LICENCOHEN 100 MËSIMDHËNËSIT E PARË

28.06.2012 (komentet: 0)

Në një ceremoni solemne, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me këshillin shtetëror për licencimin e mësimdhënësve, ka licencuar 100 mësimdhënësit e Republikës së Kosovës. Kjo është njëra ndër 100 aktivitetet e MASHT-it që do t’i organizojë në shenjë respekti të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm mësimdhënës dhe drejtorë të drejtorive komunale nga mbarë vendi. Me këtë rast, mësimdhënësit e licencuar i përgëzoi edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili tha se për të arritur deri tek kjo ditë është punuar vite të tëra.

"Kam kënaqësinë e veçantë që sot gjendem këtu dhe për nder të asaj që është shumë e madhe dhe domethënëse për ne, për nder të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe në mesin e 100 aktiviteteve që i kemi si simbolikë për këtë datë. Ne këtë gjë e kemi filluar që nga viti 2004, ku është qartësuar më shumë në vitin 2008, me anë të Udhëzimit Administrativ dhe në fund kemi mbërritur tek ky sublimim i 100 licencave të para dhe natyrisht që kjo mbështetet tek kualifikimi dhe puna e juaj, asgjë s’ka ndodhur rastësisht”, ka thënë ai.

Zëvendësministri i MASHT-it dhe njëherësh kryetar i këshillit shtetëror për licencimin e mësimdhënësve, Nehat Mustafa, ka thënë se sistemi i licencimit do të përbëhet nga katër komponentë, siç janë zhvillimi profesional, vlerësimi i performancës, licencimi si proces i ndarjes fizike të licencave dhe avancimi i kualifikimit të mësimdhënësve

“Këshilli shtetëror për licencimin e mësimdhënësve dhe Ministria e Arsimit ka arritur që ta realizojë vizionin të cilin e ka ndërtuar në vitin 2008 kur kemi filluar procesin e licencimit. Ju e dini shumë mirë se atëherë në gusht të vitit 2008, kur e kemi bërë rritjen e pagave dhe të cilën e kemi arsyetuar me ndryshimin në paga komfor kualifikimit të mësimdhënësve. Që atëherë kemi vendosur që të ngritim një sistem të licencimit i cili do të përbëhet nga katër komponentë, siç është zhvillimi profesional, vlerësimi i përformancës, licencimi si proces i ndarjes fizike të licencave dhe avancimi i kualifikimit të mësimdhënësve”, ka thënë ai.

Në fund të kësaj ceremonie, Ministri Buja ndau licencat për 100 mësimdhënësit e parë të Republikës së Kosovës Ministri Buja, të cilat do t’u ndihmojnë atyre për avancimin e mëtutjeshëm profesional dhe sigurimin e vendeve të punës. Procesi i licencimit të mësimdhënësve kosovarë është përkrahur nga USAID-i, GIZ-i, Banka Botërore dhe donatorë të tjerë.

Ministria e Arsimit me procesin e licencimit të mësimdhënësve synon të krijon një sistem koherent të licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, drejtorëve dhe administratorëve, mbi bazën e kualifikimit, përvojës, zhvillimit profesional, performancës, e në veçanti në krijimin e strukturës menaxhuese buxhetore përkitazi me këtë sistem.

Kthehu mbrapa

Shto koment