Mungesa e transparencës dhe efikasitetit në këtë Komunë

20.03.2015 (komentet: 0)

 

 

Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan ekspozuan sot të gjitha kërkesat e dërguara në Komunën e Gjilanit përgjatë vitit 2014, si dhe përgjigjet e pakta që kanë marrë për ato kërkesa nga ana e ekzekutivit komunal.

 

 

Aktivisti Ilir Hoti tha se pavarësisht se me rregulloren për transparencën në Komunën e Gjilanit, e cila saktëson qartë se çdo kërkese drejtuar Kryetarit të Komunës, por edhe organeve tjera më të larta ekzekutive, brenda 30 ditësh (neni 5, pika 5.2) duhet kthyer përgjigje, megjithatë kjo nuk ka ndodhur në Komunën e Gjilanit. “Janë 32 kërkesa/pyetje të drejtuara ose tek Kryetari, ose tek drejtorët komunalë, por vetëm 8 prej tyre përgjatë gjithë vitit kanë marrë përgjigje. Pra, në 2/3 e kërkesave tona nuk janë përgjigjur as Kryetari, e as drejtorët e drejtorive”, tha Hoti, duke shtuar se kjo formë e mospërfilljes së drejtuesve më të lartë të Komunës ndaj kërkesave tona, që njëherësh janë edhe të qytetarëve gjilanas, dëshmon mosefikasitet të udhëheqësisë komunale si dhe papërgjegjësi përballë qytetarëve.

 

“Kjo qeverisje, në mungesë të punëve të mira, projekteve, investimeve kapitale, zhvillimit ekonomik, mirëqenies më të mirë të qytetarëve, zbutjes së papunësisë dhe varfërisë, gjithnjë e më shumë po shkon drejt dështimit dhe humbjes së shpresës së qytetarëve të kësaj komune për një jetë më të mirë. Fare lehtë mund ta kuptojë dhe shikojë gjithsecili, se sa vërtetë kërkesa janë drejtuar, e në anën tjetër sa përgjigje kemi pranuar. Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, bashkë me keqqeverisjen dhe keqpërdorimin e parave të qytetarëve, janë fytyra e vërtetë e LDK-së dhe Lutfi Hazirit në Gjilan”, tha në fund aktivisti Ilir Hoti.

 

Aktivisti Yll Islami tha se shumica e atyre pak përgjigjeve që janë kthyer nga Komuna, as që kanë lidhje me pyetjet që iu drejtohen. Ai lexoi një nga përgjigjet që është bërë në fillim të vitit 2014, ku për çështjen e ngritur ishte premtuar se shumë shpejt do të bëhet zgjidhja. “Komuna kishte marr përsipër që sapo ta bëjë regjistrimin e pasurisë komunale, do të përgjigjet me një zgjidhje të drejtë. Deri më tani, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, as nuk i është përgjigjur kërkesës tonë, e as nuk e ka zgjidhur problemin që ne e kemi shtruar. Ne kemi kërkuar që komuna t’i  trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit Komunal”, theksoi Islami. Ai më tej vuri në pah se ekzekutivi komunal, përveç që është i mbyllur për qytetarët, ai është tejet jotransparent edhe ndaj vetë Kuvendit Komunal.

 

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan kërkon nga qeverisja aktuale që të punojë për të mirën e përgjithshme, e të mos vazhdojë me qeverisje të tillë që po e rrit boshllëkun pushtetarë-qytetarë, si dhe po e thellon varfërinë e qytetarëve përballë rritjes së luksit të pushtetarëve.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment