Në Gjilan 37 mësimdhënës prej gjashtë muajsh pa paga

24.02.2012 (komentet: 0)

Mësimdhënësit e rinj të pranuar në shkollat e Gjilanit në fillim të këtij viti shkollor nuk kanë marrë asnjë pagë për punën e tyre

 

 

GJILAN, 23 SHKURT- Nga shtatori i vjetëm 37 punëtorë të arsimit në Gjilan janë duke punuar pa paga. Nita Nimoni, mësimdhënëse e gjuhës angleze, thotë se nga fillimi i këtij viti shkollor nuk e ka marrë asnjë pagë dhe se asnjëherë nuk është informuar nga zyrtarët arsimorë pse ndodh kjo.“Unë me këtë pagë mbaj familjendhe se nuk po e shoh si të arsyeshme një vonesë të tillë‘’, është shprehur Nimoni.

Rashit Sahiti, anëtar i Komisionit për arsim nga LDK-ja, një qasje të tillë të DA-së e cilëson si papërgjegjësi. “Vonesat e tilla po e dëmtojnë rëndë buxhetin e mësimdhënësve,ndërkaq Drejtoria komunale për arsim ka treguar papërgjegjësi ndaj këtyre mësimdhënësve”, është shprehur Sahiti. Edhe në lëvizjen “Vetëvendosje” kanë qasje kritike për vonesën e pagave. Nevzad Isufi nga ky subjekt ka thënë se Drejtoria komunale e arsimit po i dëmton shumë mësimdhënës. “Shumica e këtyre mësimdhënësve këto paga i kanë për ekzistencën e familjeve të tyre”, ka potencuar Isufi, duke kërkuar zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Sipas tij, buxheti komunal po keqpërdoret. “Buxheti i limituar po keqpërdoret me shtimin e numrit të madh të punëtorëve të tjerë po bën që këtë ta paguajnë shumë punonjës të arsimit”, ka thënë Isufi. 

Autoritetet arsimore arsyetohen me faktin se këta mësimdhënës kanë pësuar shkaku i ngarkesave buxhetore të Komunës. Bujar Nevzadi, drejtor i Drejtorisë së arsimit në Gjilan, thotë se numri i madh i punëtorëve të pranuar në këtë komunë e ka pamundësuar alokimin e buxhetit nga Ministria për Buxhet dhe Financa për këta të fundit. Ai ka thënë se këta mësimdhënës pritet të futen në listën e pagave nga muaji tjetër. “Kryetari i Komunës ka marrë vendim që pagesa e punëtorëve teknikë të shkollave të bëhet nga buxheti për mallra dhe shërbime dhe se kjo gjë do të lehtësonte futjen në listën pagave të këtyre punë-torëve që nuk janë paguar deri në këtë kohë, kjo gjë pritet të ndodhë në muajin mars”, ka thënë Nevzadi. Ndryshe në sistemin arsimor në Gjilan punojnë 1800 punëtorë

Kthehu mbrapa

Shto koment