Nazmi Musa: Po bëjmë punë voluminoze për ta përmirësuar sektorin e arsimit në Gjilan

03.07.2015 (komentet: 0)

 

 

Gjilan, 3 korrik / Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, në një konferencë për media ka prezantuar volum përditë e më të shtuar, të punëve që janë në kompetencën e këtij resori, duke nisur që nga regjistrimi i nxënësve në shkollë, përcjellja e tyre gjatë procesit mësimor, organizimi i testit kombëtar dhe testit të maturës e deri te mbikëqyrja, përzgjedhja dhe kontrolli i menagjmentit dhe personelit të shkollës, por edhe angazhimi për integrimin e shkollave të komuniteteve pakicë në sistemin e shkollimit të Republikës së Kosovës.

 

 

Me këtë rast drejtori Musa, ka thënë se procesi mësimor është përfunduar këtë vit me sukses dhe rezultate të kënaqshme për Komunën e Gjilanit dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit.

 

“Procesi mësimor për vitin shkollor 2014 / 2015, ka përfunduar me sukses dhe rezultate që në përgjithësi janë të kënaqshme për Drejtorinë Komunale të Arsimit. Sa i përket rezultateve të testit të arritshmërisë, Komuna e Gjilanit në nivel vendi ka zënë vendin e parë, që na bënë të ndjehemi mirë me këtë sukses. Kurse sa i përket testit të maturës, si drejtori nuk jemi të kënaqur me rezultatet, sepse këtu ka një mospërputhje të rezultatit dhe dallim shumë të madh nga testi i arritshmërisë. Rezultati nga testi i maturës ku testit i janë nënshtruar 2176 nxënës, që shprehur në përqindjen, del se 60.34 për qind e nxënësve e kanë kaluar testin dhe 39.66 për qind prej tyre nuk e kanë kaluar pragun”, tha drejtori Musa, duke shtuar se rezultate shumë të dobëta në këtë test kanë shënuar nxënësit e shkollave profesionale, për çka ka paralajmëruar angazhim konkret në përmirësim të gjendjes në këto shkolla.

 

Gjithashtu drejtoria e arsimit në bashkëpunim me shkollat, ka përgatitur kriteret për pranimin e nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë.

 

Edhe sa i përket investimeve dhe projekteve, DKA ka përgatitur dhe dërguar në zyrën e projekteve të MASHT-it nevojat të cilat presin miratimin e kësaj ministrie për implementim gjatë të ardhmes.

 

“Kemi dërguar kërkesën për projekte për shkollat e reja, si për shkollën teknike, të mjekësisë, për shkollën në fshatin Haxhaj dhe në fshatin Shillovë “Vuk Karaxhiqi”, pastaj kërkesën për gjashtë salla të edukatës fizike, për shkollën “Dëshmorët e Kombit”, “Agim Ramadani”, “Rexhep Elmazi”, “Sadulla Brestovci”, “Vatra e Diturisë” dhe “Arbëria”. Në lagjen Dardania do të ndërtohet çerdhja e re me donacion të Bashkimit Evropian. Kemi bërë kërkesën për sallën e edukatës fizike, për shkollën “Abaz Ajeti” dhe shkollën “Liria” në Pogragjë, ku pritet përzgjedhja e kompanive për realizim të këtyre projekteve. Është duke u ndërtuar shkolla “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan dhe presim të jetë e gatshme për vitin e ri shkollor”, tha drejtori Musa.  

 

Edhe sa i përket aspektit të garave të nxënësve të Gjilanit, Drejtori Musa ka thënë se edhe në këtë aspekt, nxënësit tanë janë shembull në pjesëmarrjen e garave, në nivel Komunal, Republikan dhe Ndërkombëtar.

 

Drejtori i Arsimit ka njoftuar se si Drejtori e Arsimit tashmë kanë marrë aprovimin nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për emërimin e shkollave të reja të ndërtuara në Komunën e Gjilanit.

 

“Kemi marrë aprovimin e MASHT-it dhe janë emërtuar shkolla e Gjimnazit të Shkencave Natyror me emrin Xhavit Ahmeti, pastaj shkolla në lagjen Zabeli me emrin e dëshmorit Zija Shemsiu, shkolla në lagjen e II me emrin Sadulla Brestovci, shkolla në lagjen e VIII me emrin Nazmi Hoxha, shkolla e Artit Pamor me emrin Adem Kastrati”, duke shtuar se tani e tutje zyrtarisht këto shkolla kanë emrat e përmendur.

 

Ai ka potencuar kërkesën që DKA i ka drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave, për rritjen e grantit në sektorin e Arsimit për Komunën e Gjilanit./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment