Këngët që ia këndova Gjilanit me rrethinë

20.08.2012 (komentet: 0)

Këto këngë janë thurë, kompozua dhe interpretua gjatë periudhës kohore që nga viti 1968 – 2012.

1. O GJILAN , QYTETI IM 
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Porsi një liqe i bukur ,
Buzë Mirushës , n’ atë tokë pjellore ,
Shtrihet qyteti im , i dashur –
Plot me bukuri përrallore .

Në qytetin ku u rrita –
M’ thërret dashuria si për herë .
Kur vjen mbrëmja – ndezen dritat ,
Si behar lulesh n’ pranverë .

Trotuaret plot me dritë –
Dalin t’ rijtë me u shetitë .
Rriten n’ këngë e n’ dashuri ,
Porsi lulet në saksi .

Po lulëzon qyteti i ri –
Me shumëkatëshe plot stoli !
Plot sokola e sokolesha ,
Rriten trima e trimëresha .

O, Gjilan, qyteti im ,
Unë me zemër të nderoj !
N’ ty , përherë unë gjejë gëzim –
Gjithmonë për ty do t’ këndoj !

2. A KE QENË NDO ‘I HERË N’ GJILAN 
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Hej, hej ! Po të pyes , more Filan –
A ke qenë ndo ‘i herë n’ Gjilan ?
Po s’e dijte ç’ është Gavrani –
Nuk e di çka është Gjilani !
Ky Gavrani plot me drita –
Për çdo ditë po i shtohet rrita !
Plot me vajza e djem të ri ,
Këngë e gaz e dashuri .

Hej, hej ! Është një lagje :”Dheu i Bardhë” –
Është simboli gjithëkombëtar .
“Dheu i Baqrdhë” , quhet kjo tokë –
Ku mbajnë plisa t’ bardhë mbi kokë !
Aty janë do djemë krenarë ,
Djemë petrita dhe shkollarë .
Burra trima dhe bujarë ,
Mbi të gjitha – atdhetarë .


Hej, hej! Atje lartë kah “Popovica” –
Rriten çikat sokolica .
Pak ma poshtë , n’ lagjen “Baleci” –
Janë do djemë , si Shyt Mareci !
Është një lagje “Derë Mahalle” –
Hecin vashat veç me nalle .
Shtati i tyre veç përhidhet –
Qyteti prej tyre dridhet !...

Hej, hej ! Ka në lagjen “Çenar Çeshmja” –
Vajza t’ bukura, si mbretëresha .
Ma në jug – n’ lagjen “Zabeli” –
Rriten vashat këputë prej beli .
Mos besofsh , ti, lum Filani – 
Hajde shih çka është Gjilani !
Hajde shih çka është shyhreti –
Për të gjallë , ku është xheneti !

3. FLAKADANI I PAEPUR 
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Një çiri me drita ndriçon në Gjilan, 
Aman, aman .
Si yll Afërdita – përhapë rreze anë e mbanë , 
Aman, aman .
Ah , jetë, moj jetë –
Sa e ëmbël që më je !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa të mirat ti mi ke !
Ndizet , shkrihet çiri –
Zihet mbi shandan ,
Si gurë xhevahiri ,
Jep shkëlqim si flakadan .

Ditë , as natë s’ pushon – ndizet pak nga pak ,
Anan, aman !
Rreze drite lëshon mbi Gollak e Karadak ,
Aman, aman !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa e ëmbël ti më je !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa të mirat ti mi ke !
Ndizet, shkrihet çiri –
Flakëron si kandil !
Këngën nxjerr nga gjiri –
E këndon si bilbil .


Si nusja në vek, duke thurë pëlhurë ,
Aman, aman !
Ai e qëndisë këngën , si kala me gurë ,
Aman, aman !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa e ëmbël ti më je !
Ah, jetë, moj jetë –
Sa të mirat ti mi ke !
Vargu i tij nuk thahet ,
Si uji në gurrë ...
Është një lum që s’ ndalet 
Dhe nuk shteron kurrë !...

4. GJILANI I BUKUR 
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Nga thirrjet e xhanit ,
Zemra po m’ kushton – 
T’ ia këndoi Gjilanit ,
Këngën që pushton !

Me vargje t’ poetit ,
Me zë të bylbylit ,
Me aromë të blirit ,
Me ngjyrë të zymbylit !...

Kënga ime e shpirtit ,
Shpërthen si vullkani ...
S’ ma rrëmben stuhia ,
Jo , as uragani !

S’ mund ta ngrijë veriu ,
As kur frynë murrlani ...
Qyteti më i bukur , 
Për mua është Gjilani !

I kujtoj kalldrëmet ,
Mbushë me vasha t’ hijeshme –
Kur shkonin me kënata ,
Për t’ mbushë ujë në çeshme !...

Më vrisnin me vetulla ,
M’ shponin me çepalle ,
Më trokisnin n’ zemër – 
Kah ecnin me nalle !...

I përkujtoj korzot 
Dhe rininë shkollore ,
Takimet e t’ rinjve – 
Nëpër ëmbëltore ...

Ëmbëltorja e famshme ,
Quhej “Skënderbeu” –
Ku një vajzë e këndshme ,
Zemrën ma rrëmbeu !...

Dyqane zejtarësh ,
Buzë lumit t’ Mirushës ,
Furrat e bukëpjekësve , 
Aroma e bukës !...

Plot me sylynjare 
Rridhte Shatërvani ,
Se ku është Gjilani –
Aty është vatani !

Gjilani i bukur –
Qytet legjendarë ,
Është djepi i trimave ,
Bijëve atdhetarë .

Është djep i kulturës ,
Dritë e dijetarë ,
Është djep i arsimit –
Mbushur me shkollarë ...

5. VALLJA E GJILANIT 
Teksti dhe interpretimi :Demir Krasniqi 
Muzika : E Popullit, sipas valles tradicionale 

Jehojnë fushat dhe bregoret 
Në Moravë e në Malësi ...
Plot dasmorë janë mbushë oborret –
Valon shqipja kuqezi .
T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,
Krah për krah e brez për brez –
Hedhin vallet burrërore ,
Që nga mbrëmja deri n’ mëngjes .
Krismave të tupanit , hej, 
Larg u shkon jehona ...
Vallja e Gjilanit , hej, 
Është valle e jona !
T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
Qysh na mësuan të parët tonë .
Ne, traditat s’i harrojmë ,
Ruajmë me mburrje çdo zakon !

Vallet tona janë krenare ,
Plot me art e trimëri ...
Kujtojnë luftërat çlirimtare 
Për Kosovë e shqiptari !
T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,
Në Preshevë e Karadak ,
Hedhin vallet burrërore –
Në Medvegjë e në Gollak ...
Krismave të tupanit , hej,
Larg u shkon jehona ...
Vallja e Gjilanit, hej ,
Është valle e jona !
T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
Valon shqipja lartë mbi ne .
Pushkët prej dorës nuk i lëshojmë – 
Mbrojmë kufij e mbrojmë Atdhe !

6. KALAJA E POGRAGJËS 
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Një ditë shkova te Kalaja – mbi Pogragjë ,
Për t’u çlodhur , për t’u çmallë e për t’u kënaqë !
E shikova këtë mbretëreshë të bukurisë –
Porsi nuse me kurorë , përmbi kreshta të malësisë .
Haj, haj, seç më dogj malli –
Haj, haj, zemrën ma kalli !
Digju zemër , digju porsi furrë ,
Se rinia, ma nuk kthehet kurrë !
Qajë , moj zemër, qajë e mos më plas ,
Se kujtimet kurrë nuk kthehen pas !

E kujtova këtë simbol të lashtësisë ,
I kujtova vitet e mia të rinisë !...
Sa e vjetër është Kalaja dhe këta gurë –
Zemra ime, dashuron e s’ plaket kurrë !
Haj, haj, seç më dogj malli –
Haj, haj, zemrën ma kalli !
Më djeg malli – digjem si flaka ,
Kur kujtoj se edhe unë u plaka !
Qajë, moj zemër, qajë e mos më plas ,
Se kujtimet kurrë nuk kthehen pas !...


7. KALAJA E NOVOBËRDËS 
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Ka le dielli mbi bjeshkë të larta ,
Këndojnë bylbylat prej sevdasë .
M’u kënaq zemra tu i dëgjua –
Përmbi shkëmbinj të Kalasë !
Moj Kalaja e Novobërdës ,
Dora e mjeshtërve ty të ngriti ,
Luftëërave, borës dhe furtunës ,
Ju bënë ballë si shkëmb graniti !

Prej romakëve dhe osmanlisë –
T’ shkelën këmbët e barbarisë ...
Bukuroshe , ti , e malësisë –
Mbete simbol i historisë .
Në Kalanë e Novobërdës –
Eni të shkojmë për kënaqësi ,
Ta shikojmë çdo anë t’ Kosovës ,
Ajr të pastër me u ngi .

Karadakut , Sharrit e Rugovës –
Ju buzëqeshë me krenari .
Bukuroshja e Kosovës –
Thërret gëzimet në malësi ...
Moj Kalaja e Novobërdës ,
Ti na pret me bujari .
Vend i fatit dhe i shpresës ,
Zemra m’ thotë në ty të rri !

