Në Gjilan u mbajt “OLIMPIADA MATEMATIKE E GJILANIT – OMGJ 2015”

22.02.2015 (komentet: 0)

 

      Dje më 21 Shkurt 2015 në Gjilan, u mbajt “Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2015” për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII.  Suksesi i treguar nga garuesit është mjaft i lakmueshëm, në të gjitha klasat. Drejtori i DKA-së në Gjilan Nazmi Musa, me rastin e shpalljes solemne të fituesve të kësaj gare, tha se DKA në Gjilan kurdoherë do të jetë e gatshme të përkrahë organizimet e këtilla të dijes.

 

 

 

     FESTIM SHKODRA – koordinator i OMGJ 2015

  OMGJ – 2015 është olimpiada e VII  Matematike e Gjilanit, për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII. Kjo garë u mbajt sikur edhe herave të tjera nën përkujdesjen e DKA-së në Gjilan.  Olimpiada u mbajt në hapësirat e SHMU “Selami Hallaqi” në Gjilan, shkollë kjo që po bën të pamundurën si mikpritëse për të ofruar kushte sa më të volitshme për punë, për vite me rradhë. Olimpiadën e hapi profesori i mirënjohur gjilanas i matematikës, Dr.sc. Sabri Tahiri. Drejtori i DKA-së në Gjilan Nazmi Musa, pas shpalljes solemne të rezultateve të OMGJ 2015, i uroi nxënësit pjesëmarrës dhe fituesit për suksesin e treguar, ai posaqërisht e përgëzoi edhe koordinatorin e OMGJ 2015, komisionet punese të olimpiadës për organizimin e përkryer, cilësor e korrekt të garës. Organizim ky që po ja kanë lakmi edhe shumë komuna të tjera. Ai tha se këta nxënës janë krenaria e Gjilanit.

      Organizimin e olimpiadës sivjet e përkrahën edhe Grupi KOHA, kompanitë “GanDizajn”, “DEA”, “SYRI Mobile House”, “Pika 5A”, revista “PC World” si dhe disa bashkëqytetarë. Për kontributin e dhënë për vite me rradhë në organizimin e olimpiadave matematike gjilanase, Grupi KOHA dhe kompania “GanDizajn” janë shpallur vitin e kaluar “Miq të Olimpiadave Matematike të Gjilanit”.

       Në OMGJ – 2015 morën pjesë rreth 100 pjesëmarrës. Në saje të kësaj përkrahje, organizatori arriti që nxënësit më të mirë t’i shpërblej me mirënjohje, medalje, komplete librash, revista, DVD me programe të ndryshme kompjuterike, stilolapsa etj. Me mirënjohje për pjesëmarrje u shpërblye edhe çdo nxënës pjesëmarrës. Pos nxënësve fitues, në shenjë mirënjohje për punën e tyre, do të shpërblehen me mirënjohje e libra edhe mësimdhënësit e nxënësve fitues. Poashtu me mirënjohje e libra u shpërblyen edhe mësimdhënësit e angazhuar në komisione të ndryshme pune në olimpiadë. Mirënjohje iu dhanë edhe kontribuuesve që ndihmuan mbarëvajtjen e kësaj olimpiade.

          “Miku i Olimpiadës” Grupi KOHA edhe sivjet dhuroi 100 libra nga botimet “KOHA” për OMGJ 2015 ndërsa KTV e regjistroi ecurinë e kësaj  ngjarje. Prezentimi në media, po ndikon mjaft shumë në rritjen e interesimit të nxënësve për pjesëmarrje në këtë garë dhe popullarizimin e matematikës në përgjithësi. Shkencë kjo bazë për shumë profesione, ku do të gjenden në të ardhmen edhe këta talentë të matematikës. Profesione ku presim që ata të japin kontributin e tyre, në zhvillimin e komunës sonë dhe vendit në tërësi. Po e themi këtë me bindje të plotë, sepse qysh tani shumë ish-fitues të këtyre garave po kryejnë studimet në vend dhe jashtë me sukses të shkëlqyeshëm si dhe disa nga kanë filluar tashmë të japin kontributin e tyre në vende të ndryshme të punës në Kosovë e jashtë.

        Përkrahja e këtillë e vazhdueshme e DKA-së në Gjilan, vullneti i madh për punë i mësimdhënësve të matematikës të Komunës së Gjilanit si dhe vullneti për dije i nxënësve tanë, po bën që Gjilani të shquhet me rezultatet e arritura nga nxënësit përfaqësues të saj në vend e më gjerë. Sepse garat e vazhdueshme që po mbajmë, me standarde mjaft të larta, po bën që nxënësit tanë të kaliten në fushën e matematikës gjithnjë e më tepër.

       Në këtë olimpiadë, ku morën pjesë nxënësit më të mire në fushën e matematikës, të klasave IX, X, XI dheXII nga të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, 12 më të mirët u shpallën:

Klasa e IX

1. Valdrin Jonuzi nga SHMU “Selami Hallaqi” në Gjilan
2. Drilon Sylejmani nga SHMU “Thimi Mitko” në Gjilan
3. Nita Sylejmani nga SHMU “Thimi Mitko” në Gjilan

Klasa X

1. Ndriçim Rrahmani nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan
2. Muhamed Zahiri nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan
3. Blertë Zeneli nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan

Klasa XI

1. Monika Bunjaku nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan
2. Argjend Aliu nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan
3. Elirë Sadiku nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan

Klasa XII

1. Euron Shkodra nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan
2. Bregan Isufi nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan
2. Dion Shkodra nga Gjimnazi i Shkencave Natyrore në Gjilan

         Këta nxënës, fitues të OMGJ 2015, do ta përfaqësojnë Komunën e Gjilanit në Olimpiadën Matematike të Kosovës OMK 2015, që do të mbahet më 1.03.2015 në Banullë – Lipjan, nën organizimin e SHMK (Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës). Në OMK 2015, nxënësit që arrijnë të zënë vendin e I, II apo III, do të shpërblehen me me medalje, mirënjohje dhe përkatësisht me 200, 150 dhe 100 Euro. Mirënjohje dhe të njëjtat shuma në të holla përkatësisht, do t’iu ndahen edhe mësimdhënësve të nxënësve fitues në OMK 2015, si mirënjohje për punën e tyre të deritanishme dhe si shtytje për punë të mëtejme. Këto shpërblime i ndan SHMK.  Ndërsa nxënësve të tjerë ju ndahen mirënjohje për pjesëmarrje. Në OMK 2015 zgjedhen 5 më të mirët e secilës prej klasave (pra gjithsejt 20 nxënës), e pas disa javësh ata i nënshtrohen një gare të re, me detyra të njëjta për të gjithë. Në këtë garë finale zgjedhet ekipi  i Kosovës prej 6 më të mirëve. Ky ekip do të merr pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare IMO 2015 të 56-tën me rradhë, që sivjet mbahet më 4 -16 korrik 2015 në Chiang Mai – Tajlandë. Kosova është ftuar të marrë pjesë në IMO 2015, me të drejta të plota për herë të pestë. IMO është e barasvlefshme për fushën e matematikës me Lojërat Olimpike Botërore.

        Gjilani më parë pos vendeve të para në nivel vendi dhe kombëtar, disa herë arriti të kishte përfaqësues nëpër  Olimpiadat Matematike Botërore. Për këtë, Gjilani me plot meritë edhe po quhet  nga të tjerët ,,Qytet i Matematikës”. Shpresojmë që edhe sivjet, matematikanët e rinjë gjilanas, të arrijnë të fitojnë në OMK 2015, si dhe të bëhen pjesë e ekipit të Kosovës, që do të marrë pjesë në IMO 2015, në Tajlandë.

         Suksese gjilanas, në garat tuaja të mëtejme të dijes në fushën e matematkës e të tjera !

Kthehu mbrapa

Shto koment