Muhamedi a.s. personalitet i përmasave mbarënjerëzore

04.02.2012 (komentet: 0)

Sikundër kudo në botë edhe nëpër xhamitë e Kosovës është shënuar të shtunën, ditëlindja e profetit Muhamed a. s. Një manifestim i tillë në nderë të këtij personaliteti që vlerësohet shëmbëlltyrë e njerëzimit, është mbajtur edhe në Xhaminë e Madhe në Gjilan, ku ishin tubuar besimtarë të shumtë të fesë islame, e ku pos ligjëratës dhe leximit Kuranor është kënduar edhe Mevludi tradicional.



Organizuar nga Bashkësia Islame (BI) në Gjilan,  nën drejtimin e kryeimamit Iljas Mustafa, manifestim i sivjetmë i shënimit të ditëlindjes së figurës që vlerësohet  të jetë njeriu më i dashur e më i respektuar që krijoi Allahu xh. sh,  dhe shembulli më i mirë i rrugës së drejtë për njerëzimin,  është mbajtur nën moton “Jam i dërguar për përsosjen e virtyteve të moralit’   (thënie e Muhamedit a. s.).

Në emër të Këshillit të BI-së së Gjilanit të pranishmit i ka përshëndetur, kryetari i BI-së Naim Aliu, i cili ka thënë se  edhe këtë vit po e shënojnë ditëlindjen e pejgamberit tradicionalisht me këtë manifestim, me Mevlud tradicional, ligjërata e lexime Kuranore, duke u lutur që nga të gjitha këto, të përfitojnë besimtarët mysliman. 

Pas leximit Kuranor, me një ligjëratë për nderë të Mevludit (ditëlindjes së pejgamberit Muhamed a. s), u paraqit Farush Rexhepi, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, njëherësh, anëtar i kryesisë së BI-së, i cili ka vlerësuar këtë ditë si një ditë e rëndësishme për mbarë botën islame.

Ai ka rikujtuar kohët kur edhe para ardhjes në jetë të pejgamberit ishin dhënë paralajmërimet  për ardhjen e tij si i dërguar i zotit, për të shtuar se Muhamedi a. s. ishte vula e profetëve dhe shembulli më i mirë i rrugës së drejtë për njerëzimin.   

Duke ua uruar besimtarëve islam ditëlindjen e Muhamedit a. s. , muajin e Mevludit  i cili muaj po shënohet në mbarë botën islame, Rexhepi është lutur për një paqe, për një mirëqenie dhe për një siguri më të madhe  për të gjithë besimtarët islame.

Duke rikujtuar se në botë shënohen manifestime të ndryshme,  përvjetor të lindjes së mbretërve, udhëheqësve të ndryshëm, të kryetarëve ët shteteve, Rexhepi ka thënë se këto shënime të këtyre manifestimeve  gjithnjë janë në suaza të kufijve gjeografik,  të kufijve etnik, nacional, racor...por se shënimi  i përvjetorit të lindjes së pejgamberit Muhamedit a. s. është  ndryshe, sepse kjo figurë, ky personalitet nuk përkufizohet, në  kufij të tillë, por është  personalitet i përmasave mbarënjerëzore.

Ai tha se edhe në Kuran është qartësuar se Muhamed a. s ishte udhëzues, udhërrëfyes për mbarë botën, për mbarë njerëzimin dhe këtu qëndron fakti se  kjo figurë , ky personalitet sublim i njerizimit, i tejkalon kufijtë gjeografik, politik nacional. racor...

Prandaj sipas Rexhepit, duke pas parasysh rëndësinë e personalitetit të pejgamberit Muhamed a. s, këtyre ditëve, jo vetëm në Gjilan, por kudo  nëpër Kosovë me pietetin më të lartë po organizohen manifestimi të ndryshme, me rastin e muajit të Mevludit, muajin në të   cilin është lind pejgamberi, që me ardhjen e tij, për botën, për njerëzimin mbarë ofroi ide të reja, njohuri të reja dhe më të përafërta për të njohur krijuesin gjithësisë, se si të jemi më afër krijuesit, në mëshirën dhe rahmetin e tij të pakufishëm.

Duke iu referuar edhe motos të këtij manifestimi, Rexhepi tha se Allahu xh. sh  më së pari ka garantuar për moralin  e pejgamberit Muhamedit a. s.  e këtë e ka thënë edhe në Kuran “Vërtetë ti o Muhamed posedon shkallë të lartë të moralit’

Duke u ndërlidhur me të profesori tha se morali është bazë , fondament i njeriut,  i shoqërisë për të qenë dhe për të jetuar në rrethana të paqes, sigurisë dhe mirëqenies për të gjithë..

Rexhepi tha se nga morali sot vuajnë më së shumti njerëzia, shoqëritë ndryshme në botë e ku morali i keq është përhapë në shumë pjesë të botës në shekullin 21. Prandaj, sipas tij, çështja e moralit është jetike në islam dhe për këtë arsye Allahu xh sh, fillimisht ka garantuar për moralin e pejgamberit  Muhamed a. s.

Rexhepi, tha edhe se drejtuesi më i mirë i Islamit është Muhamedi a. s. dhe kush do ta kërkojë rrugën e drejtë, të vërtetë, për të bërë jetën e tij në përputhje  me normat madhështore të islamit  atëherë le ta kërkon drejtuesin më të mirë të Islamit, e ai është udhërrëfyesi, modeli më i mirë i rrugës së Allahut, është figura dhe personaliteti sublim  i njerëzimit, pejgamberi Muhamedit a. s.

Nëse e ndjekim fjalën e Kuranit  dhe synetin e rrugë ne pejgamberit  asnjëherë bota, njerëzimi shoqëritë nuk do të ndodhen në udhëkryq, ka thënë ndër tjerash Farush Rexhepi, profesor i Fakultetit të Studimeve Islame.

Më pas është kënduar edhe Mevludi tradicional për të nderuar ditëlindjen e Profetit Muhamed a. s.

Përndryshe, besimtarët e fesë islame kudo në botë vlerësojnë këtë ditë dhe e kremtojnë ngase me të i bëhet respekti autoritetit të Pejgamberit Muhamedi a. s. dhe shprehet kënaqësi e gëzim për  ardhjen e tij në jetë si mëshirë dhe udhërrëfyes për mbarë njerëzimin. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment