Nevzati demanton VV

26.07.2012 (komentet: 0)

Gjilan – Jemi kundër asaj që dikush me çdo kusht po dëshiron ta nëpërkëmb procesin e ndërtuar mirë dhe me përgjegjësi të lartë e me vështirësi të shumta nga qeverisja komunale me në krye PDK-në ka thënë Bujar Nevzati.

Drejtues të lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, kanë thënë të enjten në një konferencë me media e gazetarë të seleksionuar sipas qejfit dhe dëshirës së Ismajl Kurteshit (Agjencia Rajonale e Lajmeve Rajonipress asnjëherë nuk ftohet në konferenca dhe as nuk merr komunikata nga VV në Gjilan, me qëllime të caktuara nga kreu i saj), se konkursi për një vend pune në arsimin gjilanas, që është shpallë këto ditë për shkollat e komunës së Gjilanit, nuk është i plotë pasi po fshihen vende të lira të punës. 

Ismajl Kurteshi e Nevzad Isufi kanë kërkuar ndërhyrjen e përgjegjësve për të mos lejuar këto padrejtësi, për t`i evidentuar të gjitha vendet e lira të pashpallura dhe përmes përmirësimit të konkursit apo edhe shpalljes së konkursit plotësues të shpallen të gjitha vendet e lira

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të arsimit Bujar Nevzati i cili në tërësi ka demantuar deklaratat e VV. “Lidhur me deklarimet mohuese, të pabazuara, diskredituese dhe jo të informuara mirë, të Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilën gjuhë publiku tashmë e dinë, ne si institucione kem obligimin që qytetarit tanë t’ia sqarojmë se si realisht është puna me konkursin e Drejtorisë së Arsimit” ka thënë Nevzati. 

Bujar Nevzati, ka deklaruar se me dijeninë e tij për këto tri vite nuk ka asnjë vend të punës të fshehur. “Drejtoria me kohë i ka njoftuar drejtorët e shkollave që t`i sjellin të gjitha vendet e lira që i kanë nëpër shkollat e tyre dhe një gjë të tillë e kanë bërë të gjithë. Por, nëse ka ndonjë individ a grupim politik (në këtë rast si VV) që sjell në drejtori ndonjë fakt të fshehjes së ndonjë vendi të punës, ne i mirëpresim me kënaqësi dhe për shkelësit do të merren masa disiplinore”. 

Pra nëse VV është në dijeni që ka ndonjë vend të lirë e të pashpallur, ne jemi të hapur në çdo kohë që t’i përgjigjemi e ta zgjidhim problemin për të cilin Vetëvendosja pretendon se ka. 

“Para hapjes së konkursit drejtoria e arsimit, kishte edhe një konkurs intern për transferim të kuadrit arsimor, (ta zëmë nga një shkollë në tjetrën ose anasjelltas) dhe ka mundësi që drejtuesit e VV-së të mos kenë informacione për lëvizjet e kuadrit nga një në shkollën tjetër. Jemi kundër asaj që dikush me çdo kusht po dëshiron ta nëpërkëmb procesin e ndërtuar mirë dhe me përgjegjësi të lartë e me vështirësi të shumta nga qeverisja komunale me në krye PDK-në. Ne jemi të mësuar me deklarata në forma të cilën ata tashmë e kanë bërë traditë, por argumentet në këtë rast janë më të nevojshmet”, tha drejtori Nevzati.

Edhe sa i përket regjistrimit të nxënësve mund të marrin informacion VV apo edhe çdo individ tjetër, për çdo nxënës se si është pranuar. Ne si drejtori komunale e arsimit jemi të hapur dhe transparent 100% për të gjithë dhe për gjithçka që ka të bëjë me punën e institucioneve arsimore, ndaj të interesuarit i mirëpresim dhe u përgjigjemi në çdo kohë. 

Edhe një gjë, për shkak zvogëlimit të numrit të nxënësve nëpër klasa, ka ndodhur që disa paralele të shuhen krejtësisht. Pavarësisht nga të gjitha këto ne i mirëpresim sugjerimet dhe vërejtjet nga kushdo qoftë, por ama, jemi të interesuar që poashtu me të gjithë të komunikojmë me fakte ka thënë Nevzati./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment