Komiteti i Arsimit rekomandon disa zgjidhje për shkollën e Bujqësisë

24.10.2014 (komentet: 0)

 

Komiteti i Arsimit e shqyrtuar gjendjen në Shkollën e Bujqësisë, ku për shkak të interesimit të vogël të nxënësve, është dashur të reduktohen numri i paralele dhe në këtë mënyrë janë rrezikuar vendet e punës për disa mësimdhënës.

 

Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se për t`u njoftuar me gjendjen në këtë shkollë, kanë ftuar edhe drejtuesit e shkollës, të cilët i kanë shprehur shqetësimet e tyre si dhe kanë propozuar disa zgjidhje të mundshme, për të rritur numrin  e nxënësve në bujqësi.

Mehmeti ka thënës e pas një analize të problemit, Komiteti i Arsimit ka rekomanduar që të përdoren të gjitha mundësitë ligjore që asnjë mësimdhënës i kësaj shkolle të mos mbetet pa punë.

Po ashtu, Komiteti i Arsimit ka rekomanduar që numri prej 149 nxënësve, të cilët kanë ngelur të pa regjistruar në shkollat tjera, të orientohen në Bujqësi. Këta nxënës vazhdojnë të shkojnë në shkollat ku kanë preferuar, duke pritur që një ditë do të regjistrohen.

Rekomandimi tjetër ka të bëjë me shikimin e mundësive për bartjen e drejtimit kimik-teknologjik në shkollën e Bujqësisë, gjë që është kundërshtuar nga drejtori i shkollës Teknike, Rashit Sahiti, ku aktualisht është ky drejtim.

Sahiti ka thënë se drejtimi kimiko-teknologjik merret me riciklimin e gomës dhe të plastikës dhe nuk ka të bëjë asgjë me shkollën e Bujqësisë. Edhe me normativ, ky drejtim i përket shkollës Teknike, ka thënë Sahiti.           

Komiteti nuk është dakorduar për të filluar procedura disiplinore ndaj drejtuesve të disa shkollave, ku janë shkelur kriteret për regjistrim të nxënësve, duke tejkaluar numrin e tyre nëpër paralele.     

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se problemi i shkollës së Bujqësisë, nuk ka nevojë të politizohet, por duhet të analizohet në kuadër të politikave arsimore, për të nxitur më shumë interesim te nxënësit për shkollën e Bujqësisë. Ndryshe, ka thënë Musa, nxënësit nuk mund të detyrohen të shkojnë në shkollën e Bujqësisë.     

Ai ka kërkuar nga drejtuesit e shkollës që në klasat e dhjeta të vazhdohet puna me 7 paralele dhe ndërkohë, nëse shfaqet interesim i nxënësve të paregjistruar për Bujqësi, atëherë do të shikohen mundësitë për formimin e paraleleve të reja.

Në këtë shkollë ishte planifikuar hapja e 14 paralele. Drejtuesit e shkollës pretendojnë t`i marrin 149 nxënësit e mbetur pa u regjistruar, por ata nuk kanë shfaqur interesim për Bujqësi.      

KA ka diskutuar në këtë mbledhje edhe për kriteret e regjistrimit në klasë të para, pastaj rreth rekomandimeve për organizimin e ekskursioneve, sikurse edhe për kafiteritë afër kompleksit të shkollave të mesme dhe për çështje të tjera të sferës arsimore.

Kthehu mbrapa

Shto koment