Kultura kosovare shpaloset në Austri

07.02.2012 (komentet: 0)

Rrëfimi i familjes rome, e cila pas kthimit nga Gjermania në Kosovë, përpiqet të mbijetojë në realitetin e ri politik e social të shtetit të sapolindur, do të shpaloset sefte në skenën vjeneze.

Teatri Popullor i Austrisë “Volkstheater” është përzgjedhur të jetë “stacion” i premierës së tragjikomedisë “You Madeleine You”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemit.

 Prezantimi i shfaqjes më 24 dhe 25 të këtij muaji para audiencës austriake nuk është i rastësishëm. Shfaqja është “kryefjalë” e aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten” (Më të mirët nga Lindja). Edicioni i dhjetë i këtij festivali i është kushtuar Kosovës. Gjatë dy ditëve të festivalit, janë parashikuar të mbahen disa aktivitete kulturore. Përveç premierës së shfaqjes që është produksion i qendrës kulturore “Multimedia”, gjatë “Die Besten...” do të bëhet leximi skenik i shfaqjes “Lufta në kohën e dashurisë” së Jeton Nezirajt dhe novela e papublikuar ende e autorit dhe gazetarit Beqë Cufaj. Po ashtu, në kuadër të festivalit, do të pasqyrohet edhe ana poetike e Kosovës, përmes vargjeve të shkruara nga Ervina Halili. Prezantimi i Kosovës në këtë festival, është realizuar nga Ambasada Austriake në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian - Zyra në Kosovë, Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe qendrën “Multimedia”.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili është autor i tekstit të “You Madeleine You”, ka folur më detajisht për shfaqjen që do të prezantohet në festivalin austriak.

“Regjinë e shfaqjes po e bën Blerta Rrustemi. Kemi gjashtë aktorë kosovarë dhe një ekip realizues ndërkombëtar. Kemi filluar me prova të ashtuquajtura hulumtuese në nëntor dhe nga ajo kohë, me pak ndërprerje, kemi punuar intensivisht”, ka shpjeguar Neziraj. 

Sipas Neziraj, pas premierës në Austri, shfaqja do të jepet edhe në vende të tjera.

“Premiera në Kosovë do të jepet në fund të muajit maj. Në Vjenë, shfaqjen do ta shohin edhe disa elektorë të rëndësishëm nga Evropa, kështu që kemi shpresa që shfaqja do të ftohet edhe në festivale të tjera”, ka thënë ai. 

“Yue Madeleine Yue” është prodhuar si pjesë e komponentit për kulturë “Mbështetja e BE në implementimin e strategjisë për RAE”, projekt ky i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, ndërsa i realizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur - KFOS). Ky projekt synon mirëqenien socio-ekonomike, qasjen në edukim dhe arsim, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të komuniteteve rom, Ashkali, egjiptian në Kosovë.

Në fokus të tragjikomedisë “Yue Madeleine Yue” është protagonistja Madeleine, e cila një ditë bie në një gropë të hapur nga një kompani ndërtimi. Derisa vajza e mbetur në koma, lufton me vdekjen, babai i saj, në përpjekje për të kërkuar drejtësi, ballafaqohet me zyrtarë burokratë, biznesmenë e të tjerë. 

Festivali në të cilin do të përfaqësohet një pjesë e kulturës kosovare në Vjenë, nuk është i vetmi aktivitet që do “të takojë” Kosovën dhe Austrinë gjatë këtij muaji. Qendra “Multimedia” në bashkëpunim me teatrin “Volkstheater” dhe agjencia “KulturKontakt” nga Vjena, më dhjetë të këtij muaji, do të mbajnë një panel diskutimi rreth mundësive dhe sfidave të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Kemi ftuar artistët vendorë që të njihen me programet e “KulturKontakt”-it nga Austria, që është agjenci shtetërore austriake për art, kulturë dhe edukim. Ata kanë programe që mund të jenë me interes për artistët kosovarë. Gjithashtu, në panel do të jetë edhe dramaturgia kryesore e ‘Volkstheater’, e cila do të japë një përshkrim të punës së këtij teatri, posaçërisht punën rreth repertorit”, ka shpjeguar Jeton Neziraj, nga “Multimedia”. 



Fotolegjenda: Prezantimi i shfaqjes “You Madeleine You” para audiencës austriake është “kryefjalë” e aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten” (Më të mirët nga Lindja) 

Kthehu mbrapa

Shto koment