Literatura shkollore shkon në diasporë

30.03.2012 (komentet: 0)

Ministria e Diasporës ka shpërndarë libra shkollorë në gjuhën shqipe në bibliotekat shkollore të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe Francës. Kjo ministri ka shpërndarë edhe literaturë shkencore për bibliotekat e qytetit të Cyrihut dhe atë të Lincit në Austri.

Literatura shkollore, e cila është pjesë e sistemit arsimor në Kosovë dhe ishte paralajmëruar nga kjo ministri se do të dërgohej në diasporë, është dorëzuar tek kompetentët e shkollave për t’iu dhënë mundësinë e leximit fëmijëve shqiptarë që vijojnë shkollat gjermane, austriake, franceze...me qëllim të ruajtjes së identitetit dhe integrimit të plotë në shoqërinë ku ata jetojnë.

Në Gjermani literatura shkollore është shpërndarë për 28 shkolla. Kjo literaturë është vendosur kryesisht në shkollat e Shtutgardit. “Shkollat me më shumë nxënës shqiptarë kanë marrë deri në dy komplete me 124 ekzemplarë me libra, ndërsa ato me më pak nxënës deri në 62 ekzemplarë”, ka thënë për “Zërin” udhëheqësi i divizionit për arsim në Ministrinë e Diasporës, Ymer Avdiu.

Ai ka bërë të ditur se edhe në shtetin zviceran në dhjetë ditët e fundit, në tetë biblioteka shkollore janë shpërndarë nga 310 ekzemplarë për secilën shkollë. “Në këtë shtet, literatura shqip është vendosur edhe në bibliotekën e Cyrihut “Pestaloci”, për të cilën janë dhënë rreth 90 tituj me 270 libra me përmbajtje shkencore nga historiografi a, letërsia, monografia…”.

Biblioteka e qytetit, e cila është pajisur me libra nga Ministria e Diasporës, ka qenë edhe ajo e Lincit në Austri, në të cilën janë dhuruar 270 libra me 92 tituj. Literatura është shpërndarë edhe në shtetin francez.

Në Austri, sipas Avdiut, edhe për biblioteka shkollore janë shpërndarë libra, prej gjithsej 310 libra për tri biblioteka shkollore. “Në këtë shtet është ndarë edhe një komplet libra për fëmijë parashkollorë”. 

Kthehu mbrapa

Shto koment