Manifestim kulturor dhe artistik që zbuloi vlerat etnokulturore të popullit shqiptar në Kosovë ...

30.06.2012 (komentet: 0)

Nga manifestimi kulturor i “Etnofestivalit” në fshatin Kukaj të Gjilanit

Fshati Kukaj shtrihet në trekëndëshin Slivovë, Artanë, Marec, njëzet e tre kilometra larg Prishtinës i cili gjatë luftës së fundit ishte goditur rëndë nga forcat ushtarake-policore serbe. Gjatë qëndrimit tonë në këtë lokalitet hasëm në një qetësi absolute. Aty dëgjohej vetëm gurgullima e ujit të kroit të fshatit, zhurma e ndonjë sharre motorike nga pylli. Në këtë fshat kishte mbetur vetëm mësuesi i fshatit i cili kur filloi të fliste për shkollën sytë iu mbushen me lot. Aty dëgjohet zhurma e qarkullimit të makinave, traktorëve e veçmas të disa kamion transportues të mbushur me material ndërtimor. Gjatë qëndrimit tonë vërejtëm se diçka në këtë lokalitet ka fillua për së mbari; shumë aktorë e regjisorë të njohur nga anët e ndryshme të Kosovës kishin fillua ndërtimin e objekteve që do të jenë në shërbim të artit dhe kulturës, por banoret e fshatit prapë mungonin, shtëpitë ishin të zbrazura, shumica e mureve e dyerve të oborreve ishin rrënuar nga dora kriminale serbe.

Hasan Hasanramaj

 

 

 

Atë ditë, gjatë qëndrimit tonë në këtë lokalitet, hasem shumë aktorë dhe qytetarë që kishin ardhur për të përcjellë Etnofestin nga anët e ndryshme të Kosovës e vendeve të tjera. Aty na ra në sy shtëpia e mësuesit të fshatit e cila kishte marrë një pamje tjetër, në oborrin e mbuluar me pemë ishin ndërtua dy amfiteatro, kurse në një ambient tjetër të hapur ishte ndërtuar Etnoteatri me oxhak në ballë dhe shumë ndërtime të tjera në funksion të teatrit dhe të shfaqjeve të tjera teatrore. Të gjitha këto adaptime e ndërtime i kishte bërë prof. Fadil Hysaj, duke filluar që nga dera e oborrit e deri te Etnoteatri. Edhe gardhi i oborrit reflektonte art...

 

 

Etnofesti ishte një manifestim kulturor e artistik, qëllimi i të cilit është që nëpërmjet shfaqjeve teatrore, ekspozitave figurative dhe etnoperformacave me karakter arkaik dhe kontemporan të zbulojë dhe të rinjohë vlerat etnokulturore të popullit shqiptar në Kosovë.

 

 

Ky manifestim pos tjerash kishte për qëllim ruajtjen dhe afirmimin e vlerave tradicionale nga trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar në Kosovë me kusht që nga breznitë e reja të dinë më shumë për traditën, për doket, për zakonet dhe për mënyrën e të jetuarit në të kaluarën në troje tona stërgjyshore, ku për së afërmi na ofrojnë mundësi ta njohin apo ta rinjohin një pjesë gati të harruar nga e kaluara e popullit shqiptar.

 

 

Ky Festival kishte karakter multimedial me tri programe themelore që kanë bazë etnotraditën, e këto do të realizohen nëpërmjet: shfaqjeve dhe përformanca teatrore, ekspozitave dhe instilacioneve figurative, koncerteve, riteve arkaike dhe përformancave kontemporane me etnopërmbajtje nga tradita e lavdishme e popullit shqiptar.

Ditët e nxehta të kësaj vere në fshatin Kukaj, si na tha bashkëbiseduesi ynë - aktori i mirënjohur Ismet Krasniqi, pikësynim i shumë artdashësve nga të gjitha trojet shqiptare kishte të mbërrijë lajmi deri në Amerikë e largët se në fshatin Kukaj të komunës së Gjilanit po mbahet “ETNO FESTI”. Fshati vite me radhë kishte heshtur. Tani ai u bë i zhurmshëm, aty u hap edhe një bufe për t’i shërbyer mysafirët me kafe e me pije freskues, me ujë të ftohtë, afër hyrjes së Etnoteatrit ishte në përfundim e sipër meremetimi i kroit të fshatit që në asnjë moment nuk e la fshatin pa zhurmën nga i cili pa ndërprerë rridhte uji i ftohtë, cili nuk shteri kurrë edhe në ato momente kur banoret e fshatit ia kthyen shpinën lokalitetit të tyre, por vazhdoi të gurgullojë.

