Këngë e valle në Karadak

16.09.2012 (komentet: 0)

Gjilan – Festivali kushtuar valleve burimore dhe traditave të grykës së Karadakut është mbajtur në shtëpinë e kulturës Idriz Seferi në Zhegër me pjesëmarrjen e ansambleve e grupeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Kosova Lindore. Festivali i titulluar “Kushtrimet e Karadakut” edhe pse ishte përgatitur të mbahej në ambient të hapur në fshatin Shurdhan, për shkak të motit me shi është dashur të zhvendoset në shtëpinë e kulturës “Idriz Seferi” në Zhegër.


Megjithatë kjo zhvendosje nuk ka qenë aspak pengesë që Festivali të jetë vërtet madhështor dhe me pjesëmarrjen e shumë ansambleve e grupeve nga trojet shqiptare. 

Ishte kënga e Ismet Behqetit “Mirë se vjen o vëlla” ajo që e ka hapur këtë festival derisa Qemajl Mustafa nën patronatin e të cilit është mbajtur ky festival i ka përgëzuar dhe uruar të gjitha ansamblet për kontributin që po japin në afirmimin e traditave dhe vlerave autoktone burimore shqiptare.

Mustafa tha para shumë qytetarëve se për vitin 2013 kultura do të jetë e trajtuar më ndryshe dhe më mirë.”Mbi 220 mijë euro janë ndarë për nevojat e kulturës sepse ky është një segment që ka nevojë të mbështetet dhe përkrahet. Unë jam i kënaqur që sot po shoh ansamble që e kanë ruajtur vërtet dinjitetshëm traditën tonë e cila është mjaft e pasur” tha Mustafa.

Edhe Hamit Aliu organizator i Festivalit tha se vet fakti se kemi ansamble nga të gjitha trojet shqiptare dëshmon se vallet e Karadakut , vallet e maleve të Shqipërisë e të Kosovës Lindore jetojnë mes nesh. “Ky interesim i kaq shumë njerëzve na jep motiv që edhe në të ardhmen të organizojmë dhe zhvillojmë festivale të tilla” tha aliu.

Edhe Veton Nevzadi drejtor i kulturës tha për rajonipress se është i kënaqur që si nikoqir ka pasur mundësi të sjellë para publikut një estradë të valltarëve të mrekullueshëm.

Në festival kanë marrë pjesë gati të gjitha partitë politike duke përfshirë Lirije Kajtazin, Izmi Zekën, Ahmet Isufin, Zenun Pajazitin , Ismajl Kurteshin e Nijazi Idrizin. Kompania Ekohigjiena kishte ndihmuar maksimalisht në mbarëvajtjen e këtij festivali i cili për shkak të kohës e ndryshojë komplet strategjinë dhe programin.

Më pas shikues të shumtë patën rastin të shohin valle të zgjedhura nga ansamblet e Karadakut e Gjilanit, pastaj të atyre nga Mati i Shqipërisë, valle të pëlqyera edhe nga Presheva e Kumanova , Fushë Kosova, Peja etj.

Festivali nuk ka qenë garues, por kryesisht i është kushtuar valleve burimore duke ruajtur gjithnjë traditën dhe vlerën që kanë pasur vallet e Grykës së Karadakut dhe vallet e pëlqyera nëpër shekuj tek shqiptarët .

Ndryshe ky festival është mbajtur edhe për të përkujtuar dhe afruar edhe më tutje lidhjet e trevave shqiptare që ndodhen në trekëndëshin Gjilan – Preshevë- Kumanovë.

Festivali është përkrahur nga drejtoria e kulturës, Ministria e Kulturës dhe PTK-ja, ndërsa është mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës./rajonipress/

Kthehu mbrapa

Shto koment