Kosova vetëpërjashtohet nga standardet evropiane të arsimit

27.04.2013 (komentet: 0)

Ndodh në të gjitha vendet e rajonit, dhe është kriter që zbatohet në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, por kjo nuk ndodh në Kosovë. Të diplomuar që kanë mbaruar studimet sipas nivelit katërvjeçar në Universitetin e Prishtinës, nuk u njihet kjo thirrje me atë master. Në Universitetin e Tiranës, Zagrebit, Beogradit…dhe vendeve tjera të rajonit, këtë thirrje në sistemin katërvjeçar e njësojnë me thirrjen master.

Anita Kadriu 

Foto: Laura Hasani

 

Deri tash në Universitetin e Tiranës me dhjetëra kosovarë kanë aplikuar me diploma që kanë mbaruar studimet katërvjeçare në Universitetin e Prishtinës dhe kanë marrë thirrjen master në përputhje me Udhëzimin Administrativ “Për procedurat e njohjes së diplomave dhe certifikatave të fituara në shkollat e larta të huaja” të Republikës së Shqipërisë. Me këto thirrje master ata punojnë në shumë institucione të Kosovës. Megjithëkëtë, një udhëzim i tillë administrativ nuk është nxjerrë ndonjëherë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e Kosovës. Kjo ministri ka nxjerrë një udhëzim, por që nuk njëson kështu diplomat katërvjeçare me thirrjen master, por i obligon të diplomuarit (4) të marrin dhe 60 ECTS kredi për të marrë thirrjen master.

Gazeta “Zëri” ka arritur të sigurojë diploma të lëshuara me thirrjen master në Tiranë dhe në Beograd, nga të diplomuarit me sistem katërvjeçar, (emrat e personave në këto diploma janë të njohur për redaksinë dhe “Zëri” i posedon si dëshmi diplomat). Një mësimdhënës, i cili brenda dhjetë ditësh ka marrë thirrjen master në Fakultetin Organizimi i Punës, drejtimi Kibernetik Universiteti i Beogradit, pasi ka bërë kërkesën dhe dorëzuar dëshminë se ka kryer studimet katërvjeçare në atë fakultetet.

Kurse, tjetri është në një diplomë të cilën e posedon “Zëri” ku i shkruan se ka marrë thirrjen master në shkenca natyrore në Universitetin e Tiranës bazuar në Udhëzimin Administrativ “Për procedurat e njohjes së diplomave dhe certifikatave të fituara në shkollat e larta të huaja”, por fakultetin e ka kryer në UP. Numri i këtyre kandidatëve tejkalon 100-shin nga Kosova dhe Shqipëria. Tekstualisht në diplomën e tij shkruan “ Bazuar në nenin 37 të Ligjit nr.97 “Ligjit për Arsimin e Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar , Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit, Shkencës nr 41, datë 08.12.2009 “Për procedurat e njohjes së diplomave dhe certifikatave të fituara në shkollat e larta të huaja”, sistemi katër vjeçar i shkollimit i njihet me thirrjen master”.

Ndërsa, përfaqësues të MASHT-it në Kosovë thonë se kanë nxjerrë një udhëzim të tillë, por që kundërshtohet nga ekspertët e arsimit se nuk është i ngjashëm me udhëzimet e vendeve tjera, në zonën e arsimit të lartë, e as me Shqipërinë. Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina ka thënë se për këtë çështje kjo ministri ka nxjerrë udhëzim administrativ, i cili specifikon lidhur edhe me studimet katër vjeçare .

Sipas këtij Udhëzimi Administrativ nr.20 /2012 të MASHT-it “Krahasueshmëria dhe barasvlera e diplomave dhe e programeve studimore para sistemit të Bolonjës dhe të sistemit të Bolonjës", neni 4 të diplomuarit në universitet, studimet (4 vjeçare): diplomat e studimeve universitare katër vjeçare të sistemit para Bolonjës barazvlerësohen me 240 ECTS kredi , kurse për të fituar gradën master këta të diplomuar duhet të akumulojnë së paku edhe 60 ECTS në ndonjë nga këto programe. Por, ky udhëzim administrativ, sipas ekspertëve e ka përjashtuar Kosovën nga Zona e Arsimit të Lartë Evropian. Si e tillë udhëzimi duhet të shfuqizohet shumë shpejt, pasi bënë padrejtësi ndaj një numri shumë të madh të të diplomuarve në UP me sistem katër vjeçar. Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj ka thënë për gazetën se të gjitha vendet e rajonit përfshirë Zagrebin, Beograd...etj, të diplomuarit me sistem katër vjeçar automatikisht me një kërkesë kthehen në gradën master.

“Ky udhëzim administrativ si është ndërtuar nga MASHT-i e ka nxjerrë Kosovën jashtë standardeve evropiane që po aplikojnë të gjitha vendet në arsim, pra dhe të rajonit. Madje, ata që kanë kryer studimet katër vjeçare më parë janë specialistë për këta që kanë kryer dhe masterin tash në UP”, ka thënë Salihaj duke shtuar se nuk duhet të tolerohet që me këtë udhëzim këta të diplomuar me sistem katër vjeçar të japin provime shtesë apo një vit të bëjnë master, pasi është kundërligjore në raport me legjislacionin evropian në fushën e arsimit të lartë.

Ai e ka quajtur diskriminim këtë kuadër me sistem katër vjeçar krahasuar me këta që dalin me bachelor. “Këta me 4 vjet studime lirisht mund t’iu ligjërojnë këtyre me sistem bachelor. Unë personalisht kam pasur në provim të të dy kategorive, por njohurit e kuadrit katër vjeçar me ata bachelor, madje dhe master qëndrojnë shumë larg”, tha Salihaj për “Zërin”.

Kthehu mbrapa

Shto koment