“Mon Liku”, shfaqja më e mirë e Festivalit

25.01.2012 (komentet: 0)

Shfaqja “Dashuri e dytë në moshën e tretë”, me autor dhe regji nga Haxhi Ramës, ishte shfaqje që përmbylli Festivalin me karakter garues të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2012”, me këtë rast, Juria e përbërë nga Sadri Daku, Sonila Kapidani dhe Kushtrim Bekteshi ka përzgjedhur edhe më të mirët e Festivalit.

Kjo juri e posaçme për këtë Festival , e cila në çdo mbrëmje me vëmendje ka përcjellë të gjitha shfaqjet, përmes njërit anëtar, Sonila Kapidanit ka bërë të ditur se vendimet për të përzgjedhurit ishin unanime. Kështu çmimin shfaqja më e mirë e Festivalit e fitoi shfaqja “Mon Liku”, e Teatrit Profesionist të Gjilanit.

Çmimin për tekstin-dramën më origjinale, e mori Haxhi Rama (“Dashuri e dytë në moshën e tretë” ), regjia më e mirë e Festivalit, sipas jurisë, u vlerësua regjisori Ilir Bokshi (“Mon Liku”). Çmimin aktori më i mirë i Festivalit e mori Ard Islamit (“Mon Liku”) ndërsa epiteti i aktores më të mirë të Festivalit i takoi Florentina Ademi t (“Cubi i Kukurrecit”).

Çmimin e veçantë për arritje jetësore e mori Hasan Bunjaku, si aktor më me perspektivë është zgjedhur Ervin Dako (“Dashuri e dytë në moshën e tretë”), derisa aktorja Emine Toska u vlerësua për rolin më të mirë dytësor (“Mon Liku”). Kurse çmimi për realitete të reja teatrore, kësaj here nuk u nda, për arsye se u vlerësua se nuk pati të tillë.

Përndryshe paraprakisht për të gjitha teatrot që ishin pjesë e “Talia-s së Flakës 2012”, nga organizatori u ndanë mirënjohje.

Qemajl Mustafa, kryetar i  komunës së Gjilanit i cili zyrtarisht mbylli Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2012”, ka vlerësuar se ky Festival ishte i suksesshëm , me shfaqjet , ligjërata, debatet ... sikurse që në të defiluan shumë aktorë e mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare.

Duke ju drejtuar krijuesve, regjisorëve, dramaturgëve, aktorëve dhe të tjerëve që janë angazhuar  për të gjitha prurjet  në këtë Festival, Mustafa tha se të gjithë këta me punën e tyre i kanë dhënë kuptim Manifestimit të “Flakës...”, përkatësish “Talia-s...”, dhe ka kërkuar nga ata që të angazhohen edhe përgjatë këtij viti, në mënyrë që edhe në Flakën e ardhshme të ketë prurje kualitative.

Përndryshe, Manifestimi “Flaka e Janarit 2011” vazhdon me aktivitete të tjera.  Kështu më 24 janar do të kemi promovimin e dy librave, atë të Azgan Haklajt (Salla e Kuvendit, ora 10:00) dhe të Selatin Novosellës (Salla e Kuvendit, ora 14:00).

Ndërkohë që me 25 janar do të kemi “Penën e Flakës”, portreti krijues i Jusuf Gërvallës , shpalljen e rezultateve te Konkursit në poezi dhe tregim të shkurtër, si dhe Orën e madhe letrare, deri sa një ditë më pas me Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka”, do të përmbyllet Manifestimi “Flaka e Janarit 2012”. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment