Nevzati: Shkollat të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor

30.08.2012 (komentet: 0)

Gjilan -Drejtoria e Arsimit njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët se mësimi do të filloj më 3 shtatorë ka thënë Bujar Nevzati. Në takimin e sotëm të drejtorëve të shkollave fillore me drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, doli zotim i përbashkët i të gjithëve bashkërisht se procesi i mësimit do të filloj më tre shtatorë (pasi që janë bërë të gjitha përgatitjet teknike, higjienike dhe profesionale) në të gjitha institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe të mesme të Gjilanit.

Këtij fillim viti shkollave të Komunës së Gjilanit do t’i shtohen edhe dy shkolla të reja ajo në lagjen II dhe shkolla e Bujqësisë, nga gjysma e shtatorit, respektivisht fillimi i tetorit. 

Bujar Nevzati, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, në këtë mbledhje me drejtorët tha se shkollat janë përgatitur teknikisht dhe janë të gatshme për fillimin e suksesshëm të vitit të ri shkollor, duke theksuar se shkollat gjithnjë e më shumë janë më të ruajtura nga prishjet apo shkatërrimet qoftë nga nxënësit apo edhe nga vet vjetërsia e tyre. 

Tekstet shkollore kanë ardhur për të gjitha shkollat me kohë, gëlqerosja e shkollave dhe riparimet e tjera janë bërë me kohë, gjithashtu edhe dezinfektimi është kryer. Tenderi për lëndët djegëse (naftë dhe dru) është mbyllur dhe nga java e ardhshme do të shpërndahet edhe nëpër shkolla dhe vërtet janë bërë shumë përgatitje që ky vit të jetë më i mbarë sa i përket anës teknike.

Kurse sa i përket regjistrimit të nxënësve në klasën e parë, Nevzati i njoftoi edhe njëherë prindërit dhe të gjithë qytetarët se ato kritere të përcaktuara nga DKA-ja, janë vetëm për trajtim të barabartë të të gjithë fëmijëve të Komunës sonë, asgjë më shumë. 

Suksesi i nxënësve pastaj do të varet, vet nga angazhimi i mësimdhënësve të këtyre klasave, por edhe i nxënësve normalisht. Ky është hap që është marrë për t’i trajtuar të gjithë nxënësit barabarësish (kjo për të mos i trajtuar ndryshe fëmijët e intelektualëve dhe ndryshe ata të atyre që nuk kanë prindërit e shkolluar). Të gjithë mësimdhënësit do të zgjedhin nga një zarf të vulosur nga drejtoria, i cili brenda ka klasën me numrin e të gjithë nxënësve që i ka selektuar programi elektronik në formë të pavarur duke u bazuar në kritere tha Nevzati.

Këtë vit do të kemi edhe dy shkolla të reja në Komunën e Gjilanit. “Shkolla fillore në lagjen II pritet të nis punën nga gjysma e dytë e shtatorit, ndërsa shkolla e mesme e bujqësisë do të nis punën më 1 tetor. Me këtë rast pritet që të krijohet hapësirë më e madhe për shkollat “Selami Hallaq”, “Musa Zajmi” dhe shkollës së mesme të “Mjeksisë”, të cilat do të kthehen në punë me dy ndërrime”, potencoi Nevzati. 

Ndërsa sa i përket kritereve të pranimit të kuadrove në arsim, Nevzati tha se këtë vit është bërë një përzgjedhje profesionale nga më e mira. “Për këtë do të jenë të bindur të gjithë ata që deri më tani kanë shprehur dyshime dhe e kanë vlerësuar e klasifikuar në mënyra të ndryshme. Ankesë e përhershme e kandidatëve për mësimdhënës ka qenë, se ata nuk po pyeten sa duhet në aspektin profesional, andaj ne këtë vit kemi bërë një vlerësim nga lënda e matematikës dhe kulturës së gjuhës” ka shtuar Nevzati.

Sipas tij Komisioni është duke punuar dhe pritet që këtë javë të bëjë publik edhe emrat e të pranuarve. “E rëndësishme është se deri sot nuk ka asnjë ankesë të drejtuar drejt komisionit apo drejtorisë së Arsimit, për ndonjë padrejtësi të mundshme që u është bërë atyre, gjatë intervistave. Ndaj prej një mijë aplikacioneve sa kishim për vendet e lira të punës, të parashtruara nga rreth 300 kandidat testit i janë nënshtruar po aq, pasi që dihet se një pjesë e tyre kanë aplikuar në më shumë shkolla. Futja e këtij kriteri për testimin nga matematika dhe kultura e gjuhës është bërë me qëllimin që të përzgjedhim më të mirët. Këto kritere janë nxjerr falë një komunikimi edhe me Ministrinë e Arsimit. Prandaj të gjithë ata të cilët mendojnë se iu ka bërë e padrejtë këtë do të mund ta sqarojnë te ne si drejtori, te komisioni, apo edhe nëse është e nevojshme edhe te kryetari i Komunës” ka thënë Nevzati.

Kemi pasur disa prononcime nëpër media, të grupimeve të ndryshme politike, me të cilat ne si drejtori kur ua kemi sqaruar, ata janë shprehur se kanë gabuar, pasi që sipas tyre kjo është mënyrë shumë e mirë e përzgjedhjes dhe se duhet të përkrahet nga të gjithë. Kurse sa i përket reagimit të sindikatës (SBASHK) , ajo ka obligim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, por assesi nuk është mirë të jep gjykime për një proces që është bërë më shumë punë dhe me tepër kujdes, për të mirën e kualitetit në arsim.

Poashtu drejtoria e Arsimit i njofton të gjithë maturantët të cilët testin nuk kanë arritur ta kalojnë në afatin e parë se testi mbahet nesër më 31 gusht, ndërsa numri i maturantëve që do t’i nënshtrohen këtij testi është rreth një mijë sosh, këtu një numër mjaft i madh është i bartur nga vitet paraprake./rajonipress/

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment