MËSIMDHËNËSIT ME KONTRATA TË PËRHERSHME PUNE

28.01.2015 (komentet: 0)

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit,është duke e dizajnuar një kontratë model për mësimdhënësit e cila do të shërbejë për të gjitha komunat.

 

Albana Karaj

Së shpejti mësimdhënësit e Kosovës nuk do të kenë më kontrata një vjeçare, por kontrata pa afat. Ministria e Arsimit në Bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit ka dizajnuar një model kontrate unike për mësimdhënësit, e cila do të fillojë të zbatohet së shpejti. Kjo është e paraparë edhe me legjislacionin në fuqi, të cilin nuk e kanë zbatuar komunat.

Edhe pse me legjislacionin në fuqi, kontratat e mësimdhënësve do të duhej të ishin pa afat, kjo kryesisht nuk është zbatuar nga drejtoritë komunale të arsimit. Duke parë se kontratat një vjeçare kanë sjellë probleme të vazhdueshme, Ministria e Arsimit ka vendosur të hartojë një kontratë unike për të gjithë mësimdhënësit e Kosovës, e cila do të jetë pa afat. Azem Guri, këshilltar i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën, se çështja e kontratave të mësimdhënëseve është e rregulluar shumë mirë me legjislacionin në fuqi dhe për këtë është vendosur që të mos ketë më kontrata një vjeçare.

“Ne u kemi preferuar drejtorive komunale të arsimit, meqë janë punëdhënëse pra bëjnë kontrata me mësimdhënësit dhe personelin tjetër shkollor, që kontratat të jenë pa afat. Me përjashtim rastet kur mësimdhënësi punësohet për herë të parë e ka një kontratë provuese një vjeçare dhe kur mësimdhënësi nuk është i kualifikuar për vendin përkatës të punës. Mund të ketë kualifikim por nuk është për vendin përkatës të punës.”

Guri bëri të ditur se është dizajnuar një kontratë unike dhe pritet që së shpejti t’i jepet edhe forma përfundimtare.

“Kemi rënë dakord në bashkëpunim me Kryesinë e Kolegjiumit të drejtorëve të arsimit, kemi pasur një takim këtë javë dhe kemi dizajnuar një model kontratë për mësimdhënësit, e cila do të shërbejë për të gjitha komunat se si duhet të rregullohet. Kjo është vetëm e dizajnuar, shumë shpejt do t’i jepet forma përfundimtare për arsye se i është përcjellë zyrës ligjore për të parë se a jemi thirrur në legjislacionin në fuqi, në mënyrë që mos të kemi vështirësi.”

Çështja e kontratave të mësimdhënësve është dashur të rregullohet nga komunat, tha Guri, duke shtuar se tash e tutje me hartimin e kontratës pa afat, drejtoritë nuk do të kenë mundësi të bëjnë lëvizje me ndërrimin e pushteteve. Zbatimi i kontratës unike pritet të fillojë së shpejti. Kjo çështje është e rregulluar edhe me kontratën kolektive e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit./rtk/

Kthehu mbrapa

Shto koment