Matoshi: Politika pengoi zgjedhjen e Erson Zymberit, drejtor të Teatrit të Gjilanit

30.08.2016 (komentet: 0)

Anëtarja e Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit, ka akuzuar kreun e këtij këshilli, Sabedin Shahiqin se ka gënjyer publikisht kur ka deklaruar se Këshilli Drejtues nuk ka mundur ta zgjedhë kandidatin për drejtor, edhe pse kjo gjë ishte kryer, ditën kur është kryer intervistimi.

 

Anëtarja e Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit, Ardiana Matoshi ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me konkursin e fundit për drejtor të këtij institucioni, i cili u anulua të hënën.

Matoshi e cila ka qenë njëra prej anëtareve që ka bërë vlerësimin e kandidatëve ka theksuar se kandidati më i suksesshëm dhe më vlerësuar me pikë dhe në diskutimet e komisionit ka qenë Erson Zymberi. Ajo ka sqaruar se ka qenë në dijeni se, lidhur me pozitën e drejtorit të TKK-së, ka pasur presione politike që të zgjedhet një kandidat tjetër.

“Pas kësaj, z. Sabedin Shahiqi, ka deklaruar dhe ka pranuar para Këshillit Drejtues, se ka presion politik nga zyra e kryetarit të komunës për zgjedhjen e Bashkim Nexhipit dhe se ka frikë se nuk do ta pranojë emrin e Erson Zymberit, si kanditati më i suksesshëm”, ka shkruar ajo.

Matoshi ka akuzuar kryetarin e Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit se në vend se të merr një vendim bazuar në vlerësimet e komisionit, ai ka shpërfillur vendimin e anëtareve të Këshillit Drejtues dhe ka kërkuar që të bisedojë me Kryetarin e Komunës rreth kësaj ҫështje. 
“ Pas kësaj, unë personalisht e kam kontaktuar disa herë z. Sabedin Shahiqin për të ditur se cfarë po ndodhte, dhe kemi kërkuar ngai ai si kryetar të na caktojë një takim me z.Lutfi Hazirin, por përgjigja e tij ka qenë se kryetari nuk është këtu të hënën, do ta caktojmë të mërkurën takimin, pastaj të premten, e kështu me rradhë nuk ka caktuar as takimin me të”, ka shkruar Matoshi.

Anëtarja e Këshillit Drejtues thekson se kryetari Sabedin Shahiqi më vonë ka anuluar konkursin në mënyrë të njëanshme pa u konsultuar me anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues. Ajo ka akuzuar kolegun e saj se ka gënjyer publikisht kur ka deklaruar se Këshilli Drejtues nuk ka mundur ta zgjedhë kandidatin për drejtor, edhe pse kjo ishte bërë pikërisht ditën kurështë kryer intervistimi. Matoshi sqaron se kjo deklaratë e ka prekur tej mase atë si artiste dhe ka njollosur emrin e të gjithë anëtarëve tjerë të Këshillit Drejtues dhe përmbën shkelje ligjore. /KultPlus.com

Kthehu mbrapa

Shto koment