Musa: Arsimin në Gjilan duhet ta bëjmë shembull - 12 shkurt 2014

12.02.2014 (komentet: 0)

Për ta parë nga afër punën e menaxhmentit dhe të punonjësve të arsimit, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Nazmi Musa si dhe kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, kanë vizituar pa paralajmërim shkollën fillore “Selami Hallaqi”.

Ahmet Aliu, drejtor i shkollës i ka njoftuar përfaqësuesit komunalë rreth mbarëvajtjes së punës, suksesin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo shkollë. Ai tha se “Selami Hallaqi” është shkollë elite në Komunën e Gjilanit.

Nënkryetari Rexhep Kadriu theksoi se Komuna është e interesuar që të ketë cilësi të lartë në shkollat tona. Arsimi do të jetë prioriteti numër një i qeverisjes së Lutfi Hazirit, ka thënë ai, për të shtuar se bashkëpunimi do të jetë shumë i mirë.

Ndërsa drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka kërkuar nga drejtori i kësaj shkolle vigjilencë të madhe për punonjësit e arsimit, për të pasur një sistem edukativo arsimor për lakmi.

“Kërkoj nga ju që t’i mbikëqyrni arsimtarët vazhdimisht, në mënyrë që t’i përmbahen orarit të punës, t’i përmbahen kodit të veshjes dhe të kujdeset në mënyrë permanente që të ketë një proces të rregullt edukativo-arsimor. Sektorin e arsimit në Gjilan duhet ta bëjmë shembull”, ka thënë drejtori Musa.

Në këtë takim është folur edhe për rritjen e sigurisë në shkolla për të pasur një proces të rregullt mësimor. Përfaqësuesit komunal kanë para nga afër edhe nivelin e pastërtisë në këtë shkollë. 

Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të ketë vizita të paparalajmëruar shkollat e Gjilanit, me qëllim të ngritjes së nivelit të arsimit në Gjilan.

Kthehu mbrapa

Shto koment