Kur edhe repriza e mbush sallën, atëherë diçka e mirë po jepet në skenë!

10.01.2015 (komentet: 0)

 

Kur Teatri ndodhet në një gjendje të rendë dhe me vite mbahet “gjallë” me zor, siç po ndodh në Gjilan, pasi nuk po gjendet akoma (ose më mirë të themi asnjëherë) një zgjidhje afatgjate, çdo shfaqje që ngjitet në skenë është më se e mirëpritur dhe një lloj infuzioni për këndellje. 

Por, kur edhe ajo shfaqje është e tillë që tërheqë bukur mirë publikun, atëherë shtohet shpresa se Teatri nuk do të jep shpirt kollaj, për faj të politikës që nuk po e trajton si duhet, por domosdo do ta marr veten dhe do ta ketë vitalitetin që do të duhej ta ketë një Teatër i një qyteti. Veçmas i një qyteti si Gjilani, që nganjëherë di të quhet edhe qytet i kulturës, me adutin e fortë që e ka, qytetarin-publikun e saj, që di ta vlerësojë e arsyetojë atë epitet për qytetin e tij, natyrisht nëse punohet rreth Teatrit, për Teatrin dhe në Teatër.

 

E, një shfaqje e tillë që u ngjit në skenën e Teatrit të Gjilanit si premierë në fund të vitit që sa po e lamë, e që mund të them se na disponoi dhe na i ndreqi edhe festat e fundvitit, ishte shfaqja “Mbledhja n’Parlament” e Ray (Raymond George Alfred) Cooney-t, në regji të Ekrem Sopit me aktorët: Avni Shkodra, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Tringa Hasani, Artan Selimi, Naser Zymberi, Gëzim Bucolli, Egzona Salihu, Rexhep Maloku e Gyner Halili.

 

Pa iu referuar asaj se me çfarë syri do ta shihte kritika teatrore dhe cili do të ishte vlerësimi i saj profesional, për shfaqjen “Mbledhja n’Parlament”, po i referohem vetëm publikut që po e thotë fjalën e tij, me praninë e saj të shumtë në sallë, edhe përgjatë reprizave, me të qenit pjesë aktive e shfaqjes përgjatë gjithë minutazhit sa po zgjatë ajo dhe po del në fund nga salla e Teatrit e kënaqur për atë që pa.

Si duket regjisori Ekrem Sopi e gjeti formulën, me këtë shfaqje të realizuar, për ta ngrohur publikun, në këtë të ftohtë, si për nga temperaturat minimale, si për nga i ftohti kulturor që na ka kapluar. Kjo u pa edhe me rastin e dhënies së reprizave të kësaj shfaqje, e që një e tillë ishte edhe mbrëmë (e premte), e ku salla ishte plotë , e publiku u nda i kënaqur me atë që pa në skenë.

Po të mund të mbahej ky trend i interesimit dhe, si shembull, shfaqje të tilla së paku të jepen nja 10 herë, do të kishim diku deri në 4 mijë gjilanas, e të tjerë, që do ta shihnin atë shfaqje, që kundrejt një pagesë prej 2 eurosh, nuk do të ishte fare ngarkesë për ta, e që në anën tjetër, do të ishte shumë e rëndësishme për teatrin, që do të gjeneronte mirë për t’u këndellë e pasurua repertorin e saj. Po ashtu kësaj do t’i kontribuonte mjaftë po që se një shfaqje e tillë do të jepej edhe në teatrot tjera të Kosovës.

Po ashtu, është mirë që në këto repriza, Teatrin po e mbushin adhuruesit e vërtetë të tij, dhe se qëllimi po është të shikohet e shijohet një shfaqje, e jo salla të jetë e mbushur vetëm për ndonjë tubim politik nga militantë partiak. Ajo që më ra në sy mbrëmë ishte edhe ajo që pati shumë pak prej atyre që, të marrurit me politik, e detyrojnë të vijnë në teatër për t’u parë. Po ashtu, ka pas disiplinë të madhe nga publiku, i cili ishte non-stop aktiv (me të qeshura),, përgjatë gjithë shfaqjes, por që ishin pjesë përbërëse e shfaqjes e jo prishëse e saj, sepse nganjëherë disa “dashamirë” të Teatrit, nga publiku, dinë ta irritojnë edhe pjesën tjetër, e të pengojnë shfaqjen me zhurmën apo të qeshurat e tyre histerike, në komedi të ndryshme, apo çfarë është më e keqja edhe në aso shfaqje, bile në ato pjesë të saj, kur ndoshta edhe duhet qarë.

 

E tani ti kthehemi pak shfaqjes “Mbledhja n’Parlament”, reprizës së dytë të dhënë mbrëmë. Mund të thuhet se regjisori Ekrem Sopi ia ka arritur qëllimit që në skenën e Teatrit të Gjilanit ta sjellë një realizim të suksesshëm skenik e cila nxiti reagime pozitive të publikut. Si duket situata politike në vend ia lehtësoi regjisorit Sopi ta bëjë inskenimin e kësaj komedie që përkon me realitetin tek ne dhe publiku ta pranon lehtë atë. Pa dashtë të zgjerohem për shfaqjen sepse për të kemi shkruar pas premierës e ku mund ta lexoni shkrimin e Ukshin Zajmit në këtë lidhje:

“Mbledhja n’Parlament” premierë në fundvitin 2014

po i referohem asaj, që ishte një shfaqje që në çdo moment krijonte situata të ndërlikuara, por që merrnin përgjigjen e duhur, pasi gjetje ishin të qëlluar. Pikërisht këto bënin që publiku fund e krye të lidhet e të reagojë me çdo situatë, minutë për minutë. Secili aktorë , e ishin plotë dhjetë, i kishin momentet e tyre, gjë që ishte tregues se në një lojë kolektive, ata bartën fortë mirë rolet e tyre në këtë komedi, e cila për mua, e kishte edhe një të mirë, sepse nuk u bazua në banalitet, që disa komedi e vlerësojnë si armë të fortë të tyre, vetëm ‘për me shti publikun me qeshë”, e që në fakt nuk është ashtu. Këtë e dëshmoi edhe kjo shfaqje e cila e mbajti me buzë në gazë publikun pothuajse përgjatë gjithë shfaqjes pa pasur nevojë për fjalor vulgar.

Për, koncepti regjisorial, për lojën e aktorëve si dhe elementeve tjera përcjellëse të shfaqjes lexoni shkrimin e Ukshin Zajmit në linkun e mësipërm.

Përndryshe, Komedia “Mbledhja n’Parlament” por edhe realizimi të tjera që publiku me të drejtë i pret nga Teatri i Gjilanit, duhet të mbahen më gjatë në repertorin e këtij teatri si dhe të shfaqen edhe në teatrot tjera në Kosovë dhe gjetiu. Publiku ka nevojë për shfaqje të mira. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment