Ligji kundër duhanit nuk respektohet mjaftueshëm

31.05.2012 (komentet: 0)

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Duhanit, Drejtoria e Arsimit në Gjilan, në bashkëpunim me nxënës, mësimdhënës, prindër dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit kundër duhanit, ka zhvilluar një varg aktivitetesh, të cilat kishin për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi pasojat që sjellë pirja e duhanit.



Në një debat përmbyllës, ku kanë marrë pjesë katër shkolla të kësaj komune, të cilat kanë qenë pjesë e projektit për parandalimin e duhanit nëpër institucionet arsimore, psikologja Shqipe Kastrati – Haziri ka thënë se janë bërë vizita nëpër institucione komunale, arsimore, shëndetësore, hoteliere si dhe hapësira publike, për të parë se sa zbatohet ligji kundër duhanit.

Nga pjesëmarrësit në debat është konstatuar se ligji kundër duhanit nuk respektohet mjaftueshëm, pavarësisht se dihen pasojat nga duhanpirja. Gjimnazistja Gentiana Isaku tha se duhani është shkaktar kryesor i shumë sëmundjeve, me pasoja të rënda për shëndetin tonë, derisa konstatoi se kjo dukuri është e pranishme edhe tek nxënësit dhe mësimdhënësit.

Duke iu referuar një sondazhi, ajo ka thënë se rreth 40 për qind e të rinjve pinë duhan nëpër ambiente shkollore, duke kërkuar që kjo dukuri të ndalohet rreptësisht, nëse synojmë një shoqëri të shëndoshë dhe të zhvilluar. 

Kurse filloristja Genta Ymeri tha se gjatë vizitave që kanë bërë në terren, kanë vërejtur se ligji për ndalimin e duhanit në vendet publike, nuk respektohet, derisa Nita Pocesta ka nënvizuar faktin se tymi i duhanit përmban më shumë se 4 mijë kimikalie dhe një numër i tyre, rreth 50 për qind, janë shkaktarë të kancerit. 

Nxënësit tjerë kanë thënë se duhani nuk dëmton vetëm duhanpirësit, por edhe njerëzit përreth, sepse edhe ata në njëfarë mënyre bëhen duhanpirës pasiv, që në pikëpamje të dëmtimit të shëndetit, nuk dallon shumë nga ata që janë konsumues të drejtpërdrejt.

Shqetësimi i tyre kryesor ishte se si një numër kaq i madh i njerëzve në botë, por edhe përreth pinë duhan, ndonëse janë të vetëdijshëm se duhani është rruga e vdekjes së parakohshme dhe të vështirë. 

Përndryshe, në kuadër të ditës kundër duhanit, që kishte për qëllim të përcjellë mesazhin “Duhani dëmton seriozisht shëndetin”, grupe nxënësish, në mënyrë të organizuar kanë shpërndarë fletëpalosje me informata rreth pirjes së duhanit. /2loline/

Kthehu mbrapa

Shto koment