Natyra vazhdon me thyerje të rekordeve në Matematikë
22.04.2015 (komentet: 0)
Mbajtja e garave në lëndën e matematikës në Gjilan ka një traditë 20 vjeçare. Dikur këto gara i organizonte Enti Pedagogjik i Gjilanit nën udhëheqjen e profesorit të matematikës Isak Haziri. Dy vitet e kaluara këto garat i ka organizuar Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit . Nga viti i kaluar garat organizohen nga Drejtoria Komunale e Arsimit.
Si rezultat i kësaj tradite që ka krijuar Gjilani, sot matematicientët e rinj që i ka komuna e Gjilanit, po tregojnë rezultate të lakmueshme në të gjitha garat e matematikës që po mbahen në Kosovë dhe më gjerë.
Në garat komunale,në lëndën e matematikës, të organizuara nga DKA e Gjilanit, të cilat u mbajtën më 18.04.2015, dy nxënëset e shkollës së M U “Abaz Ajeti” Art Hajdari klasa VI-5 dhe Natyra Jerliu VIII-6 zunë dy vendet e para.
Natyra Jerliu nxënëse e klasës VIII-6 dy vite me radhë jo vetëm se del fituese, dhe me sukses ndjek hapat e motrës së sajë Rrezes, por po vazhdon të thyej rekorde. Edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar që jo vetëm se zuri vendin e pare për klasat e VII, por edhe pat fituar maksimumin e pikëve,e që ishte suksesi më i lartë i arritur në këto gara. Po ashtu, edhe këtë vit përsëriti suksesin e viti të kaluar kur përsëri fitoi vendin e pare me maksimum të pikëve 100. Ky rezultat i përsëritur përherë të dytë me maksimum të pikëve , rezultat i cili nuk kishte arritur askush përveç Natyrës bëri që të shpallet nxënësi më i mirë i të gjitha grave të mbajtura deri më tani
Suksesi i treguar në garat komunale gjegjësisht në Olimpiadën e XX –të, nuk është i rastësishëm. Natyra përveç që edhe vitin e kaluar ishte e para në këto gara, ajo tregoi sukses të dalluara edhe në garat tjera të organizuara vitin e kaluar, si ato ballkanike vitin e kaluar në Durrës, ku kishte arritur të jetë në vendin e IV-të dhe e para nga Kosova. Ndërsa në Olimpiadën kombëtare në Shkup vitin e kaluar , po ashtu ishte e I-ra nga garuesit nga Kosova. “Fillimi i këtij rrugëtimi nuk është i rastësishëm por ka filluar që nga klasa e parë. Kontributi i mësuesit dhe i arsimtarëve të lëndës së matematikës qe shumë i dobishëm.
“Ëndrrat ime fillon të realizohet. Dëshirojë që e ardhmja të jetë me plot suksese të marr pjesë në gara të niveleve të ndryshme edhe në Olimpiada! Do të mundohemi të punojmë sa më shumë”. Kështu shprehen Natyra e buzëqeshur , ashtu edhe siç është “natyra” e sajë nga gëzimi për rezultatet e arritura në këto gara!
“Do të vazhdoj ta jap maksimumin dhe të përfaqësoj denjësisht shkollën time, Gjilanin dhe Kosovën sa më mirë në Olimpiadën Jubilare të XX-të Ndërkombëtare, e cila kësaj radhe mbahet në Tetovë”, shton pos tjerash Natyra.
Suksesin e arritur Natyra thotë se “ia dedikoj jo vetëm arsimtarit të matematikës dhe prindërve por edhe të gjithë arsimtarëve të tjerë që jo rrallë herë i kam lodhur me problemet e mia matematike, por si kundërshpërblim jam e bindur se në këtë shkollë do ta sjellë titullin e kampionit kombëtarë të matematikës.
Gjilani më parë pos vendeve të para në nivel vendi dhe kombëtar, disa herë arriti të kishte përfaqësues nëpër Olimpiadat Matematike Botërore. Për këtë, Gjilani me plot meritë edhe po quhet nga të tjerët “Qytet i Matematikës”. Shpresojmë se Natyra një ditë si gjimnaziste të bëhet pjesë e ekipit të Kosovës në të ardhmen e afërt , në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare IMO.
Të theksojmë se Olimpiada matematike kryesore e botës është Olimpiada Matematike Ndërkombëtare IMO, që mbahet për çdo vit në vende të ndryshme të botës, që nga viti 1959. IMO për herë të parë u organizua më 1959 në Rumani, ku morën pjesë vetëm 7 shtete ish-socialiste, ndërsa sot marrin pjesë mbi 100 shtete nga 5 kontinentet. Olimpiada IMO në fushën e matematikës, është e barasvlershme me Lojërat Olimpike Botërore në sport.
/Ismet Azizi/
Shto koment