Kërkohet të përshpejtohet procedura e emërtimit të shkollave të reja

14.05.2012 (komentet: 0)

Në Takimin e të hënës, të Komitetit për Politikë dhe Financa, KPF, është diskutuar edhe rreth propozimeve për emërtimin e disa shkollave të reja, për çka u vendos që të hapet një debat në KPF dhe pastaj propozimet konkrete, ku do të përfshihen edhe këshillat e shkollave, përmes Drejtorisë së Arsimit t`i dërgohen MASHT-it.

Bujar Nevzati, drejtor komunal për Arsim, ka kërkuar që të përshpejtohet procedura e emërtimit të shkollave të reja, në mënyrë që kjo të bëhet para përfundimit të këtij viti shkollor.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës theksoi se Udhëzimi Administrativ për këtë çështje, në njëfarë mënyre i përjashton komunat nga ky proces, prandaj duhet të kërkohet ndryshimi i këtij akti nënligjor, sepse emërtimi i shkollave nuk është më pak i rëndësishëm se emërtimi i rrugëve, ku komunat janë përgjegjëse, por edhe për arsyen se duhet të harmonizohet me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale.

Anëtarët e KPF u pajtuan se duhet të merren parasysh emrat meritorë nga shkenca për emërtime të shkollave, duke thënë se të tilla ka mjaft në Gjilan, por edhe jashtë tij, nëse është e nevojshme, sikurse që në parim u pajtuan që në një fazë tjetër të bëhet një rishikim edhe i disa emërtimeve aktuale të shkollave. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment