Kërkohet rishikimi i formulës për regjistrimin e fëmijëve në klasat e para

16.05.2014 (komentet: 0)

Komiteti i Arsimit e ka rekomanduar për procedurë të mëtejme Rregulloren mbi përgjegjësitë disiplinore dhe materiale të punonjësve të institucioneve edukative – arsimore dhe aftësuese në Komunën e Gjilanit si dhe ka diskutuar në lidhje me regjistrimin e nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta në vitin shkollor 2014/2015.

 

Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit (KA), ka thënë se Rregullorja vjen si propozim i Drejtorisë së Arsimit dhe ka kërkuar nga anëtarët e kësaj trupe komunale që vërejtjet e tyre eventuale t`i dërgojnë edhe me shkrim, duke e bërë këtë derisa dokumenti nuk miratohet në Kuvend Komunal, ku po ashtu do t`i nënshtrohet një debati.

Rashit Sahiti (LDK) ka thënë se Rregullorja është kopje e dobët e draft-rregullores për masat disiplinore ndaj nxënësve dhe kërkoi që ajo të rishikohet e korrigjohet. Edhe Ajtene Shahiqi (AAK) tha se pajtohet me këto vërejtje, kurse Fehmi Sylejmani (VV) e Shukrije Rapuca (PDK), kanë thënë se rregullorja për nxënës duhet të jetë e veçantë.

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se Rregullorja është punuar nga ekspertët dhe, para se të vijë në KA, ka kaluar dëgjimin publik, ku janë bërë vërejte e sugjerime dhe ato janë marrë parasysh nga hartuesit.

“Mendoj se kjo rregullore e ndihmon shumë punën tonë në arsim, në rastet kur është e nevojshme të merren masa disiplinore dhe materiale ndaj punonjësve të kësaj fushe”, ka thënë Musa.     

Ai sqaroi se në procedurë e sipër është edhe Rregullorja për masa disiplinore ndaj nxënësve.

Ndërkaq, sa i përket regjistrimit të nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta, Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se këtë çështje e ka rregulluar MASHT-i me Udhëzim Administrativ 22/2013 dhe Komunat nuk kanë mundësi të bëjnë ndryshime, pavarësisht se ato duhet të ballafaqohen me probleme konkrete në terren.

Florina Jerliu (LDK) ka thënë se është kërkesë e prindërve që t`iu lejohet përzgjedhja e mësuesit për fëmijët e tyre në klasën e parë dhe që kjo përzgjedhje të mos bëhet përmes zarfeve, sikur deri tani.

Ajtene Shahiqi ka thënë se rajonizimi duhet të respektohet pa tjetër, sepse në të kundërtën disa shkolla rrezikojnë rënien e numrit të nxënësve dhe si pasojë e kësaj edhe shuarjen e klasave.

Fehmi Sylejmani (VV) ka kërkuar ndryshimin doemos të formulës së regjistrimit në klasën e parë, duke bërë përzgjedhjen kompjuterike sipas alfabetit dhe gjinisë, pa i marrë parasysh kriteret tjera, sepse kjo formë i lëndon shumë fëmijët. “Imponimi i mësimdhënësit në klasën e parë mund të përbëjë edhe shkelje të të drejtave të fëmijëve”, ka thënë ai.

Sipas Shukrije Rapucës (PDK), kjo mënyrë e regjistrimit duhet të mbetet gjithsesi, sepse mënjanon disa mundësi për manipulime, por nëse është e nevojshme mund të plotësohet edhe me kritere tjera, sikurse edhe rajonizimi, sepse pengon dyndjen e nxënësve në shkolla të caktuara, ka thënë ajo.       

Edhe për Rashit Sahitin (LDK), përzgjedhja kompjuterike e nxënësve për klasat e para, duke i ndarë në mënyrë të barabartë, është e qëlluar. Nëse përzgjedhja e mësimdhënësve lihet në duar të prindërve, atëherë ekziston rreziku që ndonjë mësimdhënës të mbetet pa nxënës dhe pa vend pune.   

Drejtori i Arsimit, Nazmi Musa tha se do të veprohet sipas ligjit dhe rregulloreve, ndërkohë që saktësoi se sivjet, në klasë të parë vijnë 1214 fëmijë. Sipas tij, formula e deritashme e regjistrimit në klasën e parë ka qenë e mirë, por nuk është e përkryer.        

Një problem në vete, në vitin e ardhshëm shkollor, do të jetë shuarja e klasave të 13-ta, që lë pa vend pune dhjetëra mësimdhënës, ka thënë Musa. Ai ka premtuar se do të shikohen të gjitha mundësitë për sistemimin e mësimdhënësve të kualifikuar, të cilët mbeten pa orë, për këtë arsye, sepse ky është edhe udhëzim i MASHT-it.

Ndryshe, Musa është përgjigjur edhe në disa interesime të ngritura në takimin e kaluar të KA, rreth stafit menaxhues në shkolla, ekskursioneve, shkollës në Malishevë, rastit të shkollës së Artit Pamor dhe çështje të tjera të sferës së arsimit.     

 

 

 

Zyra për Informim

Kthehu mbrapa

Shto koment