MIGJENIT - Në 80 vjetorin e vdekjes

04.01.2018 (komentet: 0)

Dimitrov Popoviq

MIGJENIT

- Në 80 vjetorin e vdekjes -

 

...Kanë me fry erërat prapë mbi këtë vend.
Lisat kanë me u kalbë e prapë kanë me mbi.
Dhe njerëzit gjithnjë
do të mbajnë në mend
Ty dhe "Bijtë e shekullit të ri"!!

Kanë me mësy faltoret me duar e me sy,
do t’ lypin nëpër botë sendet që të çmallen.
Do presin të takohen
dhe të pyesin prapë ty:
- “A thua shekujt prapë me ne do të tallen?“

Kanë me fry erërat prapë përmes reshë
qiellin prapë kanë me therë kryqat e minaret.
Grushti i paligjshëm
nuk na kënaqi “tuj u qeshë”,
se teshtijnë fort fushat dhe kolliten malet.

Dhe Ti mos u ngut përgjigjen me ua kthye,
se nuk do kenë kohë serish me t’pa si n’mjegull.
„Kafshatën që s'u kapërdi“ -
kush nuk mundi me e shlye,
as bijtë e ri që erdhën në këtë shekull...

...Kanë me fry erërat prapë mbi këtë vend.
Lisat kanë me u kalbë e prapë kanë me mbi.
Dhe njerëzit gjithnjë
do të mbajnë në mend
Ty dhe "Bijtë e Shekullit të Ri"!!

Janar, 2018

Kthehu mbrapa

Shto koment