Kryeqyteti për shtatë ditë nikoqir i botuesve shqiptarë

05.06.2012 (komentet: 0)

Të hënën u mbajtë ceremonia e hapjes së edicionit të 14-të të panairit të librit “Prishtina 2012”. Vargje të shkëputura nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë u paraprinë fjalimeve të pjesëmarrësve, që u shoqëruan me defekte teknike. Mysafirët, organizatorët e zyrtarët institucionalë që kanë financuar Panairin ishin ata që folën në ceremoninë e tij, që për shtatë ditë me radhë do të jetë “stacion” i dashamirëve të librit.

Tetëdhjetë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia kanë vënë në dispozicion mbi një mijë tituj të rinj, që do të jenë ofertë për lexuesit për një javë, raporton sot nga kjo ngjarje Koha Ditore.Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, në ceremoninë e hapjes së Panairit nuk preferoi të fliste shumë.

“Zakonisht në panaire flitet shumë për librin, nëpër panaire botërore janë thënë fjalë të mëdha e gjëra të mëdha, dhe një prej tyre është se kur hapen panairet nuk është mirë të flitet për librin”, ka thënë Demaku.

Por ai iu bëri ftesë dashamirëve të librit që ta vizitojnë ekspozitën e librit.

“Shpresoj që këto ngjarje që do të organizohen në Panairin e 14-të t’i bashkojnë të gjithë lexuesit, sepse oferta është e mrekullueshme, nuk ka fushë e lëmi që nuk është botuar në librat e shtëpive botuese që marrin pjesë”, ka thënë Demaku.

Të pranishmit në ceremoninë e hapjes së Panairit i ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

“Jemi shumë të gëzuar që në këtë 100-vjetor të pavarësisë të marrim pjesë në këtë panair të rëndësishëm, ku ne marrim pjesë rregullisht çdo vit me botimet tona të larmishme. Është mirë që ky aktivitet që zhvillohet çdo vit rritet edhe më shumë”, ka thënë Ymeri.

Organizatorët u kujdesën të nderonin Atalanta Paskon, të bijën e Mitrush Kutelit, e cila në Panair merr pjesë me shtëpinë botuese “Kuteli”.

“Shpreh një falënderim të veçantë për rëndësinë që i keni kushtuar figurës së Mitrush Kutelit”, ka thënë ajo.

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ka thënë se Panairi i librit është një nga kryengjarjet kulturore.

“Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ky panair që 14 vjet po kultivon kulturë të re tek lexuesi kosovar, festës po i jep jetë edhe ky shekull si ‘shekull i pavarësisë shqiptare, si kohë kur e kemi librin bazik-abetaren e përbashkët dhe këtë panair libri, i cili sjell për lexuesin kosovar kryeveprat moderne të letërsisë mbarëshqiptare”, ka thënë Krasniqi, derisa ka shfrytëzuar rastin të premtonte se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm librin.

Panairi i librit “Prishtina 2012” do të jetë i hapur deri më 10 të këtij muaji. Botimet KOHA në edicionin e 14-të kanë servuar trembëdhjetë tituj të rinj që janë botuar në periudhën ndërmjet dy panaireve, mes të cilëve “Lakorja e Ik’sit” e Eqrem Bashës, “Autobiografia” e Vanessa Redgrave, “Arben Xhaferi” i Enver Robellit, “Noli dhe Revolucion i vonuar” i Robert Austin, “Pararendësi” i Idriz Ajetit, “Me sebep” i Bardh Rugovës, “Libri i fluturave” i Veton Surroit, “Duart e përgjakura” i Craig Jurisevic, “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit, “Ithtarët e librit” i Zachary Karabell, “Libri i fitores 1”, “Libri i fitores 2” dhe “Shteti i shkelur” i Blerim Shalës.

Kthehu mbrapa

Shto koment