Mos e injoroni shkollën bujqësore?

22.09.2012 (komentet: 0)

Gjilan - Edukimi i të rinjve për tu marrë me kultivimin e perimeve, pemëve, me ngritjen e fermave dhe me përpunimin e produkteve nga bujqësia është një rast real për punësim thotë Qemajl Mustafa. Drejtimet në shkollën e mesme bujqësore në Gjilan nuk janë treguar tërheqëse dhe atraktive për të rinjtë gjilanas. Kjo shkollë gjithmonë ka problem të plotësojë numrin e mjaftueshëm të nxënësve.


Por tani komuna dhe drejtoria e arsimit po bëjnë përpjekje që të bindin të rinjtë që të zgjedhin edhe këto drejtime, dhe mos të injorojnë këtë sektor shumë të dobishëm për të ardhmen e Kosovës.

Tashmë, Danida një organizatë kanadeze ka ndarë mbi 600 mijë euro për ndërtimin e shkollës bujqësore e cila është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e saj. Por sërish mbetet shqetësues fakti se ende në këtë shkollë ka vende të lira.

Kjo e ka brengosur edhe kreun e komunës Qemajl Mustafa i cili për rajonipress thotë se agrikultura dhe agrobiznesi janë fushat ku ne si komunë dhe si shtet i ri kemi shans të veçantë. “Edukimi i të rinjve për tu marrë me kultivimin e perimeve, pemëve, me ngritjen e fermave dhe me përpunimin e produkteve nga bujqësia është një rast real për punësim”.

Mustafa tha se është krijuar një logjikë e mbrapshtë se vetëm administrata është punë e mirë. “Mendohet që nëse e studion agronominë bëhesh bujk. Sot edhe bujku që drejtpërdrejtë e punon tokën është zotëri i vërtet sepse mjetet e punës janë moderne, janë të lehta për përdorim” .

Sipas Mustafës të jesh sot teknik ose inxhinier i bujqësisë është siguri e lartë për punësim, por edhe kontribut i veçantë për zhvillimin e ekonomisë e të shtetit.

“Inercioni në shkollat tona duhet të ndalet. Ato duhet të prodhojnë kuadro për ekonominë e për administratën, por vetëm aq sa u duhen këtyre fushave” u shpreh Mustafa.

Kurse , Bujar Nevzati drejtor i arsimit tha për rajonipress se nga 280 vende të parapara deri tani janë plotësuar 203 vende. Janë të lira edhe 77 vende. 

Por sipas Nevzatit drejtimet e bujqësisë gjithmonë nuk plotësohen me kohë, meqë janë edhe mbi 60 nxënës që kanë mbetur ende të paregjistruar për shkak se kanë shpresuar se mund të regjistrohen në drejtimet më atraktive si mjekësia e gjimnazi, e që edhe aty pritet të regjistrohen në bujqësi.

Nevzati tha se është për tu habitur fakti se si të rinjtë ngarendin pas drejtimeve tjera dhe e harrojnë apo e injorojnë shkollën bujqësore. “Tani shkolla e re ka infrastrukturë moderne, kabinete, laboratore, ka serra dhe ka inventar të mrekullueshëm. Nëse dikund mund të punësoheni më lehtë dhe më shpejt atëherë janë drejtimet e bujqësisë. Dhe mesazhi im është që të rinjtë të aplikojnë dhe të regjistrohen në drejtimet bujqësore sepse janë drejtime të kërkuara dhe atraktive në të ardhmen” tha Nevzati.

Nevzati tha se shumë shpejt pritet të hapet shkolla e re bujqësore e cila ka hapësirë dhe kushte për të zhvilluar të gjithë praktikën brenda hapësirës shkollore.

Kthehu mbrapa

Shto koment