Kontributi i Hasan Prishtinës për arsimin kombëtar

01.09.2012 (komentet: 0)

“Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe”. Hasan Prishtina

Turqit e Rinj, me të ardhur në pushtet, vazhduan rrugën antishqiptare që ndoqi regjimi i mëparshëm absolutist i sulltan Abdyl Hamitit II, duke penguar me të gjitha mënyrat zhvillimin e arsimit kombëtar dhe duke lejuar shtetet e huaja të ruanin dhe përhapnin më tej ideologjinë e kulturën e tyre nëpërmjet shkollave e njerëzve të posaçëm

Shkruan: Mr. sc. Fitim RIFATI
 Mirëpo, përkundër reaksionit të hapur ose të fshehur të regjimit xhonturk dhe përkrahësve të tij, arsimi kombëtar vazhdoi të zhvillohej, ndonëse me hapa shumë të ngadalshëm. Në këtë rrugë, një kontribut të theksuar kishte dhënë edhe Hasan Prishtina, ndër atdhetarët me të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873 dhe u vra me atentat në Selanik të Greqisë, më 14 gusht të vitit 1933. Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912), është mjaft i theksuar dhe i rëndësishëm, në kohën kur viset shqiptare ndodheshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe gjatë viteve 1908-1912, sa ishte deputet në parlamentin osman, përbënin një pjesë kulmore të luftës së përgjithshme për liri kombëtare të shqiptarëve. Në këtë rrugëtim ai mëtonte për libra në gjuhën shqipe, për praktikimin e alfabetit latin dhe për hapjen e shkollave shqipe fillore, të mesme e të larta.

Në kohën kur kishin filluar të formoheshin klubet shqiptare, të cilat në platformën e tyre përfshinin edhe çështjen e arsimimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, me shkollën shqipe në Vilajetin e Kosovës u mor Klubi Shqiptar i Shkupit, i formuar në gusht të vitit 1908 me kërkesën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës, Bedri Pejanit etj. Ndër aksionet e mëdha të këtij klubi ishte edhe inicimi i Kongresit të Alfabetit Kombëtar. Kështu, më 14-22 nëntor 1908, në Manastir, u mbajt Kongresi i Alfabetit. Mirëpo, me gjithë vështirësitë e pengesat me të cilat u përball ky Kongres, veprimtaria për realizimin e synimeve kombëtare nuk u ndal, por u shtua edhe më tej.

Në Kongresin e Elbasanit, më 2-8 shtator 1909, u vendos në hapjen e një shkolle normale të mesme e kombëtare. Kështu, me hapjen e Normales së Elbasanit, më 1 dhjetor të vitit 1909, Hasan Prishtina po përgatiste djem nga vilajeti i Kosovës që t`i dërgonte atje për shkollim. Ja se çka shkruante gazeta “DIELLI” e Bostonit me këtë rast: “...lëvizja kombëtare ka nisë m`u ngjallë shumë në Kosov... ndër këto ditë, me të përpjekurat e Hasan Beut, deputetit Prishtinës, u hap një mësonjtore shqipe në një fshat afër Vuçitërnës... pritet për së shpejti qi Hasan Beu të çelin edhe një mësonjëtore tjatër (shqipe) brenda në Vuçiternë, ku ka shpin`e vet. Prej këti atdhetari të nderçëm priten shumë punë të dobishme për kombin, se asht tuj na dhanë provë për dit e ma tepër qi asht një atdhetar i flaktë e i vërtetë, e qi përpiqet me mish e me shpirt për shndritjen e kombit të vet” (26 nëntor 1909). Nga kjo informatë mësojmë se shkollat shqipe kishin filluar të hapeshin në vise shqiptare edhe para çeljes së Shkollës Normale të Elbasanit.

Në rrugën e përpjekjeve të tij për arsimin kombëtar, Hasan Prishtina këmbëngulte për vendosjen e alfabetit latin, si më të përshtatshëm dhe praktik për shkrimin e gjuhës shqipe.

Shkollën Normale të Elbasanit, Hasan Prishtina e konsideronte si çerdhe për zhvillimin e arsimit e të kulturës kombëtare e si qendër e rëndësishme politike në të cilën kaliteshin në frymën atdhetare pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë arsye ai e quajti Elbasanin si “Qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare”.

Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen e qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve anembanë që të ndihmojnë me të ardhurat e tyre përhapjen e diturisë në Shqipëri. Për këtë çështje ai kishte vendosur të jepte 5% të të ardhurave vjetore në dobi të zhvillimit të arsimit kombëtar në Shqipëri. Ai këshilloi që shembullin e tij ta ndiqnin edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë që kishin pasuri të mjaftueshme e që mund të mbulonin shpenzimet e nevojshme. Sigurisht se kjo shumë që caktoi Hasan Prishtina, nuk ishte e vogël, por që kontribuonte cilësisht në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve shqiptarë në frymën kombëtare, nevojë kjo e cila ishte urgjente për të nxjerrë shqiptarët nga gjendja e mjerë e analfabetizmit. Me këto mjete materiale ai mund të mbante rreth dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe t`i shkollonte në Normale të Elbasanit më shumë se 60 nxënës nga vilajeti i Kosovës. Atë kohë, gazeta “DIELLI” e Bostonit, me konsideratë të thellë dhe duke besuar se gjurmëve të tij do të ecin edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, shkruante: “Sido që na mban një frikë, se mbase disa prej syresh sillen rrotull vetëm për nonjë memurjetllëk, ose të bëhen ministorë, po

prap nuk munt të mbetemi pa krisur duart, kur dëgjojmë burra me vleftë si Hasan be Prishtina, i cili të lëçitnjë çiltazi se << që sot e tutje pesë për qint nga gjë e tij e përvitëshme, si dhe nga muaj që merr e do të marrë qeveria, do ta përdorjë vetëm për mësimin e gjuhës shqip>>. I lumtë këti zotnijë dhe shprehim që dhe mjaft nga e ndermja parësi do të ecëjnë pas gjurmëvet për të mirë të kombit e të vendit tonë”. Po me këtë përmbajtje konsiston edhe një letër tjetër e nxjerrë nga Lidhja Ortodokse e Korçës, e cila kërkon nga atdhetarë të tjerë që të ndjekin shembullin e Hasan Prishtinës. Aty, ndër të tjerash, thuhet: “Lini, pra, o vëllezër të dashur, të gjitha armiqësitë me një anë, hapëni kuletat tuaja, dyke marrë për shëmbëll të nder, deputet te Prishtinës z. Hasan bej, i cili pasjen e tij e përdor për lulëzim të kombit, e kështu një herë pas që keni vdekur, emri i juaj do të rojë i pavdekur, gjersa të rojë Shqipëria”.

Me nismën e Hasan Prishtinës u hapën shkolla edhe në kazanë e Gjilanit, si në Pozheran, në Gjilan e në Moravë. Përveç këtyre, Hasan Prishtina kishte gjetur edhe 5 djem të varfër nga këto anë dhe do t`i dërgonte në Normalen e Elbasanit me shpenzimet e tij. Hasan Prishtina kërkonte 10 mësues për mësonjëtoret shqipe në Kosovë, të cilët do t`i mbante vetë, me mjetet e tij. Në një fjalim që ai mbajti në Klubin Dituria të Selanikut vuri në theks dhe u zotua se “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për atdheun e për mbrothësinë e vendit tonë”.

Ai nuk u ndal me kaq, por vazhdoi veprimtarinë e tij me realizimin e betimit që kishte dhënë në ndriçimin edukativo-arsimor në gjuhën amtare të popullit shqiptar. Nga mesi i shkurtit të vitit 1910, Hasan Prishtina e njoftoi telegrafisht Shkollën Normale të Elbasanit se do të niste 16 nxënës nga vilajeti i Kosovës (Shkupi). Ky njoftim ishte pritur me ngazëllim të madh në gjitha anët e Elbasanit, ndërsa nxënësve u ishte organizuar një pritje e ndershme me fjalime nga nxënësit dhe drejtori i shkollës, Luigj Gurakuqi. “Këjo lajme u përhap si një shkendijë elektrike më të gjithë anët e Elbasanit dhe një gaz i madh pushtoi zemrat e të gjithë shqiptarëve”, shkruante gazeta “BASHKIM`I KOMBIT” në Manastir, më 25 shkurt 1910. Pas arritjes së këtij grupi nxënësish, erdhi në Elbasan edhe grupi tjetër prej 19 nxënësish nga Gjakova, Prishtina, Vuçitërna, Mitrovica, Peja, Struga etj. Me këtë rast, Luigj Gurakuqi, drejtor i kësaj shkolle, me vlerësim dhe mirënjohje, do të shprehej: “Nuk asht nevoja t`jua thom me gojë, pse as nuk mundem t`jua rrëfenj me fjalë haren e madhe që na dëgjon zembëra në ditë të sotshme: ju vet mund ta këndoni ma mirë ndë syt e fytyrat tona, munt ta kuptoni nga kjo shumicë njerëzish, prej

ma të parëvet e ma të mirëvet të Elbasanit që ju kan dalë përpara me ju pritun! Rroftë atdhetari i shkëlqyer Hasan Prishtina. Po! Rroftë përjetë ky atdhetar i lartë, ky engjëll i Shqipnis së mjerë”, shkruante gazeta “TOMORRI” në Elbasan, më 31 mars 1910.

