Miratohen me një ndryshim kriteret për punësim në arsim

17.06.2016 (komentet: 0)

    

Komiteti për Arsim i ka miratuar me minimumin e votave një ndryshim të kritereve për punësimin e mësimdhënësve, duke rekomanduar që poentimi për kandidatin që është banor i Komunës së Gjilanit si dhe për kandidatin vendës në fshatin ku gjendet shkolla, të ulet nga 1 pikë në 0.5 pikë.  Kriteret tjera janë lënë ashtu siç i ka propozuar Drejtoria e Arsimit.

 

Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, ka thënë se realisht, këto kritere e kanë lehtësuar shumë punën e komisioneve gjatë përzgjedhjes së kuadrit mësimor, prandaj ka kërkuar që të miratohen ashtu siç janë, me ndryshimin e vetë te kriteri për kandidatin që është banor i Komunës së Gjilanit dhe kandidatin vendës në fshatin ku ndodhet shkolla.

Shukrije Rapuca e Leonora Bunjaku (PDK) kanë kërkuar që të ulet edhe kriteri i shkathtësive në interpretim profesional, për 0.50 pikë, duke thënë se ky është një kriter i panevojshëm. Opozita (PDK e VV), përfshirë edhe AAK-në, kanë pasur vërejtje edhe për disa kritere të tjera, siç është barazimi i përvojës së punës me vitet e pritjes për punësim dhe të tjera.

Shukrije Rapuca (PDK) ka thënë se me kriterin e shkathtësive profesionale nuk është pajtuar as në të kaluarën dhe nuk pajtohet as tani, sepse është kriter për manipulim. Leonora Bunajku (PDK) ka thënë se duhet të ketë dallim në vlerësim të përvojës së punës dhe kohës së pritjes. Ajo ka thënë se po përdoren kritere të dyfishta. Përvoja e punës duhet të vlerësohet më tepër se koha e pritjes, ka thënë Bunjaku.   

Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se drejtori i shkollës, në cilësinë e anëtarit të komisionit intervistues, duhet të ketë më tepër mundësi poentimi se dy anëtarët tjerë, ndërkaq ka kërkuar që vlerësimi me pikë për kandidatin vendës të hiqet krejtësisht. Sa i përket kriterit të përvojës dhe pritjes, Sylejmani ka thënë se pritja duhet të poentohet më tepër.

Edhe Ajtene Shahiqi (AAK) është pajtuar që pritja duhet të vlerësohet me më tepër pikë se përvoja e punës

Kthehu mbrapa

Shto koment