 

 

Organizatorët e Etnofestivalit, në krye me Fadil Hysajn, ishin aktorët kryesorë të përgatitjes dhe të mbajtjes të festivalit dhe pritjen e shumë dashamireve të këtij festivali nga anët e ndryshme të Kosovës e vendet e tjera për t’i drejtuar njerëzit kah duhet të mbërrihet në fshatin Kukaj, i cili këto ditë ishte i mbushur me makina e autobusë në të cilin kishin arritur grupe artistike, qytetarë e figura të njohura të artit skenik dhe të kulturës, aktorë e regjisorë të moshave të ndryshme, gazetarë e mysafirë të tjerë të botës shqiptare. Me rastin e hapjes të këtij manifestimi kulturore dhe artistik i zoti i shtëpisë, Fadil Hysaj i përshëndeti të pranishmit dhe të i falënderoi për prezencën, e sidomos grupet artistike, të cilave u dëshiron sukses. Njeri nga organizatorët kryesorë të festivalit, aktori Alban Makolli, i cili lëvizte si “drugëza” andej e këndej për ta njohur publikun me renditjen e çdo pjesë të programit i cili zgjati pesë ditë radhazi në skenën e këtij festivali.

 

 

Ky manifestim kulturor-artistik startoi me ansamblin me ritet e punës, fejesën, dasmën sipas traditës, me lodra të ndryshme, njëra prej tyre - më e dalluara, pjesa e Opojes “Loja e pehlivanëve” e tërë kjo u zhvillua nën tingujt e surles e tupanëve.

 

 

Deri lart në kodrat e fshatit Kukaj e rrethinë dëgjohet kënga e vajzave, e shahirëve, pastaj shfaqjet e dramës nga aktorë të njohur të Kosovës, si dhe shfaqje skenike të studentëve, të cilët diplomuan në Fakultetin e Arteve - Dega e Aktrimit. Në gardhin e oborrit të thurur me thupra në mënyrë interesante ishte hapur ekspozita nga artet pamore.. Ekspozita e grafikeve të Fatmir Krypës.

 

 

E terë skena brenda e jashtë ishte ndrequr me koloritin shumëngjyrësh sipas skenave nga ekipi i ndriçimit të teatrit “Dodona” në krye me kryemjeshtrin Skënder Latifin. Ishte interesant dhe e veçanta e këtij festivali se publiku nuk ulej në karrige luksoze, por secili me vete mbante shkëmbin me tri këmbë dhe kudo që luhej shfaqja shkëmbin e merrnin me vete. Në pjesë të veçanta të kuzhinës, aty afër, tymonin pandërprerë dy oxhaqe. Aty vinte një aromë e mirë...diçka po zihej ...po përgatitej ushqimi në mënyrë tradicionale në kazanë të mëdhenj. Në anën tjetër përgatiten fërlitë e pitet. Ky truall vite me radhë kultivoi folklorin, këtu kënduan rapsodët e mëdhenj të folklorit shqiptar Salih, Feriz e Ali Krasniqi. Në këtë truall lindi dhe u rrit rapsodi i mirënjohur i këngës folklorike Zejnullah Bajrami, i cili edhe tani me këngën e tij ishte prezent në festivale të ndryshme të folklorit shqiptar.

 

 

Me të përfunduar të programeve, aty kah mesnata, nikoqiri i fton të pranishmit në “Sofrën me ushqime tradicionale”, ku erdhi vegshi prej dheu me fasule e gullash, zbrazej në një pjatë të metaltë e vendosur në mes të sofrës. Të gjithë hanin në një pjatë pastaj vinin fërlitë e pitet....

Ky festival, sipas prof. Hysaj, në vitin e ardhshëm do të jetë më i gjatë dhe do të ketë karakter ndërkombëtar. I njëjti do të avancohet dhe do të mbetet e veçanta, jo pse është i pari, por pse ia ktheu jetën fshatit Kukaj, ku tani oxhaqet prapë filluan të tymojnë e kënga e bukur e gjelave lajmëronte ardhjen e mëngjesit të ri. Në radhë të parë merita për këtë i takon prof. Fadil Hysajt dhe të gjithë atyre që kontribuuan në çfarëdo forme për mbajtjen e festivalit të Etnofestit në këtë fshat piktoresk të Gjilanit.

Kthehu mbrapa

Shto koment