MUNGESË E HAPËSIRËS NË FAKULTETIN E EDUKIMIT NË GJILAN

06.02.2012 (komentet: 0)

Trembëdhjetë salla mësimi për më tepër se 5 mijë student

GJILAN, 4 SHKURT- Mbi 5600 studentë të Fakultetit të Edukimit në Gjilan, i cili funksionon në kuadër të Universitetit të Prishtinës, po përballen me mungesë hapësire. Ata i kanë në dispozicion vetëm 13 dhoma mësimi. Zyrtarë të këtij fakulteti e kanë pohuar këtë gjendje, porse kanë thënë se po presin reagimin e institucioneve lokale dhe atyre qendrore.

Sabri Tahiri, shef i departamenteve në Fakultetin e Edukimit, thotë se që nga tetori i vitit 2011 ky fakultet numëron 4500 studentë të rregullt, të cilët kanë në dispozicion vetëm 13 salla mësimi. “Me ardhjen e dy degëve, Fakultetit Juridik dhe Ekonomik në objektin e Fakultetit të Edukimit në Gjilan, këtij të fundit i janë shtuar edhe 3657 student të rinj”, ka thënë Tahiri. Sipas tij, nga 2000 studentë, sa kishte Fakulteti i Edukimit me ardhjen e këtyre dy degëve, është ngarkuar tej mase puna në këtë fakultet.

Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se institucionet komunale dhe ato qendrore nuk po ndërmarrin asgjë në sigurimin e hapësirës për studentët e këtij fakulteti. E vetë studentët kanë më së shumti ankesa për  këtë gjendje. Fatlume Uruçi, studente e Fakultetit Juridik, thotë se ndodh që ligjëratat t`i ndjekin edhe nga 200 studentë.“Ky numër është shumë i madh për një sallë. Duhet të gjendet një zgjidhje urgjente në sigurimin e hapësirës, sepse këto kushte po reflektojnë shumë keq në suksesin e studentëve”, ka kërkuar kjo studente. Nga ana tjetër, Komuna e Gjilanit,duke parë këto vështirësi që po kalon Fakulteti i Edukimit, ka bërëkërkesë për marrjen me qira të objektit të kolegjit “Gjilani”.

“Kjo është shprehje e gatishmërisësë Komunës për të krijuar kushte për themelimin e universitetit publik, dhe se nuk ka subvencionim më të mirë për familjen tonë sesa kur asaj ia ofron pranë shkollimin për fëmijët, sepse në këtë mënyrë e lehtëson në aspektin buxhetor,andaj shpreson që së shpejti do të sigurohet hapësira e re për këta studentë”, ka thënë Mustafa. Ndryshe, kreu i Qeverisë, HashimThaçi, në një turne falënderues memësimdhënës kosovarë ka qëndruar në Gjilan në qershorin e 2010-s dhe ka premtuar hapjen e universitetit të tretë publik në vend në këtë komunë. “Më 1 tetor 2011 do të hapet universiteti publik në Gjilan për rajonet Gjilan, Luginë e Preshevës dhe Kumanovë, duke e shndërruar Gjilanin në një qytet rajonal universitar për komunat përreth“, pati thënë Thaçi. Megjithatë, nga ajo kohë asnjë veprim konkret për realizimin e kësaj ideje nuk ka pasur. 

Kthehu mbrapa

Shto koment