherit nënshkruesi i kësaj kontrate, Ramë Buja.

“Duhet të sqarojmë që ky është një projekt jo-obligativ. Pra, ata prindër që duan paguajnë që të njoftohen për rrjedhat e mësimit të nxënësve të tyre, e ata që nuk duan nuk paguajnë. Nuk ka pasur tender publik, pasi që kompania kroate është parazgjedhur për një pilot-projekt dhe ka dal të jetë e suksesshme prandaj është vazhduar me këtë kontratë”, thotë Buja për Express.

Ai ka thënë se deri te ky projekt ka ardhur “me sugjerimin e ekspertëve të arsimit”, pa përmendur emra, ka hedhur poshtë çdo mundësi që dikush në ministrinë që drejton ai të ketë lidhje me këtë kompani, por edhe ka garantuar që asnjë prind nuk do të detyrohet që të paguaj këtë shërbim nëse nuk e dëshiron atë. Madje nuk e përjashton as mundësin e ndaljes së këtij projekti nëse nuk tregohet efikas.

Por Avni Zogiani nga Organizata “ÇOHU!” thotë se megjithëse projekti është opsional, jo-obligativ me letra, ai në praktikë do të bëhet obligativ.

“Ne kemi parë që këto projekte bëhen obligative në praktikë. Kemi parë që as revistat “Pioneri” a “Mollë Kuqja” e revista tjera nuk ishin obligative me letra, por në fakt prindërit detyroheshin ti blinin ato, pasi që kjo u kërkohej nxënësve nga mësuesit ose drejtuesit e shkollave të tyre”, thotë Zogiani dhe shprehet i bindur se me këtë projekt do të detyrohen prindërit që të paguajnë për kompaninë kroate.

Një prind që është lajmëruar në redaksinë e Express. M.I. thotë që ky projekt është zhvatje.

“Shuma prej 1 eurosh në muaj nuk është e papërballueshme, por mënyra se si na u ofrua kjo kontratë dhe ky projekt është zhvatje. Kur në Kosovë kemi dy operatorë të telefonisë mobile, kur kemi shtrirje të internetit pothuaj se në tërë territorin e vendit, kur pjesa dërrmuese e popullsisë është përdorues i telefonave të mençur, dhe komunikon me shërbimet falas të Viber, Tango’s, Skype, rrjeteve sociale dhe e-mailat, Ministria e Arsimit të Kosovës ka shpikur një mënyrë për të nxjerrë 1 euro në muaj nga xhepi i secilit prind të më shumë se 400 mijë nxënësve kosovarë – gjoja në emër të kontaktit të prindërve dhe shkollave përmes mesazheve në telefonin mobil”, shprehet ky prind.

Ndryshe, në komunikatën e MASHT për nënshkrimin e kësaj marrëveshje thuhet se “ky shërbim u mundëson përfshirje aktive të kontaktit të prindërve dhe shkollave të cilët përmes mesazheve në telefonin mobil të ueb-it do të marrin me kohë informacionet në lidhje me obligimet shkollore”.

Qëllimi kryesor këtij projekti, sipas MASHT’it, është për të forcuar kontaktet prindër nxënës kështu që të ofroi prindërve mundësinë e përgjegjësisë e të mbikëqyrjes shtesë mbi fëmijët e tyre, që do të ndikojë në rritjen e cilësisë së arsimimit të tyre.

Ministri Buja tha se më këtë shërbim, po ofrohet një mundësi e mirë prindërve, nxënësve dhe arsimtarëve të jenë në kontakt të përhershëm në mënyrë aktive me qëllim të nxitjes së interesit dhe përkushtimit të nxënësve dhe arsimtarëve për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.

Biznesmeni nga Kroacia që nënshkroi këtë kontratë me Bujën, Drko Separeviç nga kompania “aiKATE tha se shërbimi SMS Flexy-S, u ofron prindërve mundësinë e pjesëmarrjes aktive në edukimin e fëmijëve të tyre, për të ndarë informacion me mësuesit në mënyrë të thjeshtë dhe të kënaqshme. Ky shërbim, sipas MASHT’it po pilotohet në dhjetë komuna të Kosovës dhe në të janë përfshirë 24 shkolla.

Kthehu mbrapa

Shto koment