Pas Kongresit të Dytë të Manastirit (2-3 prill 1910), Hasan Prishtina i dërgoi edhe 17 nxënës të tjerë në Normalen e Elbasanit të cilët u pritën nga Luigj Gurakuqi. Mirëpo, qeveria xhonturke nuk e shikonte me sy të mirë përparimin e shqiptarëve dhe vendosi të ndërmerrte masa reaksioni kundër alfabetit, gjuhës, shkollave, klubeve e shoqërive kombëtare shqiptare. Me mision osmanizmin dhe pengimin e arsimit kombëtar të shqiptarëve, ajo vendosi se do të hapeshin 200 shkolla të reja, me ç`rast Hasan Prishtina kishte reaguar që mësues në ato shkolla të ishin njerëzit përkatës e të përgatitur profesionalisht dhe që do të njihnin gjuhën shqipe. Mirëpo, politika demagogjike që po ndiqte qeveria xhonturke, ishte vërtetuar edhe në këtë rast kur Hasan Prishtina e demantonte atë në parlamentin osman se asnjë shkollë nuk ishte ndërtuar në Vilajetin e Kosovës dhe denonconte aktet e prishjes së shkollave ekzistuese nga autoritetet shtetërore, për gjoja mosplotësimin e kushteve higjienike.

Mirëpo, qeveria xhonturke shkoi edhe më larg duke vendosur përfundimisht mbylljen e mësonjëtoreve në Shqipëri. Përkundër represionit dhe pengesave që nxirrte ajo, Hasan Prishtina nuk u ndal, por e shfrytëzoi foltoren si deputet në parlamentin osman, që aty të ngrinte zërin mbi padrejtësitë dhe mohimin e lirive e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Në fokus të shqetësimeve të tij qëndronte vazhdimisht çështja e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e arsimit në frymën kombëtare. Nga procesverbalet e mbajtura gjatë seancave parlamentare dhe diskutimeve që zhvilloheshin aty, mësojmë se Hasan Prishtina, më 2 maj 1911, propozonte ndarjen e një kredie për hapjen e një shkolle praktike bujqësore në Vilajetin e Kosovës, me arsyetimin se ky territor përbëhej nga toka pjellore, duke vlerësuar pozitën e tij gjeografike si mjaft të rëndësishme për zhvillimin bujqësor dhe ekonomik të vendit.

Gjatë kohës kur Hasan Prishtina vazhdimisht po bënte luftë diplomatike në sensibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare, në mars 1912 rihapet Normalja e Elbasanit, për të cilën ai kishte destinuar pasurinë e tij për zhvillimin normal të saj dhe shkollimin e nxënësve nga të gjitha viset shqiptare.

Në kohën kur po zhvillohej Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912 (maj-gusht), nismëtar i së cilës ishte Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë, ishte korrur një sukses i dukshëm i

kryengritësve të cilët kishin arritur në Ferizaj (5 gusht 1912), ku në po këtë ditë kishte dalë edhe dekreti perandorak për shpërndarjen e parlamentit, por njëkohësisht në Ferizaj u thirr një kuvend me nismën e Hasan Prishtinës. Ai i paraqiti këtij Kuvendi 14 kërkesa që ndryshe njihen edhe si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, brenda të cilave i kushtoi rëndësi të madhe çështjes së arsimit dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, duke e ndarë arsimin laik nga ai fetar (pika 5, 6, 7 dhe 8).

Në artikullin me titull “Shqipëria e Re” të botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë” në Sofje, më 22 tetor të vitit 1912, vlerësohej lart veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës në luftën e vazhdueshme të tij për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Sipas këtij artikulli, ai kishte dërguar në shkollën Normale të Elbasanit aq djem nga Vilajeti i Kosovës, duke i dhënë epitetin e “një nga më të mëdhenj atdhetar...” të Shqipërisë.

Prandaj, kontributi i Hasan Prishtinës në emancipimin kombëtar të shkollës shqipe dha rezultate konkrete dhe të pazëvendësueshme./2lonline/

Shënim:

Punimi është shkëputur nga Revista Shkencore “VJETAR” nr. 45-46, 2011 e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës në Prishtinë. 

autori është hulumtues i pavarur shkencor në Institutin e Historisë-Prishtinë)

Kthehu mbrapa

Shto koment