LDK: Arsimi gjilanas me një mal problemesh

16.06.2012 (komentet: 0)

Arsimi gjilanas ballafaqohet me sfida të rënda, ka një mal problemesh në të dhe për këtë fajtor janë edhe Drejtoria Komunale e Arsimit DKA e edhe Ministria e Arsimit MASHT. Kështu kanë thënë zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Gjilan.

 

Përfaqësues  nga sektori i arsimit të LDK-së thanë se gjendja aktuale e arsimit në Gjilan, me hiq apo pak ndryshime është e lidhur dhe e kushtëzuar me arsimin ne Kosovë, në përgjithësi me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Sot arsimi në Kosovë, posaçërisht në  Gjilan po vazhdon të kalojë nëpër sfida të renda.

Saranda Bllaca, nënkryetare e komisionit të Arsimit të LDK-së duke folur për vërejtjet konkrete përmendi faktin e Gjimnazit ku sipas saj vetëm 13 kompjuter funksional për një shkollë me mbi 2 mijë e 600 nxënës  është tregues i qartë i gjendjes aktuale në këtë sferë. Ajo tha se edhe në  shkollën fillore “Musa Zajmi” ka klasa që ende punohet me banka pa mbështetje dhe që ngjajnë sikur të ishin pas Luftës së Dytë Botërore.

Bllaca tha se suksesi i nxënësve  në përfundim të këtij viti mësimor në shkollat e mesme është i kënaqshëm po të jetë real, por numri i mungesave të nxënësve është jashtëzakonisht i madh. Po ashtu  Ministria e Arsimit edhe këtë vit, si përherë, organizoi dobët testin e maturës si në aspektin teknik, ashtu edhe atë përmbajtjesor, ku testet nuk kanë qenë në përputhshmëri me plan programin mësimor.

Sipas saj, nuk ndërmerren masa disiplinore ndaj shkelësve të ligjit të arsimit dhe rregulloreve në fuqi, derisa edhe siguria e nxënëseve dhe e mësimdhënësve nuk është ne nivel të duhur,

Bllaca tha se disa drejtorë të shkollave më shumë preokupohen me probleme politike, duke e hequr nga shkolla fotografinë e ish presidentit Dr. Ibrahim Rugova, se sa me zhvillimin e procesit mësimor dhe rezultatet e punës.

Ajo ishte kritike edhe sa i përket ekskursioneve të nxënësve, që siç  u shpreh Bllaca,  janë shndërruar në biznese duke ndryshuar krejtësisht karakterin dhe qëllimin e tyre, të cilat janë jashtë planprogramit mësimor.

Bllaca tha se një numër i mësimdhënësve që janë pranuar me konkurs në shtator të vitit 2011, deri në muajin shkurt të këtij viti, kanë qenë jashtë listës së pagave dhe tani 5 muaj DKA nuk i ka paguar fare këta mësimdhënës.  Po ashtu, sipas saj, ka një numër të madh të padive gjyqësore nga punëtorët që nuk janë pranuar në arsim sipas konkursit të vitit 2011, si dhe mbi 50 padi janë ngritë nga pensionistë, ish punëtorë te arsimit të cilëve nuk u janë paguar 3 paga të cilat u takojnë me ligj.

Bllaca ka përmendur edhe shumë vërejtje tjera si shkolla të mbingarkuara, mungesa e inventarit, e kabineteve, bibliotekave, sallave të edukatës fizike, pajisjeve me internet, etj, 

Duke folur për pastërtinë dhe higjienën nëpër shkolla, Bllaca tha se ajo mbahet nga kompani private të cilat nuk i paguajnë punëtoret me rregull, andaj edhe puna e tyre është jo në nivel;

Po ashtu, për arsye të planifikimit jo të mirë buxhetor dhe numrit të nevojshëm të stafit mësimdhënës dhe teknikë nëpër shkolla, 60 punëtorë teknikë janë bërë barrë e buxhetit komunal të cilët duhen të paguhen me rregull, ka thënë Bllaca.

Ndërsa,  Nazmi Musa  po nga ky sektor i LDK-së  përmendi si shembull kur vetëm nga një klasë janë bërë 2 mijë mungesa dhe nuk ka pas kurrfarë përgjegjësie, e që sipas tij i bije që kjo të jetë stimulim edhe për të tjerët.  Ndërsa duke folur për sigurinë ai tha se kur mësimdhënësi rrihet dhe nuk ka kurrfarë reagime edhe kjo tregon nivelin e sigurisë në shkolla.

Ndërsa, Rashit Sahiti tha se nuk mund të bëhesh drejtor pa qenë militant i flaktë i partisë në pushtet  dhe më e keqja është se pastaj kemi raste  kur ata nuk e dallojnë dot Këshillin e klasës nga aktivet profesionale.

Përndryshe, anëtarë të Komisionit të Arsimit të  LDK-së thanë  se qëllim i vërejtjeve të tyre  dhe i rekomandimeve është përmirësimin i  punës në institucionet arsimore të komunës.

Ata kanë kërkuar që DKA t’i realizoj me përpikshmëri prioritetet dhe objektivat konkrete të planit vjetor të Drejtorisë për vitin shkollor 2012/2013 dhe ato që parasheh për vitin 2012/2013,, organizimi i ekskursioneve për maturantë të ndryshojë, jo vetëm për kohën kur mbahet, por edhe karakterin dhe pjesëmarrjen e nxënësve, mënyrën e financimi dhe stimulimit, të mbyllen kafiteritë përreth shkollave, të pajisen nxënësit me tekste mësimore sipas planit mësimor për shkollat dhe drejtimet profesionale.

Po ashtu të bëhet planifikimi dhe harmonizimi i buxhetit me nevojat prioritare, të mos përsëriten gabimet e vitit paraprak që të mbesin punëtorë arsimorë jashtë listave të pagave, të bëhen investime në infrastrukturë dhe orendi shkollore e sugjerime të tjera. /2lonline

Kthehu mbrapa

Shto koment