Komuna e Gjilanit, shpërblen mësimdhënësit më të dalluar të vitit

14.07.2012 (komentet: 0)

Gjilan- Në një akt ceremonial, autoritetet komunale, për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, kanë shpallur mësimdhënësit më të dalluar të vitit, nga të gjitha institucionet arsimore të Komunës së Gjilanit. Tridhjetetre mësimdhënës, nga të gjitha institucionet e edukimit; parashkollor, fillor dhe të mesëm, kanë qenë sot më të lumturit për vlerësimin që kanë bërë autoritetet komunale të arsimit që ata sot të shpallen më të dalluarit për ketë vit shkollor.

 


Kryetari i komunës Qemajl Mustafa, me këtë rast, në fjalën e tij uruese, ka thënë: “Punëtorët e arsimit meritojnë më shumë se sa një shpërblim të kësaj natyre”, duke parafrazuar thënien: “Edukimi kushton shumë. Por, provo të mos arsimosh, sigurisht që kushton edhe më shumë”. Arsimi vërtetë është i shenjt, sepse prodhon për vete, për shoqërinë, për ekonominë, etj. Dhe, pa arsim të mirë nuk mund të ndërtojmë shoqëri të mirë” ka thënë ndër tjera kryetari Qemajl Mustafa. 

Ndërkaq, drejtori komunal i arsimit Bujar Nevzati, ka thënë se kjo është traditë e re e shpërblimeve për ata që janë treguar dhe po tregohen më të suksesshmit në misionin tuaj edhe tonin për ta ndërtuar kështu edhe një premisë nxitëse për punë edhe më të suksesshme, dhe për të dëshmuar se institucionet tona dinë të ndërtojnë dhe vlerësojnë ata që dinë ta vlerësojnë dhe ngrisin angazhimin e tyre në nivelet më të larta. 

Nevzati ka falënderuar të shpërblyerit për përkushtimin dhe për punën e mirë që kanë bërë në misionin e tyre fisnik, ndërsa ka përmendur shkurtimisht të arriturat e shumta në arsimin.

Për nder të këtij akti, nxënësit e shkollës fillore “Selami Hallaqi”, shfaqën një program modest kulturo artistik.

Punëtorët e dalluar, pos mirënjohjes për kontribut të veçantë, janë shpërblyer edhe me nga një pagë në vlerë prej 200 euro./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment