Kur poezia flet vet

08.12.2012 (komentet: 0)

Në kuadër të vjeshtës letrare, që organizohet nga Ars Club "Beqir Musliu", të shtunën në Gjilan, studiues e kritik arti, krijues e dashamirë të fjalës së shkruar, u mblodhën tok, për të bashkëbiseduar për poezinë e krijuesit gjilanas Xhevat Latifi.


Ky autor edhe e nisi këtë takim kulturor, që identifikohej me një titull të poezisë së tij, “Ma thuaj një fjalë të mirë” duke deklamuar njërën nga poezitë e tija,  për të vazhduar në heshtje  t’i dëgjojë të tjerët  tek flisnin për poezitë e tija, sepse ai tani më kishte folur përmes vargjeve të shpirtit të tij të trasuar në dy vëllime poetike “Vdekja kushton shtrenjtë” dhe “Shi në flokun tënd”.

Poezitë e Latifit u vlerësuan lartë nga  të gjithë ata që morën fjalën duke bërë një shpalim të mirëfilltë të poezisë së këtij autori. Studiues e kritik arti si, Flamur Maloku, Imer Topanica,  Avni Rudaku , Linditë Ramushi, Nexhat Rexha, Arsim Halili, Tahir Arifi e Aziz Mustafa, nuk përtuan të kapen edhe për vargun konkret të poezive përkatëse të Latifit, duke  vlerësuar se ai është “fajtori” që Gjilani e Kosova e kanë një poet të mirë, poezitë e të cilit vlerësohen për një veçanti të thellë dhe që e kërkojnë një lexues të hapur.

Përndryshe, poezia e Latifit ka kohë që i ka tejkaluar kufijtë provincial, duke u botuar edhe në gjuhë të tjera si në atë angleze, gjermane, frenge e rumune.

Poezitë e Latifit janë shpërblyer edhe në shumë konkurse letrare, ndërsa ai ka marrë pjesë edhe në  takime  të ndryshme poetike,  për të veçuar  takimin e poetëve shqiptarë në Shkup dhe Festivalin Ndërkombëtar të poezisë në Pogradec.

Vlen të theksohet se poezitë e Xhevat Latifit  janë të përfshirë edhe në Antologjinë në gjuhën angleze, një përmbledhje e 30 shkrimtarëve nga e gjithë bota, “Emanations’, të botuar  nga Internationals Authors 2012, me redaktor Carter Kaplan.

Xhevat Latifi jeton dhe vepron në Gjilan. Është poet, sociolog dhe gazetar.

“Ma thuaj një fjalë të mirë”, është një poezi e tij që po e sjellim për lexuesit e Portalit 2LONLINE.com, në dy gjuhë në të cilat është botuar. 

Ma thuaj një fjale të mirë
Xhevat Latifi

Ma thuaj një fjalë të mirë
Të shoh qiellin në sy liqeni
Ta ndjeje aromën e bukës n’çerep
Te pleqnueme në odë
Ta hap një portë dheu
Me thuaj një fjalë të mirë
Se Talia ka  intrigën aritmi moderne
Si sot,  si dje ...
Qe dymijë vjet  fjala e mire nuk plaket
As gjumi nuk e zë
Një fjalë vdekjen e tremb!

Say a good word to me
Xhevat Latifi

Say a good word to me
so I could watch the sky with a lake eye
so I could sniff the smell of fresh baked bread.
A word that it was given a lot of thoughts at the old men’s chamber
so I could open the gate of the underworld…
A good word, say just a good word to me
while Thalia* has chosen the intrigue’s rhythm
as her heartbeats for today,
the same as she did yesterday…
Since two thousands years ago, the good word
never grew old,
never fell asleep.
A good word scares the death to death!
________________
Thalia*- The muse of drama and comedy
Translated from Albanian, Majlinda Bashllari
/2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment