Mësimdhënësit e Gjilanit: Mos na lini pa punë

11.05.2014 (komentet: 0)

Rreth 75 mësimdhënës të shkollës së mesme “Marin Barleti” në Gjilan, i kanë shkruar MASHT, Lutfi Hazirit dhe Nazmi Musës një kërkesë ku kanë shprehur shqetësimet e tyre për shuarjen e klasave të 13-ta, ku gjysma e mësimdhënësve të kësaj shkolle pritet të mbeten pa orë. Mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë kërcënuar me grevë dhe ndërprerje të mësimit nëse nuk respektohen kërkesat e tyre.

Infokusi Images


Shuarja e klasave të trembëdhjeta dhe zvogëlimi i paraleleve në nivel Kosove - në veçanti në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”- ka detyruar Këshillin e Arsimtarëve të kësaj shkolle në Gjilan që t`i drejtohen MASHT-it, kryetarit të Komunës, Lutfi Hazirit, dhe drejtorit të Arsimit në Gjilan, Nazmi Musës, që të marrin parasysh kërkesat e këtij kolektivi, i cili nga shtatori i këtij viti rrezikon të humbas numrin dhe që gjysma e mësimdhënësve rrezikohen të mbesin pa orë.

“Duke pasur parasysh këto shqetësime dhe gjendjen reale të shumë mësimdhënësve, ne, kolektivi i Shkollës, në mënyrë unanime kemi vendosur dhe kërkojmë nga organet kompetente arsimore që në SHME ‘Marin Barleti’ të mos zvogëlohet numri i paraleleve, që numri i nxënësve në paralele të jetë nga 20 deri 25, sipas kontratës kolektive, dhe që asnjë nxënësi të mos i mohohet zgjedhja e drejtimit”, thuhet në kërkesën zyrtare që kjo shkollë ia ka dërguar organeve arsimore, raporton Rajoni Press.

Gjithashtu, të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle - thuhet në kërkesë - unanimisht kanë vendosur që në rast të mos zbatimit të kërkesave, ata “të marrin hapa konkret, duke filluar me ndërprerjen e mësimit për një orë mësimore, mos përmbushje të detyrave administrative në shkollë dhe grevë sipas kontratës kolektive”.

Kthehu mbrapa

Shto koment