8. MURIMI I KALASË SË NOVO BËRDËS
Teksti sipas legjendës : Demir Krasniqi

Perandori ka urdhnue,
Krejt Ballkanin me e sundue,
Shumë kala me i ndërtue,
Ushtrinë e vet me i strehue,
Prej sulmuesve me i shpëtue!
T’ gjithë shqiptarëve shpi për shpi,
Ja u ka qitë nga i hangari!
Hangari hiq pa çare,
Me punue rrogëtarë pa pare!
Me bajtë gurë e me murue,
Shumë janë lodhë e janë dermue,
Gjatë tanë jetës kan punue,
N’ shpi të vet, kurrë nuk kan shkue,
Mish e eshna, ju kan prrekë,
Shumë prej tyne n’ Kala kan vdekë!
Si n’ shumë treva të këtij vendi –
Novo Bërdës i erdhi rendi,
Me e ndërtue atë Kala –
Krejt Kosovën me mujtë me e pa!
N’ Novobërdë, n’ atë maje t’ kodrës –
Sheh Kosovën, si n’ shuplakë t’ dorës!
Skaj me skaj nëpër malësi,
Kan mbledhë burra e djemë të ri,
Kan bajtë gurët dorë me dorë,
N’ vapë të madhe, n’ shi e n’ borë,
Prej Gollakut e Karadakut,
Për me i ngritë Kala – romakut!
Ni Sokol – ni burrë malësor,
Kish zanatin murator,
S’ kish shumë kohë që ish martue,
I erdh rendi, n’ Kala me shkue!
Me punue në atë Kala,
Tjetër mashkull n’ shpi nuk la!
E la n’ shpi, nji loke nanë,
E la nusën e re – shtatëzanë! 
Nizet vjet murim ka ba,
Shpinë e vet kurrë s’ e ka pa!
Nuk e pa kurrë loken nanë,
Nuk e pa nusen shtatëzanë!
Gëzim të madh, Zoti i kishte falë,
Nuses n’ shpi, i kishte lindë djalë!
Prit me muej e prit me vjet –
Kurrë s’ erdh baba, n’ shpi të vet!
U rrit djali, nizet vjet –
Kurrë s’ e pa babën e vet!
Nizet vjet kur kan kalue,
Nana – djalin e kish fejue.
Erdhi koha me e martue,
Vadën – dasmës ja kan caktue.
Po banë nana:”Haj medet,
Po e martoj nji djalë hazret,
Qysh bajmë darsëm e zafjet,
Pa kan n’ darsëm baba i vet?!
Nji ditë, nana ishte kujtue,
Në sabah, heret ish çue,
Ka hy n’ magje me gatue,
Po don bukë, burrit me i çue!
Sa shpejt gati, bukën po e banë,
Djalit t’ vet, ia paska dhanë –
Hajt, bre bir, në daç me m’ ngue,
Merr kët bukë, nisu me shkue,
N’ Novo Bërdë, babës me ja çue,
Te Kalaja asht tue punue!
Babës tan me i ba selam –
Sod nji javë, dasmën e kam,
Merr këta shokë e ustallarë,
Mos e le, n’ dasëm pa ardhë!
Sa mirë djali, nanën po e ngon,
E merr bukën e po tfillon,
Nja tri ditë udhë, po udhëton,
Te Kalaja drejt po shkon.
N’ portë t’ Kalasë, kur paska dalë –
Puna e mbarë, o, ustallarë!
-Të mbarë paç, o djalë i ri,
Ç’ kërkon ti, n’ Kala me hi?
-Babën tem, gjallë a e kam,
N’ bark të nanës, ai m’ ka lanë?!
Kur ka ardhë ai n’ këtë Kala,
Tanë këtë trup unë e kam ba,
Babën tem kurrë s’ e kam pa!
Sod kam ardhë, unë, bukë me i prue,
Me babë tem, du me u takue!
Ka prej nanës, shumë selam –
Sod nji javë, dasmën e kam!
Me i marrë shokë e ustallarë,
Mos e le n’ dasëm pa ardhë!
Janë shkue babës, i kan kallxue,
-Djali yt, asht tuj t’ kërkue,
Bukën n’ dorë ai ta ka prue,
Po t’ kërkon me u njoftue,
Edhe n’ dasëm po t’ thërret me shkue!
Ka dalë baba, n’ maje t’ Kalasë –
Prej mërzisë, zemra i ka plasë,
Kur pa djalin sa nji plep,
S’ e kish pa qe njizet vjet,
I vloj gjaku prej mërzie,
Trutë e kresë ju kan përzie!...
Vet me veti koka kujtue –
Krejt kjo jetë, n’ Kala m’ ka shkue,
Hangari tue punue,
Kurrë n’ shpi teme s’ un jam shkue,
S’ kam pa nanë, as s’ kam pa grue,
M’ asht rritë djali me u martue –
Nji herë n’ prehën s’ e kam vnue!
M’ ka shkue jeta kurrë pa u gëzue,
Trupi i jem pa u rahatue!
Çka m’ vyen jeta, n’ dasëm me shkue?
Çka m’ vyen djali kështu me rrënue?
Mos po i prinë fati, si mue –
Sa t’ jenë gjallë, kështu me u mundue,
N’ hangari tue murue,
Pa i pa thminë, as pa pa grue,
Çka i vyen jeta me jetue?!
Drodh çekiçin e ka gjue –
N’ lulë të ballit, djalit ia ka mshue,
T’ dekun n’ tokë e ka palue!
Ustallarët çka kan marue –
N’ Kala, djalin e kan murue,
Edhe bukën e shtinë në murë,
Sod e atë ditë s’ e hangrën kurrë!
Kështu tregon legjenda e gjallë –
U muros djali me mallë,
E la nusën pa e marrë!
Fjalëve t’ mia, kush s’ ju beson –
T’ shkojnë Kalanë, ta viziton!
N’ gurë t’ Kalasë, n’ atë maje mali –
Pushon buka e pushon djali!
Pushojnë gurët e historisë,
Pushojnë vuejtjet e shqiptarisë!

*****
Këto këngë janë thurë, kompozua dhe interpretua gjatë periudhës kohore që nga viti 1968 – 2012.

Shfrytëzimi i tyre për qëllime të ndryshme, pa lejen e autorit paraqet vepër penale dhe do të ndëshkohet sipas Ligjit mbi të drejtën e autorit.

Gjilan, më 20 .08.2012.

Kthehu mbrapa

Shto koment