Mëkatarët (tregim)

13.08.2013 (komentet: 0)

 

Në të dy brigjet e lumit ku shpërlahej dielli, perëndia përmes stinës e kishte veshur gjelbërueshëm atë pjesë, por me nuanca të shumta, duke e shndërruar në një panoramë ekzotike që veç mundesh  për ta imagjinuar, pa besuar se mund të ekziston ndonjë vend i tillë me aso pamjesh që të rrëmbejnë. E, kulmi i kësaj pikture të gjallë, që do t’ua kishin lakmi edhe maestrot më të mëdhenj të penelit, padyshim që ishte shtati i një shtojzovalle, ulur në skaj. Më tepër do të thosha, ishte gjysmë e shtrirë, tek përpiqej që etjen e trupit të saj, ta shuante në rrjedhën e kthjellët pasqyrë, të këtij lumi.

 

Cicërimat e zogjve ishin shpeshtuar më tepër se kurrë më parë, mes drunjve, nga të dyja anët, e nuk mbahet mend që ajo pjesë e lumit të ketë qenë aq e pëlleshme me peshq. As rrezet, që kishin shtuar fuqinë, nuk rezistonin dot, por duke bërë hile mes vete, përplaseshin pingulthi në pika uji, sikur donin fillimisht të merrnin freskinë e duhur, për t’u thyer pastaj në krejt shtatin e saj, por se, si hileqare që ishin, edhe ato dinin në cilat pjesë të rrezonin më tepër.

 

Sikur të mos ishte një trup femre por një drenushë. Bukurinë e saj nuk ua fshihte të bukurës natyrë.  E zhveshur si maje shkëmbi tregonte gjithçka. Donte të ishte e pushtuar, në çdo pjesë nga ajo puhi e lehtë freskuese që e mundësonte moti.

 

Trupi i saj si vullkan para shpërthimi, bënte ashiqare ftesë, të pashkruar por të kuptueshme, për ta parë syri i kujtdo. E flokët e saj të gjata, ta kujtonin përrallëzën e Flokartës. Ato fije floku dredhë-dredhë, ishin të vetmet që mbulonin aq sa mund të mbulohej nga to, për t’i ruajtur së paku ato pjesë të trupit nga dënimi në Ditën e Gjykimit.

 

E ajo “ftesë”, që si me Kodin Morse e dërgonte përmes lëvizjeve të trupit epshndjellës, kapej përgjatë rrugëtimit. Shushurimë në plotë kaçuba përreth. Shumë palë sy mëkatonin. Të etur e të pa ngopur, mbusheshin imazhe të rralla për to, të paimagjinueshme për t’i pasur patroni i tyre edhe nëpër ëndërr. Askush nuk fliste. Nuk ishte koha për gojë. Syri ishte mbretërues. Por në kokat e secilit vlonin mendimet krejt epsh. Edhe kur donin t’i thoshin njëri tjetrit diçka, e bënin përmes shikimit mëkatar, e fjalët thuheshin në tru, që tani më i kishin të pushtuara krejtësisht nga hormonet e dashurisë.

 

Në kokën e njërit, si poemë radhiteshin vargjet: “Lutem të bëhem pikë uji/ të buroi aty ku ka fillin ky lum/ për të marrë hovë/ e ardhur me shpejtësinë e paparë/  deri në këtë pikë/ të më marr ajo dorë e bekuar/ e të vlojë nga kënaqësia e të qëndruarit në shuplakën e butë mëndafsh/  Pastaj ta përjetojë edhe unë hedhjen martirizuese në gjoksin ftua/ për të rrëshqitur, rrëshqitur e rrëshqitur/ me ngadalësinë e paimagjinueshme/ deri në thithka/ për të qëndruar ashtu varur si ujëvarë Mirushe/ deri sa të shkëputem/ pa dashjen time/ drejt fund barkut/ për t’u tretur i tëri brenda poreve diku nën kërthizë/ mbi atë flutur krahëhapur/..., për të shënuar kështu një flijim të tillë që nuk ka kush në këtë botë, që nuk do ta donte për vete”.

 

E flutura njëngjyrëshe, që dridhej sa herë lëvizte ai trup, të bënte të mendosh se atë ka mund ta bëjë vetëm një profesionist unikat i tatuazheve, sepse i kishte dhënë jetë asaj dhe të bënte të besosh se në çdo moment mund të fluturonte nga ajo pjesë që për të ishte panteon.

 

E në kokën e tjetrit, që nuk ngihej frymë dot, gati sa nuk avulloheshin mendime të tilla që rrisin bebëza e skuqin të bardhët e syrit. “Po të më duhej të hiqja dorë nga shqisat, përveç njërës, do ta mbaja atë të prekjes, sepse tani që pashë, aq sa pashë, edhe i verbër do të shihja. Nuk do të më shqiten dot më këto imazhe. Kurrë! E prekja!  O Zot!. Nuk jam kanibal, por në këtë rast do të bëja përjashtim!”  Ishte kjo fantazia që qarkullonte në mendjen e tij. 

 

Edhe në kokën e të tretit, të katërtit... në kokat e të tjerëve, derdhej llava erotike e shkruheshin poema dashurish, për aq sa shkaku i atyre shikimeve, ferri të ishte i garantuar për ta.

 

Përplot mëkatarë në këtë breg, e në atë breg, në këtë kaçubë, e në atë kaçubë. E, Drenusha pran lumit, e patrembur, vazhdonte t’i jepte gjoksit ujë të freskët, e goja e saj nxirrte lehtësisht tinguj të tillë që herë i ngjasonin ofshamave të kënaqësisë, e herë vinin si një melodi këngësh bilbili. Cilado që të ishte prej këtyre dyjave, ndjehej se ishte diçka thellësisht shpirtërore.

 

E kur puhia apo lëvizjet e vajzës shtojzovalle e bënin sadopak të vetën, që ato fije floku ta lironin edhe atë pak pjesë të mbuluar më parë, atëherë tek të gjithë ato palë sy, ndodhte shkarkimi shpirtëror.

 

Trupi i saj i lagur tani më edhe më shumë reflektonte rrezen e diellit, e që detyronte syrin të jetë edhe më i përkushtuar për të parë, nëse donte të shihte atë çfarë duhet parë. Ku e di se cila ishte gjendja mendore dhe shpirtërore në ato momente, e atyre që prapa kaçubave mëkatonin me dashje, por se një gjë dihej. Ata ishin të trazuar. Shumë të trazuar. Sikur shumëçka përreth. Të vetmet që nuk trazoheshin, madje as që e kishin ndërmend ta bënin një gjë të tillë, ishin: Ajo, Rrezet e Diellit dhe Rrjedha e Lumit.  /Muhamet HALILI/

Kthehu mbrapa

Shto koment